20150311Saimir_Visha |
Suksesi i reformës shqiptare në drejtësi varet nga vullneti politik. "Asnjë ndryshim nuk mund të ndodhë nëse nuk ka vullnet politik," thotë Saimir Visha, kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penalistë.
"Të gjitha forcat politike, në prag të fushatave zgjedhore flasin për reformë në drejtësi, por deri tani reforma ka mbetur vetëm sa u përket tryezave dhe komunikimeve të forcave politike, por deri në këto momente asgjë nuk është bërë," thekson Visha.
"Neve mendojmë se reforma duhet të fillojë që nga zgjedhja e presidentit të Republikës. Nuk mund të kemi një president republike që zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash."
"Të ndërgjegjësohet politika, që të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen me shumicë të cilësuar. Edhe për këtë pikë ne kemi kërkuar ndryshime në Kushtetutë."
"Të decentralizohet Prokuroria e Përgjithshme. Ne Kemi kërkuar që prokurori i përgjithshëm dhe prokurori i rrethit të jenë prokurorë shteti. Domethënë vendimet e tyre të jenë të pavarura."
"Ne kemi kërkuar dhe ndryshime në përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Të ketë pjesëtarë nga avokatët, nga prokurorët, gjyqtarët dhe jo të ketë shumica absolute nga Konferenca Gjyqësore, pasi ata e kanë të vështirë të marrin masa disiplinore apo vendosin për transferime për gjyqtarë që ata vetë i kanë zgjedhur."