20150312Palimsest1 |
Ai është një 32 vjeçar francez që jeton në Pekin prej vitesh dhe që nga viti 2009 ka ruajtur, zhvilluar dhe arkivuar negative fotografish të qytetarëve të ndryshëm nga Kina. Thomas ka iniciuar kështu projektin me titull "Beijing Silvermine".
Në një intervistë për median vendëse ai ka treguar si i lindi ideja për këtë projekt. "Negativët e fotove janë diçka që njerëzit nuk e trajtojnë me seriozitet. Pas realizimit të fotove përmes stampimit ata I hedhin negativët. Thjesht më lindi ideja për arkivimin e negativëve "shprehet ai .
Sauvin i bleu negativët nga një kinez i cili merrej me riciklimin e tyre, madje dhe të negativëve të radiografive. Ata kontaktuan pasi Sauvin kërkoi përmes një mesazhi online të blinte disa kilogramë negative. Ai tregon se zotëria kinez ruante prej 15 vjetësh negative të ndryshëm fotografish, të cilët më pas ja kishte blerë. Francezi Sauvin i shqyrton negativët e fotove dhe përzgjedh ato që i interesojnë. Imagjinoni se sa punë duhet për të përzgjedhur mes mijëra negativësh, foto cilësisht dhe artistikisht të realizuara, ndonëse të kryera nga qytetarë të zakonshëm. Atyre kurrë nuk do tu shkonte ndër mend se pasi kishin realizuar fotot ne raste gëzimesh familjare, si dasma, ditëlindje, shëtitje por edhe foto pa asnjë motiv, dikush do ti mblidhte dhe me to do të hapte një ekspozitë fotografike.
Në një intervistë për China Daily francezi Sauvin ka treguar se tashmë koleksioni i tij i fotove përmban mbi 600 mijë të tilla dhe ai ka ekspozuar vetëm 100 prej tyre.
Ndër fotot e stampuara dhe të ekspozuara nga Sauvin sheh një zonjë kineze në ambjentet e shtëpisë në vitet 80-të por edhe çaste të tjera nga jeta në Kinë. Ai i ka seleksionuar në disa seri fotografitë e ekspozuara, ku përfshihen njerëz të thjeshtë në rutinën e tyre.
Fotot e stampuara nga Sauvin i përkasin negativëve të fotove të realizuara në vitet 1985 -2005. Projekti "Beijing Silvermine" fokusohet në fotografi të realizuara nga qytetarë të thjeshtë kinezë të cilët kanë përdorur aparatë të thjeshtë fotografikë deri në periudhën e reformës së hapjes së Kinës ndaj botës.
Rreth 25-30 % e negativëve shënojnë edhe datën e kryerjes së fotos. Viti 1985 ishte periudha kur në Kinë përdoreshin gjerësisht aparatet fotografike ndërsa në 2005 nisi përdorimi në masë I aparateve dixhitale për fotografi.
Sauvin ka paraqitur një pjesë të fotove të tij në një ekspozitë të hapur në Lianzhou, të provincës Guangdong në vitin 2013 ku u nderua me çmimin " Kurator i shkëlqyer arti". Por ai nuk është ndalur me kaq. Ekspozita me fotografi nga jeta në Kinë e realizuar në mënyrë kaq origjinale nga francezi Thomas Sauvin është hapur edhe në Singapor, Britaninë e Madhe, SHBA, Australi, Zvicër dhe Belgjikë.
Sauvin e ka vazhduar pasurimin e koleksionit të tij edhe me fotografi të tjera, që pasqyrojnë momente nga ceremonitë e dasmave në Kinë, me karakteristikat e veçanta të tyre.
Ai ka thënë se albumi i plotë me fotot e tij nga Kina pritet të publikohet para muajit maj, të këtij viti.
Francezi që ka kaluar 12 vjet në Pekin kur flet për projektin e tij nënvizon se ai është një libër I krijuar nga qytetarë të thjeshtë kinezë. Sipas Thomas Sauvin të huajt janë të prirur të kenë stereotype të mira ose të këqija për Kinën. Disa mendojne se Kina ndryshon shumë nga vendet e tyre. Por këto foto tregojnë të kundërtën. "Kur sodit këto foto nga jeta e kinezëve të thjeshtë mendon se jetët tona, pavarësisht vendit ku kemi lindur apo jemi rritur janë pak a shumë të njejta. Të gjithëve na pëlqen të jetojmë jetën," thotë Sauvin për median kineze.
Mjaftoi një ide e thjeshtë në një ditë të zakonëshme dhe francezi Sauvin ndërtoi një projekt artistik për ekspozitën fotografike e cila përveçse në disa qytete të Kinës, ka shëtitur dhe në vende të ndryshme të botës. Do të shohim në maj ekspozitën e rradhës të Sauvin, një francezi që duke jetuar dhe punuar prej vitesh në Kinë është lidhur ngushtësisht me të dhe me kinezët. (Eda Merepeza, Foto: China Daily)