">Mëndafshi Songjin<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Mëndafshi Songjin
  2015-02-25 16:07:43

Tregtari i mëndafshit Wu Jinhua është gjithmonë i zënë me punën e tij dhe ka raste kur e kalon gjithë ditën pa ngrënë. Kompania e tij "Wujiang Dingsheng Silk" u bë mjaft e njohur gjatë punimeve të APEC-ut në Pekin vitin e kaluar, kur liderët botërorë në një nga ditët e qëndrimit të tyre në Kinë u veshën me kostume tradicionale prej mëndafshi kinez dhe mediat botërore fokusuan këtë event.

Qysh nga kjo ngjarje e shënuar Wu është bërë një ndër personat e rëndësishëm në vendlindjen e tij Shengze. Dy telefonët e tij celularë nuk pushojnë së rëni për asnjë çast, pasi i vijnë shumë porosi për kostume mëndafshi si atë të liderëve të APEC-ut. Një arsye përse Wu dhe biznesi i tij është bërë kaq i famshëm është se kompania e drejtuar prej tij përdor mëndafshin origjinal të Songjin-ut.

Historiku

Ky lloj mëndafshi daton që nga koha e dinastisë kineze Song (960-1279), kohë në të cilën ky lloj tekstili përdorej për veshjet e familjes perandorake apo për tu shkruar në të kaligrafia. Mëndafshi origjinal i Songjin-it ka nisur të përhapet vitet e fundit, duke konkurruar fuqishëm me mëndafshin modern të realizuar me kimikate të ndryshme.

Mëndafshi origjinal dhe prodhimi industrial

Prodhuesit e mëndafshit me përzierje kimikatesh dhe makineri mbushin tregjet dhe realizojnë fitime të mëdha, kurse prodhuesit artizanalë që e punojnë me dorë mëndafshin kanë patur mjaft vështirësi për tu grupuar në punimet e bëra për tu pranuar në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Në vendlindjen e Wu-së Shengze, e cila ndodhet rreth një orë larg Shangait ushtrojnë aktivitetin e tyre prodhues 2500 kompani.Krahas tyre vetëm 10 kompani mund të tregtojnë tekstilin e mëndafshit dhe ndër to vetëm fabrika e Wu-së është në gjendje të prodhojë mëndafshin Songjin.

Lidhja me mëndafshin

Wu është lidhur me prodhimin e mëndafshit që në fëmijërinë e tij. Ai thotë se kur sheh Songjinin e vjetër në muzetë lokalë e kap një ndjenjë trishtimi.Wu nisi të risjellë në jetë tekstilin e lashtë në vitin 2012 pasi fabrika e tij prodhoi një çantë të vogël artizanale prej mëndafshi Songjin, e cila u pëlqye dhe u bë mjaft popullore në dyqanet e prodhimeve artistike. Pasi vërejti këtë interes të madh për mëndafshin e lashtë Wu nisi të organizonte një grup punonjësish për prodhimin e tekstilit të ri.

Me makineri të rënda të importuara nga Europa grupi i artizanëve në fabrikën e Wu-së nisi prodhimin e 100 metrave në ditë të mëndafshit Songjin, krahasuar me 8 centimetra mëndafsh që prodhohej me dorë.

Fabrika e tij nisi punën me mjaft entuziasëm veçanërisht dizenjuesit, ndër të cilët përfshihen dhe artizanë italianë. Marka e tij e prodhimeve të mëndafshit njihet me emrin Saint-Joy e cila prodhon edhe shaje e çanta grash. Krahas prodhimit me makineri të tekstilit të mëndafshit në fabrikën e Wu-së prodhohej edhe mëndafshi artizanal Songjin. Ai punësoi artizanin 63 vjeçar Hu Deyin mjaft i njohur në tekstilin e mëndafshit i cili në një studio brenda fabrikës mbi tavolinën e tij të punës që ngjan me një piano duket sikur po kompozon.

Teknika që përdor artizani Hu është pothuajse e njejtë me atë të përdorur mijëra vjet më parë nga mjeshtrat kinezë të mëndafshit.

Wu ka hapur disa dyqane në Pekin dhe Suzhou ku tregtohen prodhimet e fabrikës së tij të mëndafshit dhe synon të tregtojë edhe jashtë vendit. Me ndihmën e një miku të tij Wu ka hapur një zyrë në Londër për të realizuar marketingun e mëndafshit Songjin në firma të ndryshme europiane. Ëndrra e biznesmenit kinez Wu është të hapë një atelie në Paris, pasi ai dëshiron që europianët të njohin prodhimin e mëndafshit të vërtetë kinez. (Eda Merepeza)

[foto nga www.chinadaily.com.cn]