">"Muri i madh", filmi i ri i Zhang Yimou<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
"Muri i madh", filmi i ri i Zhang Yimou
  2015-03-24 11:01:12

Regjizori i famshëm kinez Zhang Yimou po përgatitet për një film të ri fantastiko-shkencor me titullin "Great Wall" (Muri i madh) ku përveç yllit kinez të filmit Andy Lau do të interpretojnë dhe aktorët e njohur hollivudianë Matt Damon dhe Willem Dafoe, njoftoi javën e kaluar China.org.cn.

Në stafin e aktorëve do të përfshihen dhe aktorë të tjerë kinezë si Zhang Hanyu, Zheng Kai and Lin Gengxin, idhulli I të rinjve Lu Han, Cheney Chen, Karry Wang, lideri i grupit pop TFBoys, aktori tajvanez Eddie Yu-yen Peng, Jing Tian, por dhe aktori kiliano-amerikan Pedro Pascal.

Ky film do të jetë i pari me buxhet të madh për regjizorin e njohur Zhang, pas nënshkrimit me partnerin e ri Studion "LeVision Pictures" në vitin 2013. Vitin e kaluar Zhang realizoi një film të duartrokitur, por edhe të kritikuar me të njejtën kompani. Bëhet fjalë për filmin "Coming Home," ku interpretonin yjet e filmit kinez Gong Li dhe Chen Daoming.

Në deklaratën për mediet lidhur me prodhimin e ri filmik të regjizorit me fame botërore drejtori ekzekutiv i Studios LeVision Pictures, Zhang Zhao ka theksuar se kjo studio ka bashkëpunuar me studiot Legendary East, Legendary Pictures për filmin "Great Wall", buxheti i të cilit është 135 milion dollar amerikanë. Ky është filmi i pare i Zhang në gjuhën angleze.

"Ky është filmi me buxhetin më të madh në Kinë." ka deklaruar Zhang Zhao për Hollywood Reporter në nëntor të 2014.

Subjekti i filmit përpiqet të zgjidhë misterin e ndërtimit të Murit të Madh Kinez. Në film tregohet se disa mercenarë europianë duke udhëtuar në Kinën e shekullit të 11-të, për të përvetësuar formulën e barutit takohen me një ushtri misterioze. Kështu zhvillohet lufta kundër monstrave pranë Murit të Madh, me qëllim mbrojtjen e rracës njerëzore nga fatkeqësia. Ideja për këtë film është e drejtorit ekzekutiv të Studios Legendary Thomas Tull, i cili ka dhënë dhe idenë për "World War Z", të shkruar nga Max Brooks.

Studio kinematografike LeVision Pictures dhe China Film Group Corporation do të jenë bashkëdistributorët e filmit në Kinë, ndërsa Universal Pictures do ta shfaqë atë në tregun ndërkombëtar, duke shfaqur kështu partneritetin midis Universal dhe Legendary të nisur vitin e kaluar. Filmi shënon një faze të re në karrierën e regjizorit Zhang Yimou.

I njohur për realizimet e tij kinematografike dhe i mirëpritur në festivale të ndryshme të filmit në mbarë botën Zhang Yimou mori një dimension të ri si artist, kur realizoi me sukses regjinë e Lojrave Olimpike të Pekinit në vitin 2008.

Tashmë që kontratat janë nënshkruar ka nisur puna përgatitore dhe sipas zyrës së shtypit mësohet se premiera e filmit do të shfaqet në 23 nëntor 2016 në SHBA, ndërsa në Kinë publiku vendës do të ketë rast që gjatë vitit të ri kinez 2016, në kinema të ndjekë filmin "Great Wall" .

Përgatitjet për realizimin e filmit "Great Wall" kanë nisur që në janar të këtij viti dhe në këtë projekt janë përfshirë 850 specialistë të fushave të ndryshme, si pjesë e realizimit tekniko-regjizorial të tij. Mësohet gjithashtu nga zyra e shtypit se xhirimet e filmit të ri në repertorin e kinematografisë kineze dhe regjizorit të njohur Zhang Yimou nisin këtë prill në Qingdao. (Eda Merepeza)