">Rritja e brezit të dytë të të pasurve kinezë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Rritja e brezit të dytë të të pasurve kinezë
  2015-03-02 17:14:08

Pas zbatimit politikës së Reformës dhe të Hapjes ndaj botës së jashtme që nga fundi i viteve 70' të shekullit të kaluar, ekonomia kineze e tregut ka patur zhvillim të vrullshëm, duke krijuar edhe një numër të madh milionerësh. Aktualisht, fëmijët e tyre ose i ashtuquajturi brez i dytë i të pasurve po tërheq një vëmendje të madhe publike.

Vitet e fundit, "Fu'er'dai" ose Rich 2G(Rich Second Generation) nga Kina është një ndër temat më të diskutuara brenda apo jashtë vendit. Në Kanada, Britani apo Australi, nuk mungojnë lajmet për lluksin në të cilin jetojnë studentët kinezë, të cilët shpenzojnë për stoli të shtrenjta apo makina garash. Kurse, fotot për jetën e dorëshpuarve ose fjalët e papërshtatshme që disa nga këta të rinj postojnë në rrjetet sociale kanë ngjallur dhe interesimin e publikut, sipas të cilit brezi i dytë i të pasurve, përveç "parazitizmit" mbi pasuritë e trashëguara, nuk ka asnjë ide për të ardhmen.

Por çfarë ndodh në realitet?

Sipas një sondazhi të publikuar në vitin 2013, numri i të pasurve kinezë i ka kaluar 700 mijë, me më shumë se 81 trilionë juanë(mbi 13 trilionë $) pasuri të investueshme. Shumica e fëmijëve të tyre kanë lindur në fund të viteve 70' ose pas viteve 80' të shekullit të kaluar dhe përbëjnë pjesën dërrmuese të "brezit të dytë të pasur". Është e vërtetë se ka disa që nuk kanë interes apo nuk bëjnë përpjekje për sukses e karrierë, apo ka edhe disa që janë të përkëdhelur. Por studimet zbuluan gjithashtu se edhe shumë prej tyre kanë treguar mundësinë e madhe për arritjen e suksesit sepse në krahasim me moshatarët që kanë lindur në familje normale, Fu'er'dai kanë kushte dhe shanse më të mira materiale për suksesin, duke mos përmendur faktin se prindërit e tyre i kushtojnë vëmendje të madhe edukimit të fëmijëve.

"Të gjithë kinezët e pasur preokupohen për dy gjëra: biznesin dhe edukimin e fëmijëve sepse 80% e tyre dëshirojnë që fëmijët të marrin në dorë menaxhimin e kompanisë në të ardhmen. Prandaj, ata duhet të jenë të parapërgatitur", tha z. Lu Jianhua, zv.drejtor i Qendrës Studimore të Politikave Publike pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës. Sipas tij, pjesa dërrmuese e fëmijëve të kinezëve të pasur kryejnë studimet në universitetet më të mira të botës si Cambrige, Harward, Yale etj., dhe kur kthehen në atdhe japin kontribut në lulëzimin e vazhdueshëm të biznesit familjar.


Xie Jiahui

Sipas "China Rich List 2014" të publikuar nga "Forbes", ndër 100 kinezët më të pasur , 40% e tyre i kanë fëmijët që punojnë si ndihmës të drejtpërdrejtë të biznesit të familjes. Gati 88% e tyre kanë lindur pas fundit të viteve 70' të shekullit të kaluar. Qyteti bregdetar Foshan I provincës Guangdong të Kinës juglindore është i njohur për lulëzimin e ekonomisë private. Këtu ndodhen shumë kompani të mëdha familjare.

Më 27 janar pasdite, Xie Jiahui fluturoi për në qytetin verior Dalian me shërbim. Si ndihmës i presidentit dhe kryemenaxher i blerjeve, ky 34 vjeçar gjatë gjithë vitit udhëton në krahina të ndryshme të vendit. I ati Xie Jianxiong është kryetari i bordit të korporatës "Decro" të Foshan-it me 1 miliardë juanë(161 mln $) shitje vjetore.

Në vitin 2001, Xie Jiahui shkoi në Universitetin kanadez të Torontos për studime. Pas marrjes së gradës së masterit për financë, ai gjeti punë në një bankë vendëse. Por, në vitin 2007, Xie e la punën dhe u kthye në vendlindje.

"U ktheva sepse në Kinë kam platformë më të gjerë për zhvillim. Kur je në Kanada, duhet të bësh përpjekje disa here më të mëdha, sepse pavarësisht nga burimet njerëzore apo gjuha, vendësit kanë më shumë epërsi. Por, nëse familja jote ka një bazë të shëndoshë në atdhe, kthimi do të jetë një zgjedhje e mirë për realizimin e karrierës", tha Xie Jiahui. Megjithatë, ai pohon se nga studimet jashtë vendit, mësoi të shohë problemet nga këndvështrime të shumanshme.

Por, sipas tij, në korporatë ka edhe disa "kandidatë" si ai, që janë fëmijët e aksionerëve kryesorë. "Anëtarët e bordit shpesh na vlerësojnë dhe ndjekin paraqitjen tonë, vetëm ata që janë kompetentë do të kenë shans të ngrihen në një post të lartë. Prindërit janë të kujdesshëm kur marrin vendime për të ardhmen e kompanisë", tha Xie Jiahui.

Por, mikesha e Xie-së, Ou Jieying që ka eksperiencë të ngjanshme me të, ka arsye të ndryshme për kthimin e saj nga ShBA-ja.

Ou Jieyingu u kthye në Kinë në gushtin e vitit 2012. Kur ishte vetëm 13 vjeçe u largua nga atdheu dhe nisi shkollën e mesme në Britani. Ajo është një person që përballon çdo sfidë dhe gjatë qëndrimit 13 vjeçar jashtë vendit, ka bërë gjithçka vetë. Ou fitoi një bursë për vazhdimin e studimeve universitare në ShBA dhe pas diplomimit, punoi në Wall Street si analiste financiare. Por, si fëmija më i madh i familjes, i ati i kërkoi të kthehej sa më parë në Kinë për ta ndihmuar. "Ndjej shpesh përgjegjësi për babanë tim. U ktheva vetëm për të", tha Ou Jieying.

I ati, Ou Yongyuan, nisi biznesin e ngrohësve të ujit në vitin 2000. Tani, fabrika e tij "Weber" prodhon 20 markat më të njohura kineze të kësaj fushe. Kurse e bija, Ou Jieying punon si zv.presidente e kompanisë. Lidhur me emrin "brez i dytë i pasur", ajo preferon të përdorë termin "brez i dytë i biznesit" për të përshkruar jetën e saj dhe të moshatarëve të tjerë të qytetit Foshan. Sipas saj, pas kthimit në vendlindje, ajo ka bërë shumë miq, fëmijët e biznesmenëve të suksesshëm vendës.


Ou Jieying

"Ata janë shumë punëtorë dhe respektojnë përvojat e brezit të vjetër sepse kanë të njëjtën dëshirë dhe ambicje për zhvillimin e vazhdueshëm të biznesit familjar", tha Ou Jieying.

Por, diferenca e konceptit të menaxhimit në fillim krijoi një pengesë midis të atit dhe asaj. "Më pëlqen të komunikoj pandërprerë me punonjësit e mi për të mësuar çfarë duan ata dhe për të realizuar objektivat në punën në grup. Por në të kaluarën, kompania funksiononte vetëm sipas urdhërave të pronarit", tha Ou. Sipas saj, në vendet e huaja, punonjësit pasi futen në kompani punojnë brenda kornizës së administrimit sistematik. Por, në shumë ndërmarrje kineze, sisteme të tilla nuk krijohen dhe menaxhimi mbështetet vetëm mbi përvojat e kaluara. Prandaj, metodat e të atit që patën sukses para 10 vjetësh, tani nuk kanë efektivitet të dukshëm.

Si Xie Jiahui, Ou Jieying është shumë e zënë. Çdo ditë pasi mbaron një drekë të thjeshtë në mensën e kompanisë, rifillon punë prapë në zyrë ose në fabrikë. Në kohën e lirë, ata takohen me miqtë e brezit të dytë të biznesit, duke shëmbyer mendimet dhe duke forcuar lidhjet. Për ta, ndarja e burimeve dhe e informacioneve është edhe një temë e rëndësishme e takimit. Ata flasin për projektin që kanë interes, mësojnë sugjerimet dhe ndonjëherë gjejnë edhe bashkëpunëtorë. Me konceptet e përparuara të menaxhimit dhe ndjeshmërinë e lindur për biznesin, brezi i dytë i të pasurve po vërteton vlerën e tyre. (Foto: Southcn.com)