">Të lodhurit nga puna, një dukuri e re sociale<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Të lodhurit nga puna, një dukuri e re sociale
  2015-01-26 11:29:12

Sindromi "Burnout" (i rraskapitur nga puna)

Sindromi "Burnout", i cili i referohet lodhjes psikologjike si pasojë e stresit të punës, është një koncept relativisht i ri në Kinë.

Hugh Wu është protagonisti i temës së sotme në Hot pot. Ai redakton video pasi ky është profesioni i tij. Por oraret e zgjatura në punë e lodhin atë jashtë mase. Natën e vitit të ri ai duhet ta kishte lënë punën në 6 pasdite, por kompania mediatike me seli në Shangai ku është i punësuar e konsideron rutinë qëndrimin jashtë orarit të punës.

"Për disa muaj, ndjehesha mendërisht i lodhur dhe i pamotivuar në punën time", thotë Wu. Isha "burnout", i rraskapitur nga puna.

I përdorur gjerësisht në Perëndim, sindromi "Burnout", i përkthyer si " ranjin zonghezheng" ( i djegur fare), është një term relativisht i ri në Kinë.

Ky term u përdor fillimisht nga psikologu amerikan Herbert Freudenberger në vitet 70-të të shekullit të kaluar. Sindromi "Burnout" i referohet lodhjes kronike psikologjike, përgjithësisht si rezultat i stresit në punë, kur puna e bërë nuk e justifikon lodhjen dhe ambicjet e personit.


[foto nga Li Hao/GT]

Simptomat e "Burnout"

Simptomat e këtij sindromi të botuara në një artikull të Freudenbergerit në revistën "Scientific American Mind" në vitin 2006, përfshijnë rritjen e agresivitetit, lënien mënjanë të nevojave jetësore bazë si të ngrënit apo të fjeturit, largimi nga familjarët dhe miqtë, mungesa e angazhimit dhe në fund humbja e vetëvlerësimit, motivimit dhe shpresës. Një studim i kohëve të fundit në "Journal of Stress Management" sugjeron konsiderimin e këtij sindromi si një lloj depresioni.

Ky sindrom ka filluar të tërheqë vëmendjen e opinionit publik në Kinë pas botimit të një shkrimi me titull "20 sindroma shoqërore paemër " në maj të vitit të kaluar në revistën mjaft popullore kineze "New Weekly ".

Rasti konkret

Wu tregon se ndjehej shumë i lodhur nga puna e përditëshme, e cila nuk i jepte as kënaqësi. Ai e kishte nisur punën në këtë kompani në mars të vitit të kaluar, pasi ishte kthyer nga SHBA-ja ku kishte studjuar 3 vjet artin e fotografisë. Kishte menduar se punësimi në një kompani të madhe mediatike kineze si fotograf do të ishte realizimi i ëndrrës së tij.

Në korrik, me kërkesën e tij Wu u transferua në departamentin e prodhimit të videove, ku u emërua editor videosh. Por ai mbeti i zhgënjyer pasi pretendonte të dilte nga zyra dhe të merrej me filmime videosh. Edhe në rastet kur punonte si fotograf, Wu e kalonte kohën më të madhe duke edituar video. Sipas tij çdo

kënaqësi e krijimtarisë artistike u prish nga kërkesat e përditëshme të punës pa asnjë lloj kreativiteti. Lidhur me sjelljen e tij Wu shprehet se ai shpesh here ka një qëndrim cinik ndaj shefit të tij. Madje në disa raste kur shefi I ka kërkuar të ribëjë një video, Wu ka dale nga zyra në shenjë proteste.

Sindromi "Burnout" në Kinë

Termi "burnout" mbetet relativisht i ri në qarqet mjekësore kineze, pasi ka pak informacion për përhapjen e sindromës në vend. Megjithatë, Peng Guoqiu, psikolog pranë Spitalit të përgjithshëm ushtarak të Pekinit vlerëson bazuar në përvojën e tij se rreth 10 % e punonjësve të Kinës kanë lodhje kronike nga mbipuna. Sipas tij persona të prekur me këtë sindromë më së shumti gjenden në metropole si Pekin, Shangai ku konkurrenca në punë është mjaft e ashpër.

Sipas tij kur nëpunësit përballen me pengesat në ngjitjen e tyre në karrierë, kur nuk promovohen, janë të pakënaqur përgjithësisht me punën e tyre, ose të paguar jo kënaqshëm për punën që bëjnë, ata ndjehen tepër të lodhur nga kjo gjendje. Simptomat e sindromit "Burnout" përfshijnë pakësimin e aftësisë në punë dhe uljen e konkurencës në vendin e punës.

Psikologu Peng shton se në sindromën "Burnout" ndikon shumë dhe presioni shoqëror i jetës moderne në Kinë, siç është rendja për të fituar sa më shumë të ardhura, distancat e gjata të metropoleve kineze, shqetësimi ndaj ndotjes së ajrit etj. (Eda Merepeza)