">Qingming dhe respekti për të vdekurit<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Qingming dhe respekti për të vdekurit
  2015-04-06 11:37:08

Qinming ose "Dita e pastrimit të varreve" është një nga ditët përkujtimore në traditën kineze, e cila përkon me datën 5 prill, kur pranvera ka nisur të hedhë hapat e parë të saj. Gati një apo dy javë para kësaj date në varrezat e Kinës sheh njerëz të moshave të ndryshme që pastrojnë varret e të afërmve dhe vendosin në to lule, qirinj, pastrojnë barin e mbjellin lule, por ka raste kur vendosin dhe biskota apo ushqime të tjera.

Fillesa e Qingming-ut

Zanafilla e kësaj dite përkujtimore të kinezëve i ka rrënjët që në dinastinë Zhou, pra rreth 2500 vjet më parë. Kjo traditë nuk ka të bëjë vetëm me pastrimin e varreve dhe nderimin ndaj njerëzve të dashur të ndarë nga jeta por edhe me të gjallët dhe shëndetin e tyre. Qingming njihet edhe si "ushqim i ftohtë", për faktin se njerëzit e dobët fizikisht gjatë qingming-ut kur ende mund të jetë moti i ftohtë duhet të bëjnë ushtrime për tu ndjerë më mirë. Ndër këto ushtrime janë shëtitjet në natyrë, futbolli kinez, mbjellja e shelgjeve, luftimet me gjela, pra festa popullore të pranverës që ka ardhur.

Që nga kohët e lashta, ka pasur shumë veprave arti dhe poezi kushtuar ditës së Qingmingut. Një nga këto është dhe një poezi e Du Mu i cili ka jetuar në kohën e dinastisë Tang dhe titullohet "Dita e pastrimit të varreve".

Legjenda Hanshi

Një ditë para Qingming-ut është Hanshi që do të thotë "ushqim i ftohtë" dhe kjo traditë lidhet me një legjendë të lashtë kineze. Thuhet se në shekullin e 7-të p.e.s kur sundonte shtetin Jin mbreti Xiao, djali i tij i madh Shen Sheng duhet të trashëgonte fronin pas vdekjes së të atit. Por sundimtari donte që në vend të tij të emëronte djalin e konkubinës së tij të preferuar Li Ji. Pas vrasjes së djalit të tij Shen sundimtari kërkonte të realizonte të njejtin plan me djalin e tij të dytë Chong er, por ky i fundit u arratis nga mbretëria. Për një periudhë 19 vjeçare ai sëbashku me disa luftëtarë besnikë endej pa shtëpi dhe duke vuajtur urinë e të ftohtit. Një ditë Chong er ndjehej i uritur dhe i lodhur gati në prag të vdekjes. Njeri nga luftëtarët e tij më besnikë Jie Zitui për ta shpëtuar nga vdekja e sigurtë preu një pjesë të pulpës së këmbës dhe ja shërbeu.

Në vitin 636 p.e.s Chong'er arriti të merrte fronin që i takonte si sundimtar i shtetit të Jin.

Pas hipjes në fron, Chong'er vendosi të shpërblejë zyrtarët që i kishin qëndruar pranë dhe e kishin ndihmuar për të ardhur në fronin për afro 20 vjet. Por ai harroi luftëtarin Jie Zitui që kishte sakrifikuar trupin e tij për ti shpëtuar jetën. Ndaj nga kjo sjellje Jie Zitui zemërthyer u largua pa zhurmë nga shteti.

Më vonë Chong'er kujtoi sakrificën e Jie Zitui dhe dërgoi njerëz për ta gjetur. Kur e gjetën tChong'er i kërkoi falje luftëtarit Jie dhe i kërkoi të kthehej në oborrin mbretëror. Por Jie Zitui i tha se dëshironte të jetonte i vetmuar në male dhe u largua. Sundimtari Chong'er për ta detyruar Jie të kthehej në mbretërinë e tij i vuri zjarrin zonës malore ku mendohej se ai fshihej. Për 3 ditë me rradhë zjarret përfshinë gjithë zonën dhe ndërsa kërkonin ushtarët e mbretit e gjetën Jie Zitui mbështetur mbi një pemë të madhe, përqafuar me nënën e tij, të dy të pajetë. Sundimtari Chong er u pikëllua shumë nga kjo ngjarje e rëndë dhe urdhëroi të ndërtohej një tempull në kujtim të njeriut që i kishte shpëtuar jetën dhe ishte treguar aq modest e besnik ndaj tij. Ndërkohë mbreti Chong er urdhëroi që në përvjetorët e vdekjes së Jie Zitui të mos ndizej zjarri dhe që nga ajo kohë këtë ditë hahet ushqim i ftohtë ose siç quhet në kinezisht "Hanshi". Përveç kësaj njerëzit nisën të vizitonin varrin e Jie Zituit në nderim të këtij njeriu kaq të ndershëm dhe vetëmohues.

Kjo traditë vazhdoi deri në kohën e dinastisë Qing rreth 300 vjet më parë dhe se praktika e "Hanshi-së" ose e ngrënies së ushqimit të ftohtë u zëvendësua nga ajo e "Qingming", e cila përkujtohet çdo fillim prilli përmes vizitave në varret e të afërmve dhe pastrimit të tyre.

Në lashtësi këto ceremoni ishin të kushtueshme dhe për këtë qëllim perandori Xuanzong i dinastisë Tang në vitin 732 e.s shpalli si ditë përkujtimore vetëm në ditën e Qingming.

Tradita vazhdon

Qingming, ose dita e repsektit ndaj të vdekurve përmes pastrimit të varreve, vizitave në varreza dhe vendosjes së luleve të freskëta në to u përkujtua në Kinë fundjavën e 4 dhe 5 prillit. Në njerën nga varrezat e mëdha të Pekinit, në distriktin Shijingshan, e njohur si varreza e Babaoshanit, pashë këto ditë njerëz të shumtë vizitojnë varret ku prehen të afërmit e tyre, duke i pastruar varret dhe duke vendosur lule në to. Madje më bëri përshtypje dhe një prej mureve të varrezës ku ishin vendosur letra të shkruara në forma të ndryshme, ku shpreheshin lutje të familjarëve për të afërmit e tyre që nuk jetojnë më.

Qingming dhe pranvera

Qingming nuk është vetëm ditë e kujtesës ndaj të vdekurve por edhe një ditë pikniku pranveror. Me këtë rast njerëzit dalin në natyrë me familjet, drekojnë jashtë dhe marrin pjesë në veprimtari të ndryshme sportive apo kulturore. Kalimi i shumëpritur nga dimri i ftohtë dhe i ndrysët në stinën shumëngjyrëshe të pranverës nuk ka kaluar pa u vënë re nga artistët kinezë të të gjitha kohërave. Han Hong një poet i dinastisë Tang i ka kushtuar shumë poezi Qingmingut. Ndërsa Qingming ka qenë edhe një subjekt i preferuar për pikturë. Zhang Zeduan piktor i njohur gjatë dinastisë Song ka krijuar një nga veprat më të famshme të artit të Kinës: "Qingming Shanghetu" ose "Jeta përgjatë lumit në Qingming".

Kjo vepër ndodhet e ekspozuar tani në Muzeun e Pallatit në Qytetin e Ndaluar në Pekin.

Qingtuan

Qingtuan ose raviolit jeshile kineze janë një specialitet i kuzhinës së juglindjes së Kinës, që konsumohet gjatë ditës së përkujtimit të të vdekurve Qingming. Ndërsa në Shangai këto ravioli në ngjyrë të gjelbër njihen me emrin "qingtuan". Ky ravioli mbështillet me gjethe bambuje e cila i jep një aromë të veçantë dhe i jep ngjyrën jeshile.

Me afrimin e ditës së pastrimit të varreve ose të njohur si Qingming shumë shitës ambulantë shesin këtë specialitet gatimi pranveror, por ai gjithashtu ofrohet dhe në ristorante. Disa nga "qingtuan" gatuhen me receta të ndryshme, ato mund të jenë dhe me shije të ëmbël. (Eda Merepeza)