">Metrotë artistike të Kinës<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Metrotë artistike të Kinës
  2015-02-02 16:05:33

Bibliotekë dixhitale në metronë e Pekinit

Në qytetet e ndryshme të Kinës gjen kudo biblioteka, disa janë të thjeshta por ka dhe mjaft moderne, me shkallë lëvizëse, salla leximi, bare apo restorante. Ju kemi folur për këto biblioteka shpesh pasi shërbejnë për nxitjen e leximit, të lidhjes së lexuesit me librin në erën dixhitale.

Por në Kinë, në fund të janarit u përurua biblioteka e parë në metronë e Pekinit. Gjatë udhëtimit me trenat e metrosë, që mund të zgjasë edhe 1 apo 2 orë pasagjerët skanojnë kodin QR në vagonin ku ndodhen për të lexuar falas librat e preferuar online.

Metrotë e stiluara të Kinës

Udhëtimi me metro në shumicën e rasteve është i lodhshëm jo vetëm fizikisht por të krijon stres për shkak të numrit të madh të pasagjerëve, kohës së gjatë që kalon në to etj.

Ndaj drejtuesit e metrosë shpesh krijojnë mënyra si kjo e leximit online falas në metro për tu lehtësuar sadopak pasagjerëve lodhjen e orëve të gjata në tren.

Por metrotë e Kinës janë tepër të veçanta edhe për paraqitjen estetike të tyre. Në shumicën e stacioneve të metrove kineze udhëtari zbulon karakteristikat e zonës apo të qytetit ku ndodhet.

Metroja e Pekinit

Po ju prezantojnë disa stacione karakteristike të metrove kineze, që shpesh duken si muze apo galeri arti. Në linjën 8 të metrosë së Pekinit ndodhet stacioni Beitucheng, i cili ndodhet pranë mureve të qytetit të lashtë Dadu të dinastisë Yuan. Të frymëzuar nga kombinimi bardhë e blu i porcelanit kinez në këtë stacion udhëtari dallon menjëherë veshjen e mureve të stacionit me ornamente porcelani. Llampat e ndryshme krijojnë një atmosferë të veçantë që tërheq vëmendjen e çdo vizitori.

Ndërsa po të zhvendosemi në linjën 7 të metrosë së kryeqytetit kinez do të shohim dizenjimin sipas kulturës së jugut të Pekinit.

Pjesa lindore e linjës 14 të metrosë pekinase ka një pamje më moderne. Stacioni Wangjing është dizenjuar sipas kubit të Rubikut, që simbolizon ndryshimet e qytetit të madh dhe njëherësh sjell kënaqësi te pasagjerët.

Sado i lodhur të jesh nga puna e ditës kur hyn në këtë stacion metroje për tu kthyer në shtëpi nuk ka si të mos të të transmetojë një ndjenjë të bukur estetikisht. Ky është dhe qëllimi i dizenjuesve.

Tuneli i Shangait

Nëse vizitojmë metronë e Shangait menjëherë do të na bjerë në sy tuneli në stacionin Bund i dizenjuar si tuneli i udhëtimit në kohë.



Mjaft sugjestionues ky tunel i bën një përshtypje të madhe të gjithë atyre që udhëtojnë në këtë metro.

Nankini dhe metroja tradicionale

Edhe metroja e Nankinit është mjaft e veçantë në dizenjimet e saj. Në stacione të ndryshme të saj çdo vizitor dallon subjekte të festave tradicionale kineze. Në stacionin Yuantong pasqyrohet festa kineze e fenerëve, ndërsa në stacionin Liqeni Mochou udhëtarët soditin sujekte të Festës së Varkës së Dragoit.

Stacioni Shoubeiyuan po në Nankin njihet me emrin "Stacioni i dashurisë", pasi dizenjimet e tij lidhen me Shën Valentinin kinez. Pikturat për dashurinë gjenden në muret e brendëshme të metrosë dhe askush nuk mund të kalojë indiferent pranë tyre.

Në stacionin Sanshanjie pranë Tempullit të Konfucit shihen dekorime me temën e Vitit të ri kinez, të ilustruara me pamje te tempullit.

Metroja shumëngjyrëshe e Hangzhout

Edhe qyteti i Hangzhout në provincën lindore Zhejiang ka stilin e vet të veçantë të dizenjimit. Në muret e brendëshme të stacionit Wulin Square mbizotëron ngjyra e gjelbër, portokalli, e kuqe dhe e verdhë, të cilat tregojnë lulet e diellit në pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër. Para disa vitesh ky stacion njihej me emrin Stacioni i Diellit të Kuq.



17 stacione në linjën 2 të metrosë së qytetit Xi an në provincën verilindore Shaanxi paraqesin dizenjime të përshtatura sipas stilit të dinastisë Tang.

Pavarësisht lodhjes së ditës, fluksit të pasagjerëve udhëtimi me këto metro kaq interesante ndikon në gjendjen psikologjike të udhëtarëve. Por në mënyrë të veçantë fëmijët si udhëtarët më të vegjël, që rruga e gjatë me trenat e metrosë i lodh dhe i përgjum, hutohen dhe e kalojmë me kënaqësi udhëtimin me metrotë kineze. (Eda Merepeza)

[foto nga Beijing News]