">Kina në epokën e trenave të shpejtësisë së lartë<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Kina në epokën e trenave të shpejtësisë së lartë
  2015-02-25 16:07:43

Me rastin e vitit të ri kinez këtë vit Wu Rongrong do të përdorë për herë të parë trenin e shpejtësisë së lartë për tu kthyer në vendlindje ku do të festojë bashkë me familjen. 27 vjeçarja Wu si shumë të rinj të tjerë punon në Pekin dhe merret me shitjen e artikujve sportivë, ndërsa familja e saj ndodhet 2 mijë km larg Pekinit, pikërisht në Guilin të Rajoni Autonom të Guangxi Zhuang . Nëse dikur udhëtimi deri në vendlindje për Wu-në zgjaste 28 orë tashmë falë trenit të shpejtësisë së lartë ai do të mbërrijë pranë familjes për rreth 10 orë.

Megjithatë shpejtësia, cilësia e udhëtimit me komoditet paguhet 3 herë më shumë se bileta e trenit të zakonshëm, por kushton sa gjysma e çmimit të një fluturimi. Megjithatë shpejtësia dhe komoditeti janë gjërat më të rëndësishme, kur bën një udhëtim të tillë të gjatë.

Që në 4 shkurt në mbarë Kinën ka nisur lëvizja masive me rastin e Festës së Pranverës, siç njihet ndryshe Viti i ri kinez.

Është parashikuar që 2.8 miliardë udhëtime do të zhvillohen gjatë periudhës 40-ditore kur shumica e kinezëve kthehen në shtëpi për të festuar sëbashku me familjen këtë festë të madhe tradicionale. Disa linja të reja me shpejtësi të lartë hekurudhore me një gjatësi të përgjithshme prej rreth 5 mijë kilometrash ishin vënë në punë në fund të vitit të kaluar, duke zgjeruar hartën e destinacioneve të trenave të shpejtësisë së lartë në provincat e largëta perëndimore dhe rajone të tilla si Xinjiang, Gansu dhe Guizhou.

Njëzet e tetë nga 31 rajonet e Kinës në nivel provincial tani arrihen nga trenat e shpejtësisë së lartë, vetëm gjashtë vjet pasi u krijua linja e parë hekurudhore e shpejtësisë së lartë midis Tianjinit dhe Pekinit me rastin e Lojrave Olimpike të vitit 2008.


[foto nga Tang Mingming/www.ycwb.com]

Kina në epokën e trenave të shpejtësisë së lartë

Tashmë Kina ka hyrë në epokën e hekurudhave me shpejtësi të lartë.Historia 130-vjeçare e sektorit hekurudhor në Kinë ka shënuar një rritje të madhe cilësore.

Linja e parë hekurudhore në Kinë prej 14,5 kilometra e gjatë ishte ajo Wusong në Shanghai, e ndërtuar nga tregtarët britanikë në vitin 1876, por u kundërshtua nga zyrtarët e dinastisë Qing (1644-1911) për shkak të ndikimit të jashtëm pas disa pushtimeve nga forcat perëndimore .

Sot, hekurudhat me shpejtësi të lartë janë bërë një simbol i shquar i rritjes së fuqisë së Kinës.

"Për të qenë një vend i begatë dhe i fortë, Kina duhet të ndërtojë hekurudhat," tha Wang Mengshu, një akademik pranë Akademisë Kineze të Inxhinierisë dhe ekspert hekurudhor.

Sun Yat-sen (1866-1925), një paraardhës i revolucionit antifeudal të Kinës pati hartuar një plan për të ndërtuar rrjetin hekurudhor kombëtar me një gjatësi prej 160 mijë kilometrash . Por si pasojë e luftrave të shekullit të kaluar në 1949 kur u themelua Republika Popullore e Kinës, vendi kishte vetëm 21 800 linja hekurudhore.

Aktualisht Kina ka 110 mijë km linja hekururdhore, ndër të cilat 16 mijë janë linja të trenave të shpejtësisë së lartë. Linjat hekurudhore të Kinës llogariten të jenë të barabarta me gjysmën e linjave të përgjithëshme hekurudhore në mbarë botën.

 

Pas zhvillimit të teknologjisë së lartë në Kinë hekurudhat e shpejtësisë së lartë janë ndër më të përparuarat në botë."Rritja e shpejtësisë së trenave ka afruar qytetet me njeri-tjetrin. Shumë njerëz zgjedhin trenat e shpejtësisë së lartë dhe kjo është e kënaqshme për ne që punojmë në këtë sektor" shprehet Xue Jun një nga makinistët e trenave të linjës së provincës lindore Shandong.

Ndërsa profesori i Universitetit të Pekinit, Zhang Yiwu thotë se trenat e shpejtësisë së lartë janë një nga arritjet më të mëdha të industrializimit të vendit në 30 vitet e fundit kur është zhvilluar reforma e hapjes së Kinës ndaj botës".

Ambicjet globale të Kinës

Trenat e shpejtësisë së lartë duke përmirësuar cilësinë e shërbimit për pasagjerët kanë rritur dhe interesimin e të huajve për këtë nivel të lartë të infrastrukturës hekurudhore. Teknologjia e përdorur në trenat e shpejtësisë së lartë është një teknologji lider në këtë sektor. Vitin e kaluar me këto trena të shpejtësisë së lartë kanë udhëtuar mbi 800 milionë kinezë. Kohët e fundit Kina ka nisur bashkëpunimin dhe shkëmbimet në sektorin hekurudhor me shumë vende të botës pikërisht për trenat e shpejtësisë së lartë. Këto marrëveshje përfshijnë disa vende dhe rajone të botës dhe pjesë e tyre pritet të bëhet dhe Shqipëria.

Ndërkohë përhapja e trenave të shpejtësisë së lartë brenda Kinës po bëhet me ritme të shpejta. Një linjë e re e trenave të shpejtësisë së lartë pritet të nisë këtë vit nga Pekini deri në qytetin Zhangjiakou të provincës Hebeiku aktualisht udhëtimi me tren të zakonshëm zgjat mbi 3 orë dhe pas nisjes së trenit të shpejtësisë së lartë do të shkurtohet me 50 minuta. Me ofertën e Pekinit dhe Zhangjiakout për Lojërat Olimpike Dimërore 2022 pritet që mundësitë e shtimit të linjave hekurudhore të trenave të shpejtësisë së lartë të jenë të mëdha.

(Eda Merepeza)