20150402QINGMING |
Dita "Qingming" bie zakonisht në fillim të dhjetëditëshit të parë të prillit dhe këtë vit është më 5 prill. Në këtë ditë njerëzit shkojnë në periferi për të kujtuar paraardhësit, ose për t'u përkulur para varrezës, ose ekskursione të ndryshme, duke shkëputur degë shelgjesh për t'i vendosur në portë.
Gjatë kësaj dite njerëzit shkojnë në varreza për kujtimin e të afërmeve të larguar nga kjo jetë. Ata pastrojnë varrezën, ndezin temjan dhe dyll, përkulen ose qëndrojnë në heshtje për nderimin e kujtimin e të ndjerëve.
Mendohet se Qingming e ka fillimin nga dinastia Han (206 para erës së re – 220 pas erës së re). Deri në dinastitë Ming dhe Qing (1368 – 1911) shprehia e pastrimit të varrezës arriti kulmin, kishte njerëz që jo vetëm ndiznin letra dhe përkuleshin para varrezës së paraardhësve, por vendosnin në varrezë edhe 10 gatime të ndryshme.
Zakoni i pastrimit të varrezës është një zakon i rëndësishëm i popullit, që është trashëguar deri më sot, por vetëm forma e pastrimit të varrezës është thjeshtësuar shumë. Organzohen gjithashtu edhe aktivitetet e pastrimit kolektiv të varrezave të dëshmorëve, duke vendosur kurora me lule, degë pishe etj. për nderimin e kujtimin e dëshmorëve.
Në lashtësi, në këtë ditë kishte edhe një zakon, ai i shkeljes së fushës së gjelbër dhe i vjeljes së një lloji lakre të egër, që quhet "Jicai". Ky zakon është ruajtur deri më sot.
Gjatë kësaj dite një tjetër zakon është ngritja e balonave, zhvillimi i lojërave të shumta etj.
Po si kalohet kjo festë në Kinë?
"Sapo ka trokitur pranvera dhe njerëzit kanë qëndruar brenda pothuajse gjatë gjithë dimrit. Tre ditët e pushimit janë një mundësi e mirë për ne që shëtisim parqeve. Disa nga kolegët e mi do të organizojnë një tur dhe patjetër që do të shkoj me ta"
Dikush tjetër shprehet:
"Dua të shkoj në shtëpi për t'u takuar me prindërit. Ata jetojnë në një qytet tjetër. Nuk kam patur kohë këtë vit, pasi kam qenë shumë i zënë me punë, por falë këtyre tri ditëve mund të shkoj në shtëpi. Tjetër gjë që do të bëj është shkuarja tek varrezat për të kujtuar gjyshërit e mi."
"Tri ditë janë pak për të shkuar në një udhëtim të largët. Vetëm për vajtjen dhe ardhjen mund të nevojitet një ditë e tërë. Si një punonjëse e zënë me punë, do preferoja që gjatë këtyre ditëve të pushoja në shtëpi. Mendoj se do të ishte zgjedhja më e mirë për mua."
Disa kompani në Kinë organizojnë udhëtime për punonjësit e tyre në zonat periferike të Pekinit e në parqe të veçantë.
Cui Puquan, një specialist i zakoneve popullore na shpjegon historinë e kësaj feste.
"Zakonisht njerëzit shkojnë të pastrojnë varret dhe vendosin ushqim gjatë ceremonisë. Pas kësaj, ushqimi ndahet mes familjarëve, të cilët duhet ta konsumojnë të gjithë ushqimin dhe mos të lënë gjë në pjatë. Në Kinë, besohet se do të kesh fat të mirë nëse e konsumon të gjithë ushqimin, dhe asnjë person jashtë familjes nuk ka të drejtë të hajë me ta. Më pas e gjithë familja del për një shëtitje për të shijuar pranverën."
Qingming është një ditë pikëllimi, pasi është koha kur kujtohen paraardhësit, megjithatë është dhe një ditë gëzimi pasi gjatë kësaj kohe vjen pranvera,
Disa specialistë të tjerë të kulturës shprehen se ka shumë mënyra të ndryshme për të kremtuar këtë ditë.
Sipas ekspertëve, shumë gjëra sot janë harruar. Ata theksojnë se shumë zakone të praktikuara në Kinën e lashtë gjatë festës Qingming janë lënë pas dore nga kinezët e sotëm.
Chen Lianshan, profesor i Universitetit të Pekinit shprehet
"Më parë, aktivitetet ishin më të shumta, si psh; luajtja e lojërave të ndryshme, ngritja e balonave si dhe luajtja e futbollit të lashtë kinez."
Megjithatë, për fat të mirë, mënyra të reja për të kremtuar këtë ditë duket se po shtohen çdo vit.
Një ekspozitë e artistit legjendar të Operës së Pekinit Mei Lanfang në Pekin mbahet në kujtim të arritjeve të tij. Banorët shpresojnë se kjo traditë do të ruhet edhe tek gjeneratat e ardhshme. Mei është konsideruar gjerësisht si një nga performuesit më me influencë të Operës së Pekinit gjatë viteve 1950. Organizatorët shpresojnë gjithashtu se gjithnjë e më shumë kinezë do të rizbulojnë rrënjët e traditës së tyre gjatë Festës Qing Ming (Shkëlqimi i pastër).
Përsa i përket ushqimeve, festa Hanshi (ushqimi i ftohtë) kremtohej një ditë përpara Festës Qingming.
Në çdo festë Qingming të gjitha varrezat janë të mbushura me vizitorë të cilët përkujtojnë paraardhësit e tyre. Kjo gjë ndihet edhe tek trafiku rrugor i cili është i tejmbushur me makina, Zakonet sot janë thjeshtësuar. Pas shkuarjes në varreza, njerëzit djegin temjan.
Megjithatë, kjo ditë bie në një kohë kur dielli shkëlqen, pemët dhe bari janë me ngjyrë të gjjelbër dhe natyra është përsëri e gjallë. Që nga lashtësia njerëzit kanë ndjekur zakonin e shëtitjeve ddhe turistët i sheh ngado.
Ka dhe disa nga ata që argëtohen duke ngritur balona gjatë kësaj dite. Veçantia e këtij aktiviteti qëndron në faktin se njerëzit i ngrenë balonat jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës.
Traditat Qingming në Kaifeng të provincës Henan
Gjatë kësaj dite në provincën Henan organizohen veprimtari të ndryshme. Lojëra me zjarr, ndeshje mes gjelave, polo dhe shfaqje me kukulla.
Këto aktivitete tradicionale, që e kanë origjinën nga Dinastia Song, mund t'i gjejmë të gjitha së bashku në Ditë Qingming në Kaifeng.
Festa nis me një paradë, ku mijëra njerëz veshin rroba tradicionale dhe performojnë në rrugë. Ky aktivitet ishte shumë i spikatur tek perandorët gjatë Ditës Qingming në lashtësi.
Një prej turisteve shprehet:
"Kam 3 vjet rresht që vij këtu për të ndjekur nga afër këtë paradë. Më pëlqen shumë dhe jam e lumtur që ndodhem sot këtu. "
Yang Chengzhi, nga Shoqata Kulturore e Kinës shprehet:
"Performancat popullore e tradicionale gjatë kësaj dite, çdo vit, janë shumë të mira për trashëgiminë tonë kulturore. Kjo përputhet me nevojat dhe dëshirat e banorëve."
Parada përfundon në Kaifengfu, vendi ku simboli kinez i drejtësisë, Bao Zheng, punoi gjatë dinastisë Song.
Cilat janë ushqimet që konsumohen gjatë kësaj dite?
Tuanzi jeshile
Tuanzi jeshil përgatitet nga një lloj ekstrakti i një bime të egër. Tuanzi është një ushqim i ftohtë tradicional kinez që ka pamjen e jiaozi-ve. Gjatë kësaj dite banorët nga Jiangnan kanë si zakon konsumimin e Tuanzi-ve.
Sanzi
Ngrënia e Sanzi gjatë Ditës Qingming është një zakon i përhapur në mbarë Kinën. Sanzi është një tip ushqimi i skuqur. Në lashtësi njerëzit e quanin atë ushqim i ftohtë.
Guaska spirale
Dita Qingming është koha e duhur për të konsumuar guaska spirale, pasi në këtë kohë ka me shumicë.
Gjithashtu, gjatë kësaj dite njerëzit hanë dhe vezë, kekë të ndryshëm etj.
Në disa zona specifike të Guangdong-ut njerëzit konsumojnë dhe disa byrekë të hollë që quhen Juan Bao Bing dhe Po Zi Guo, që kanë karakteristikat e ushqimit dhe kulturës së kësaj zone.