20150212ushqimkinez |
Në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë aventurierët anglezë mbërritën në bregdetin e Kinës Jugore. Midis tyre ishte Peter Mundy, i cili shkoi në Makao (Aomen) në vitin 1637 dhe mbajti një ditar të ilustruar të gjërave që pa atje.
Ashtu si udhëtarët e mëparshëm, Mundy theksoi tiparet ekzotike të ushqimit kinez. Në një treg ai pa një gjarpër "rreth një metër e gjysmë të gjatë", mishi i të cilit mendohej se ishte i mirë. Ai hasi "njëfarë pijeje të quajtur chaa, e cila është vetëm ujë me një lloj barishteje të zier në të", e cila duhej pirë e ngrohtë dhe që mendohej se bënte mirë për shëndetin. Në një tempull disa murgj i ofruan atij të hante mish pule dhe derri të prerë në copa të vogla dhe i dhanë shkopinj, "por ne nuk dinim se si të përdornim, prandaj përdorëm gishtat".
Shkopinjtë e ngrënies i bënë aq shumë përshtypje Mundy-t, saqë ai bëri një përshkrim të zgjeruar të përdorimit të tyre duke e shoqëruar me një skicë.
Në vitin 1583 Matteo Ricci i "Shoqërisë së Jezusit" shkoi në Makao dhe që nga ajo kohë perëndimorët nisën të zotërojnë gjuhën kineze dhe të kenë më shumë njohuri për ushqimin kinez. Ndoshta përshkrimi më i gjallë nga perëndimorët i Kinës dhe i ushqimit kinez është bërë në shekullin e shtatëmbëdhjetë nga Domingo Navarrete, një murg dominikan.
Navarrete jetoi në Kinë nga 1658 deri në 1669. Ashtu si perëndimorët e tjerë të cilët kishin vizituar Kinën, ai portretizoi këtë vend si një vend të begatë.
"Këtu ka me shumicë mish viçi e derri gjatë gjithë vitit, mish deleje e dhie, pula, gjela, pata, fazanë, rosa të buta dhe të egra, pëllumba, turtuj, zogj të vegjël, dhe të gjithë janë shumë të mira. Nuk mungon mishi i kalit, mishi i qenit shihet si i shijshëm, dhe në të gjithë Kinën ka peshk të freskët të mjaftueshëm në lumenjtë dhe pellgjet. Ka sasi të pafund vezësh pulash dhe patash, dhe këto të fundit kinezët i pëlqejnë shumë... Në disa vende ka qumësht dhe pak djathë, proshutë të shkëlqyer, ullinj, ngjala, trofta, goca deti … Ka shumëllojshmëri bizelesh, fasulesh, ... shumë fruta të shijshme, oriz, grurë...
Kur udhëtonte nëpër Fujian në vitin 1659, ai pa një kinez duke ngrënë oriz të zier të ftohtë. "Mbusha një grusht të mirë prej atij orizi dhe e hëngra pa lënë një kokërr, dhe m'u duk se kurrë nuk kisha ngrënë gjë më të shijshme në të gjithë jetën time."
Në disa raste Navarrete vërejti se sa shumë e shijonin kinezët ushqimin dhe shkroi për ushqimet e mira që mund të gjendeshin në Kinë. Kur ishte në Zhejiang, atë e vizitoi papritur një zyrtar i qytetit, një burrë mbi 70 vjeç, i cili i tha se çdo mëngjes hante "30 vezë dhe pinte dy kupa verë të nxehtë". Navarrete komentoi se cilësia e verës së oriz e Jinhua-së ishte jo më e keqe se vera e Evropës, ndërsa proshuta po aq e mirë sa ajo nga Estremadura dhe Galicia. Rosat, qoftë të egra ose të buta, ishin të pjekura mjaft mirë, por të kripura dhe të thata ishin më të mirë edhe se proshuta.
Misionarët jezuitë dërguan në Europë raporte për shumë aspekte të jetës kineze, përfshirë edhe zakonet lidhur me ushqimin. Pjesë të zgjedhura nga korrespondenca e tyre u botuan ndërmjet viteve 1702 dhe 1773. Këto letra ishin burimi kryesor për librin me ndikim më të madh lidhur me Kinën në shekullin XVIII, i Jean-Baptiste du Halde, botuar në frëngjishte në vitin 1736 me titullin "Description géographique" (Përshkrime gjeografike), dhe i botuar dy vjet më vonë edhe në gjuhën angleze.
Përshkrimi i ushqimit kinez nga Du Halde theksonte elementet ekzotike. Ai vuri në dukje se, nga mishi i kafshëve, mishi i derrit ishte ai që u pëlqente më shumë kinezëve, "veçanërisht të pasurve". Nuk ka gjë më delikate se një proshutë kineze, sipas Du Halde-s. Lloje të tjera mishi që haheshin nga kinezët përfshinin "mishin e pelave të egra, putrat e arinjve dhe këmbët e krijesave të ndryshme të egra". Këto ishin "ushqime të shijshme të përshtatshme për tryezat e zotërinjve të mëdhenj". Njerëzit e zakonshëm, megjithatë, "janë shumë të kënaqur me mishin e kuajve dhe të qenve.
Lidhur me peshkun, Du Halde vëren se nuk kishte thuajse asnjë lloj peshku që gjendet në Evropë që të mos e gjeje edhe në Kinë, madje kishte edhe mjaft lloje peshqish të panjohur në Europë, me një shije të shkëlqyer. Mes tyre Du Halde veçon "peshkun-mburojë", të quajtur kështu për shkak se luspat e tij ishin të renditura si tjegullat në çati, duke krijuar njëfarë mburoje, ndërsa shija e tij ishte si e mishit të viçit. Në lumen Jance jetonte "whang-yu", peshku i verdhë, siç quhet blini i Jancesë, me një trup gjigant dhe me një shije shumë të mirë.
Jean-Baptiste du Halde shkruan në librin e vet se frutat në Kinë nuk mund të krahasohen me ato të Europës, sepse kinezët nuk janë shumë të dalluar në kultivimin e pemëve. Megjithatë, ai vëren se pjeshkët në Kinë ishin po aq të mira sa ato të Evropës, madje një lloj pjeshke edhe më të mirë se pjeshkët në Europë, e po ashtu sipas tij kinezët kishin disa lloje të shkëlqyera portokallesh.
Në një kapitull të librit të tij "Përshkrime gjeografike" me titull "Ceremonitë kineze", Du Halde përshkruan disa produkteve ushqimore kineze, duke përfshirë edhe atë që ndoshta ishte salcë soje, duke thënë se kinezët kishin disa lloje barishtesh, si dhe bishtajore, nga fara e të cilave bënin një vaj që përdorej shumë nëpër salca. Ai pastaj vëren: "Kuzhinierët francezë, të cilët e kanë përsosur aq shumë çdo gjë që ka të bëjë me qiellzën, do të befasoheshin aq shumë po të mësonin se kinezët mund t'ua kalonin shumë në këtë drejtim të punës së tyre, dhe për një kosto shumë më të lirë. Do të ishte e vështirë që t'i bindje të besonin se, me asgjë tjetër, përveçse me bishtajat që rriten në vendin e tyre, veçanërisht ato të provincës së Shandong-ut, dhe me oriz e misër, mund të përgatisin një numër shumë të madh gjellësh mjaft të ndryshme nga njëra-tjetra, si nga pamja, ashtu edhe nga shija."