20150406kinasot |
Udhëtimi nëpër botë është një ëndërr për shumë njerëz. Për shembull novelisti i njohur francez Jules Gabriel Verne ka përshkruar eksperiencën e tij në veprën "Rreth e qark botës në 80 ditë", natyrisht përmes imagjinatës. Mbase, keni dëgjuar për dikë që ka udhëtuar nëpër botë me mjete të ndryshme transporti. Por, protagonistët e rubrikës së sotme janë dy kinezë, që po ecin me biçikleta drejt ëndrrës.
Këtë muaj, gazetarët e CRI-së takuan në Varshavë dy bashkëathetarë të veçantë: Lai Likun dhe Zhang Hui, dy udhëtarë që u nisën nga Pekini me biçikletë para 3 muajsh dhe mbërritën në kryeqytetin e Polonisë. Pas nisjes më 22 dhjetor të vitit të kaluar nga Pekini ata e kaluan në Hollandë vitin e ri kinez, për të përshkuar më pas rrugën e gjatë Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Më në fund, prekën qendrën e Europës dhe këto ditë po ecin drejt skajit perëndimor të këtij kontinenti.
Lai Likuni e nisi eksplorimin e tij mbi "dy rrota" nga viti 2009 dhe deri tani ai ka udhëtuar 78 mijë kilometra në më shumë se 42 vende e rajone të botës, duke prishur 7 biçikleta. Kurse, 21 vjeçarja Zhang Hui , studente e vitit të dytë në degën e taekwondo-së, në Institutin e Sporteve të Pekinit, e frymëzuar nga Lai, e shoqëroi atë për më shumë se një vit në këtë aventurë.
Lai, që duket plot energji pas rrugës së gjatë, ka qenë biznesmen i suksesshëm. Në kulmin e karierës së tij, ai hapi 6 dyqane filiale në 4 vjet. Por, një serë fatkeqësish e goditën: e ëma ndërroi jetë, u divorcua dhe kompania e tij falimentoi. Pas këtyre, Lai vendosi të rindjekë ëndrrën e fëmijërisë për të pare realisht botën.
"Kur isha 20-30 vjeç kisha dëshirë. por nuk kisha guxim. Por më në fund një ditë në moshën 35 vjeçare e kuptova se nëse nuk nisem menjëherë do të plakem dhe mbase nuk do të guxoj më ta realizoj ", tha Lai.
Më pas , ky 43 vjeçar filloi stërvitjen për rritjen e aftësisë fizike në përshtatje me ambientin dhe motin ekstrem. Atë kohë, nga ora 4 e mëngjesit deri në 4 pasdite, ai përpiqej të ngiste biçikletën pandërprerë për 12 orë në ditë. Madje për të shmangur çdo lloj frike psikologjike kishte fjetur në një varrezë për afro 6 muaj. Për të testuar mundësinë e kryerjes së udhëtimit, ai e nisi aventurën nga vendet fqinje në Azinë Juglindore, duke mos marrë me vete asnjë lek.
Në pesë vitet e parë, kur Lai udhëtonte vetëm ishte përballur me rreziqe të panumërta, si humbje ndjenjash, sulme nga kafshët e egra, humbje e rrugës në thatësirat etj. Megjithatë, ai i kapërceu vështirësitë dhe këmbënguli në realizimin e ëndrrës. "Përveç vullnetit, forca që më mbështet vjen edhe nga ndihma e të panjohurve nëpër botë", tha Lai i mallëngjyer.
Gjatë rrugës, për të kursyer shpenzimet, ai duhet të gjejë strehim të përkohëshëm në shtëpinë e banorëve vendës. Sipas tij, shumica e njerëzve të panjohur i kanë ofruar ndihmë me dashamirësi. Në çantën e Lai-t ka një fletore ku mban shënime të hollësishme për datën, vendin dhe njerëzit që takoi gjatë udhëtimit. Ai dhuron paratë e kursyera për fondacionet e bamirësisë ose njerëzit në nevojë. Gjatë tre muajve të fundit, ai ka dhuruar 13 herë fonde për kopshte fëmijësh, shtëpitë e të moshuarve, të prekurit nga fatkeqësitë etj.
Para dy vjetësh, kur Lai u ftua të mbante një ligjëratë në disa shkolla të larta të Pekinit, adventura e tij mbi biçikletë preku Zhang Huin, një studente 21 vjeçare në Institutin e Sporteve të Pekinit. Pasi mori vendimin, ajo i kërkoi shkollës për ndërprerjen e përkohshme s të studimeve.
"Udhëtimi nëpër botë është edhe ëndrra ime. Përveç kësaj, jam e mendimit se realizimi i kësaj ëndrre nëpërmjet biçikletës pasqyron edhe konceptin e mbrojtjes së mjedisit. Ndryshe nga makina, biçikleta nuk lëshon lëndë ndotëse. Gjithashtu, mendoj se udhëtimi i gjatë me biçikletë sfidon edhe maksimumin e aftësisë së njerëzve dhe dua të përballoj këtë prove të guximit, forces fizike dhe mençurisë njerëzore", tha Zhang Hui.
Megjithëse Zhang studion në fushën e sporteve dhe ka epërsi nga ana fizike, ajo bëri shumë përgatitje para nisjes. Çdo ditë, stërvitej për të pasur më shumë forcë fizike dhe për të përvetësuar metodat e kontrollit të biçikletës në rrugë të ndryshme. Që nga fillimi i vitit 2014, Zhang ka udhëtuar nëpër Azinë Juglindore, Oqeaninë, Brazilin dhe Polonia që është stacioni i 20-të i saj. Por, kjo vajzë e re ndonjëherë ka menduar edhe të tërhiqet nga aventura .
"Shpesh kam menduar se jam tepër e lodhur, sidomos kur arritëm në një zonë të pabanuar. Disa herë doja të blija një biletë avioni dhe të kthehesha sa më shpejt në Kinë. Por më pas, vendosja të vazhdoj rrugën që kam nisur", tha Zhang.
Në çantën e Zhang Hui-së ka disa libra historikë dhe biografi të disa figurave të njohura. Por, sipas saj, mësimi më i vlefshëm që ka bërë gjatë udhëtimit nuk vjen nga librat, por nga njerëzit që ka takuar gjatë udhëtimit.
"Ajo që më ka lërë mbresë të thellë është se tani jam më mirënjohëse. Di të falënderoj dhe të çmoj më shumë ato që kam parë. Në veçanti, dua të falënderoj ata që na kanë ndihmuar, pavarësisht kombit apo races ata kanë qenë dashamirës me ne edhe pse njerëz të panjohur", tha Zhang.
Pas ndalesës së shkurtër në Poloni, dy udhëtarët e guximshëm do të shkojnë në Çeki, Hungari, Itali, Spanjë, Portugali, Greqi dhe vende të tjera europiane. Kurse, sipas Lait, për të përfunduar tërë udhëtimin nëpër botë, i duhen edhe 2 vjet. Pas Europës, ata do të shpenzojnë 3 muaj udhëtim nga Afrika Perëndimore në Afrikën e Jugut, 4 muaj mes Argjentinës, Perusë, Ekuadorit, Kolumbisë dhe Venezuelës, 1 muaj në tërë Kanadanë dhe 3 muaj në Japoni, gadishullin korean e Tajvan.
Përsa i përket planit pas udhëtimit, ata thonë se do të shkruajnë një libër për të përshkruar eksperiencën e tyre si dhe do të hapin një ekspozitë me të gjitha kartolinat dhe fotot, që grumbulluan në udhëtimin. Nëse mund të nxjerrin fitime nga këto veprimtari ata kanë vendosur të financojnë njerëzit në nevojë dhe të ndërtojnë një shkollë për fëmijët me kushte të vështira ekonomike.