">"I duartrokitur në CCTV"<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
"I duartrokitur në CCTV"
  2015-02-09 16:49:58

Ky është titulli ilibrit të promovuar ditët e fundit të janarit nga Edwin Maher moderatori prej 10 vjetësh i televizionit kombëtar të Kinës, CCTV. Një perëndimor që prej 10 vjetësh jeton dhe punon në Kinë sigurisht që ka shumë për të treguar rreth eksperiencës së tij në këtë vend të madh. Maher punon si moderator në televizionin shtetëror të Kinës prej një dekade dhe përvoja e tij jetësore dhe profesionale e përmbledhur në një libër flet për vëzhgimet e tij në industrinë e medias por edhe në zhvillimin e vrullshëm të Kinës së këtij dhjetëvjeçari. Titulli i librit "I duartrokitur në CCTV" duket si lojë fjalësh. Në shumicën e vendeve anglishtfolëse CCTV është një televizion ku marrin informacionet nga Kina, por për kinezët CCTV është televizioni më i madh në vend me miliona shikues.

Me origjinë nga Zelanda e Re, Maher është i pari jo aziatik që drejton edicionin e lajmeve në kanalin në gjuhën angleze të CCTV-së, që ka nisur punën e tij në vitin 2000. Gjatë qëndrimit të tij në Kinë Maher është nderuar me "Çmimin e Miqësisë", që është çmimi më i madh i akorduar çdo vit nga qeveria kineze ekspertëve të huaj, për kontributin e dhënë në zhvillimin e vendit.

Kur kujton fillimet e punës së tij në CCTV, Maher tregon se ndjehej në ankth kur hyri në studio, ndonëse kishte një eksperiencë të pasur pune si reporter televiziv dhe moderator për motin në Korporatën Australiane të Televizionit, para se të vinte në Kinë. Maher ka transmetuar nga studio evenimente të rëndësishme të aktualitetit në Kinë si Lojrat Olimpike të Pekinit në vitin 2008, Veprimtarinë ekonomike botërore "Shanghai World Expo", apo tërmetin e rëndë të provincës Sichuan në 2008 e deri në tragjedinë e zhdukjes së avionit të kompanisë "Malaysia Airlines" MH370 vitin e kaluar.

Në librin e tij të sapopromovuar në Pekin në fund të janarit, Maher përshkruan momente nga puna dhjetëvjeçare në ekranin e CCTV-së, zhvillimin e këtij televizioni të madh nga pikpamja editoriale dhe teknologjike, punën me stafin dhe audiencën. Një nga historitë e gazetarit Maher në libër është ajo për dëshirën e tij për të marrë pjesë në paradën ushtarake të vitit 2009, kur Republika Popullore festoi 60 vjetorin e saj. Por ai mësoi se të ishte i pranishëm në Tiananmen Square, nuk praktikohej në atë kohë. Para se të vendoste ta ndiqte paradën në televizor, Maher i telefonoi Bashkisë së Pekinit për ti shpjeguar dëshirën e tij. Pas dy ditësh i telefonuan nga zyra e marrëdhënieve me jashtë dhe i njoftuan se bashkë me disa të huaj të tjerë mund të ishte i pranishëm gjatë paradës ushtarake. Rrëfimin e ngjarjes Maher e përshkruan në librin e tij me fjalët "Kjo është Kina, ku gjithçka mund dhe shpesh ndodh".

Maher vendosi të vinte për të punuar në Kinë në prill të vitit 2003 kur ai po kalonte një periudhë të vështirë të jetës së tij. Pas vdekjes së të shoqes nga një tumor në tru në vitin 2000 ai hoqi dorë nga puna në televizionin ABC. Një ditë ndërsa po ndiqte CRI në gjuhën angleze me valë të shkurtëra atij i lindi mendimi për tu dërguar një email, me kërkesë për një vend pune. Pasi i njoftonte për përvojën e tij të pasur në radio dhe televizion Maher mori një përgjigje pozitive për një vend pune në CRI. Kështu nisi lidhja e këtij gazetari neozelandez me Kinën me punën fillimisht në CRI dhe pas një viti në CCTV. Ndonëse 70 vjeçar Maher është mjaft energjik dhe lidhur me moshën thotë se është vetëm një numër. (Eda Merepeza)