">Zbulimi i ushqimit kinez nga perëndimorët I<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Zbulimi i ushqimit kinez nga perëndimorët I
  2015-02-05 11:39:49

Aventurat e Marko Polos, sidomos udhëtimet mbështetur në përvojën e tij në Kinë mes viteve 1275 dhe 1292, ishin një dëshmi e parë për ushqimin kinez dhe zakonet e të ngrënit. Ai vuri re rëndësinë e orizit e të melit në dietën e kinezëve.

Përshkrimi që i bën Marko Polo Hangzhou-t përmbante një katalog të pasurisë dhe larmisë së mahnitshme të ushqimeve në tregje, si kafshët e shpendët e egra dhe shumë lloje perimesh e frutash, duke përfshirë edhe dardha të mëdha "që peshonin rreth 5 kilogramë secila, të bardha si brumë nga brenda dhe shumë aromatike". Ai shprehet po ashtu për sasi të mëdha peshku në shitje, si peshk oqeani, ashtu edhe liqeni. Për këta të fundit ai komentoi, me sa duket pa ironi:

"Falë mbeturinave nga qyteti, këta peshq janë të majmë dhe të shijshëm ".

Marko Polo vuri re po ashtu disa ushqime e mënyra të pazakonta të ngrëni për një perëndimor. Kështu, në Kunming banorët hanin mish të gjallë me salcë hudhre, si edhe gjarpërinj dhe zvarranikë të mëdhenj (me gjasë krokodila). Ndërkohë, duke folur për pijet kineze, ai shkruan se banorët e Cathay-it në Kinën e Veriut, "bëjnë një pije me oriz dhe një larmi erëzash të shkëlqyera, të përgatitur në mënyrë të tillë që është më e mirë për t'u pirë se çdo verë tjetër". Ndonjëherë Polo flet për bankete ekstravagante, por nuk i përshkruan kinezët në tryezë dhe as përmend përdorimin e shkopinjve të ngrënies prej tyre. Ai vëren se kinezët parapëlqenin të argëtoheshin në restorant e jo në shtëpi. Në një ishull të Liqenit Perëndimor të Hangzhou kishte një ndërtesë madhështore si një pallat perandorak, e cila përdorej për dasma dhe festa.

Restoranti kishte të gjitha takëmet e nevojshme dhe mund të priste 100 klientë njëherësh.

Odoriku i Pordenones, një murg franceskan i cili kaloi tre vjet në Kinë në vitet '20 të shekullit të 13-të, gjithashtu vuri në dukje se kinezët hanin gjarpërinj, dhe shton: "Këta gjarpërinj [kanë një erë mjaft të mirë dhe] të me to bëhet një pjatë aq e pëlqyer, saqë nëse dikush do të shtronte një darkë dhe nuk do të kishte një nga këta gjarpërinj në tryezën e tij, ai do të mendohej se nuk kishte shtruar asgjë". Odoriku përsërit vëzhgimin e Marko Polos, duke u shprehur se, dikush që dëshiron të argëtojë miqtë e vet, mund t'i thotë pronarit të restorantit: "Më bëj një darkë për kaq e aq miq dhe unë propozoj që të shpenzoj këtë dhe atë shumë për të."

Perandoria mongole u shemb në shekullin e katërmbëdhjetë dhe rruga tokësore nga Evropa për në Kinë u bë e pakalueshme. Duhej hapja e rrugës detare në shekullin e gjashtëmbëdhjetë që perëndimorët përsëri të shkonin në Kinë, për të sjellë përshkrime të freskëta lidhur me ushqimin kinez. Në vitin 1549 aventurieri portugez Galeote Pereira, i cili kishte vizituar më parë Indinë, u kap në brigjet e Kinës Jugore dhe u dërgua në Quanzhou të Fuzhou-t dhe prej andej në Guilin, nga ku arriti të shpëtojë. Në rrëfimin e tij, i cili u botua në italishte në 1565 dhe në anglishte në 1577, ai thotë se, ndërsa në Indi njerëzit nuk hanë mish pule, lope ose derri, kinezët "janë ngrënësit më të mëdhenj në të gjithë botën dhe ushqehen me të gjitha gjërat, sidomos me mish derri". Kinezët "e hanë ushqimin me dy shkopinj, dhe nuk e prekin mishin me duar, ashtu siç bëjmë ne me pirunat".

Gaspar da Cruz, një frat dominikan, jetoi disa muaj në Kinë në vitin 1556, duke vizituar Guangzhou-n dhe duke udhëtuar përgjatë bregdetit jugor. Ai provoi një liçi dhe tha: "Askush nuk mund të ketë të ngopur me të, sepse gjithmonë të lë me dëshirën për të ngrënë më shumë. Ai pati përshtypje të thella nga numri i vendeve për të ngrënë në Guangzhou dhe pastërtia e ushqimit që ato ofronin.

Në vitin 1575 Martin de Rada, misionar augustinian dhe anëtar i një delegacioni diplomatik spanjoll, kaloi disa muaj në provincën Fujian. Ai ka shkruar: "'Buka kryesore' e kinezëve është orizi dhe ata madje bënin me të një verë e cila ishte 'e krahasueshme me verën nga rrushi dhe madje mund ta ngatërroje me të". Ata nuk e preknin ushqimin me gishta, por përdornin "dy shkopinj të gjatë të vegjël", dhe ishin "aq ekspertë në këtë, saqë mund të merrnin çdo gjë me to, sado e vogël, dhe ta futnin në gojë, edhe nëse ajo ishte e rrumbullakët, si kumbulla dhe fruta të tjera të tilla". Ai tregon se në fillim të vaktit kinezët hanin mish pa bukë, ndërsa në fund tre ose katër tasa me oriz.

Martin de Rada i krahasoi zakonet e të ushqyerit të kinezëve me ato të evropianëve. Ai vuri në dukje se kinezët nuk e hanin shumë mishin: sipas tij, ushqimi i tyre përbëhej kryesisht nga peshku, vezët, perimet, supërat dhe frutat. Shumë prej këtyre produkteve ishin të ngjashme me ato në Europë, por shumë të tjera të ndryshme. Ai veçon një shpend me mish të zi në Fujian, që sipas tij ishte më e shijshme se pula europiane, diçka që përpara tij e kishte thënë Marko Polo.

Martin de Rada përmend një shumëllojshmëri frutash dhe perimesh në Kinë. Ai përshkruan gjithashtu pirjen e çajit, edhe pse nuk e përmend çajim me emër. Martin de Rada shkruan se, kur vizitoi një familje, një shërbëtor erdhi me gota me ujë të nxehtë. Uji ishte zier me barishte disi të hidhura, shprehet ai, duke shtuar se me kalimin e kohës u mësuan me të dhe nisën ta pëlqenin, sepse ishte gjëja e parë që shërbehej në çdo vizitë.

Kjo nuk ishte përmendja e parë nga perëndimorët e çajit. Rreth vitit 1550 Haxhi Mahomed i tha Giovanni Battista Ramusio-s, redaktori dhe biografi i Marko Polos, nga kinezët i vlonin në ujë ato barishte të thara ose të freskëta. Sipas tij, një ose dy gota të pira me stomakun bosh hiqnin temperaturën dhe dhembjen e kokës, të barkut dhe në anësi ose kyçe, dhe se duhej pirë sa më e nxehtë të ishte e mundur.... (vijon)