">Prezantuesit e sivjetëm të Chunwan, spektaklit të vitit të ri kinez<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Prezantuesit e sivjetëm të Chunwan, spektaklit të vitit të ri kinez
  2015-02-12 17:05:04

Televizioni kombëtar i Kinës njoftoi se në spektaklin festiv të vitit të ri këtë shkurt do të ketë një numër dy herë më të madh prezantuesisht se vitet e kaluara. Ky program në gjuhën kineze njihet si "chunwan". Ndër 8 prezantuesit e programit përfshihet dhe 32 vjeçari nga Rajoni autonom i Xinjiang Ujgurit, Nigmat Rehman, pjesmarrës për herë të parë në këtë event të jetës televizive në Kinë. I njohur nga fansat si Little Ni, Nigmati ka një fillim premtues në ekranin e CCTV-së ,pasi fitoi konkursin për showman në vitin 2006, duke u bërë një drejtues i njohur quizesh televizive në kanalin popullor "Happy Dictionary". Paraqitja e tij djaloshare dhe moderne si dhe shkathtësia në ekran e kanë bërë tepër të veçantë këtë të ri ujguras i cili tashmë drejton spektakle të ndryshme në ekranin më të madh televiziv të Kinës, si "Sing My Song" dhe versionin kinez të programit televiziv irlandez "Super star Ding Dong".

Sapo mësoi lajmin se do të ishte njeri nga drejtuesit e spektaklit të vitit të ri (Chunwan), Nigmati shkroi në mikroblogun e tij "Do të bëj të pamundurën për tju pëlqyer teleshikuesve".

Historiku i spektaklit të madh televiziv në CCTV

Koncerti i sivjetëm i vitit të ri i transmetuar live në CCTV do të transmetohet dhe me satelit në mbrëmjen e 18 shkurtit që është Vigjilja e Vitit të ri hënor. Në koncertin që do të zgjasë 4 orë teleshikuesit do të ndjekin performanca të shumta artistike si këngë, valle, pjesë cirku e plot shfaqje të tjera të artistëve më të njohur të vendit.

Chunwan- i parë u transmetua në CCTV në vitin 1983 dhe që nga ajo kohë është bërë një traditë e vitit të ri kinez. Pas një transmetimi 32 vjeçar Koncerti festiv i vitit të ri në CCTV mbetet spektakli më jetëgjatë dhe me shikueshmërinë më të lartë në historinë botërore të televizionit. Sipas të dhënave të CSC Media Research shikueshmëria e koncertit të vitit të ri në 14 vitet e fundit është 30% e audiencës, ndërsa në vitin 2014 mbi 700 milion teleshikues e ndoqën live këtë spektakël,ndërsa 100 milionë të tjerë e ndoqën online.

Për shkak të formës së tij tradicionale Chunwan-koncerti i vitit të ri është kritikuar në disa raste si mjaft serioz, arsye për të cilën ka humbur audiencën e të rinjve. Lidhur me këtë Zheng Weidong, zëvendës menaxheri i CSM Media Research thotë se profili i audiencës së koncertit televiziv të vitit të ri ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2001. Ndërsa koncerti i vitit 2014 pati shikues të moshës nga 15-34 vjeç në nivelin 28% të audiences së përgjithëshme të tij.

Në dekadën e fundit stafi i CCTV-së i ka kushtuar vëmendje të veçantë tërheqjes së të rinjve në spektaklin e fundvitit, duke nxjerrë në skenën e tij yje të muzikës, pjesmarrës në reality show-t televizivë që kanë fituar simpatinë e publikut të gjerë.

Të rejat e Chunwan-it të sivjetëm

Në edicionin e sivjetëm të Chunwan do të interpretojë për të tretin vit rradhazi këngëtari pop Zhang Liangying, përkrah idhullit Li Yuchun. Surpriza të spektaklit do të jenë Lu Han dhe Wu Yifan, të dy ish anëtarë të grupit muzikor koreanojugor me një popullaritet të madh, veçanërisht pas viteve 90-të.

"Çdo vit në spektaklin e vitit të ri kemi pare artistë të rinj, kemi dëgjuar zëra këngëtarësh të rinj të talentuar të cilët kanë kënaqur teleshikuesit e rinj në moshë" shprehet drejtuesi artistic për muzikën dhe kërcimin në programin e sivjetëm Wang Gongguan.

Përveç artistëve të njohur kinezë në koncertin e vitit të ri shpesh janë ftuar dhe artistë të huaj si aktori dhe këngëtari koreanojugor Lee Min-ho, një ikonë e muzikës pop në vitin e kaluar. Yje të kinemasë botërore si Celine Dion dhe Sophie Marceau kanë qenë gjithashtu të pranishëm në skenën e koncertit të madh të vitit të ri kinez në ekranin e CCTV. Interesimi ndërkombëtar për koncertin e vitit të ri kinez ka bërë që CCTV të licensohet për transmetimin e Chunwan në kanalet e huaja televizive falas, ka deklaruar zëvendësdrejtori I qendrës së programacionit të CCTV, Zhao Wenjiang.

Në programin e koncertit të vitit të ri kinez përfshihen dhe programet e viteve të kaluara, të cilat do të përkthehen në gjuhën engleze, hindi, portugeze dhe në gjuhë të tjera për tu transmetuar në 24 kanale televizive në 16 vende të botës.

Spektakli i vitit të ri do të transmetohet dhe në platformën e mediave sociale si You tube, google plus dhe Twitter, duke përfshirë një listë prej 230 vendesh dhe rajonesh, ka bërë të ditur asistenti i presidentit të CCTV-së, Ma Runsheng. Sipas tij qëllimi i transmetimit të koncertit të vitit të ri kinez në vende të ndryshme të botës është njohja e publikut të huaj me kulturën kineze. Ndërsa David Moser, njohës i kulturës kineze dhe tashmë drejtues emisionesh në kanalin në gjuhën angleze të CCTV-së thotë se Chunwan shërben si një dritare ku të huajt mund të njohin më mire shoqërinë kineze. (Eda Merepeza)