">Ndikimet e sindromës "Burnout" në jetën sociale<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Ndikimet e sindromës "Burnout" në jetën sociale
  2015-01-26 10:28:20

Ndikimet e sindromës "Burnout" në jetën sociale

Psikologu amerikan Freudenberger në artikujt e tij shpjegon se një nga ndikimet kryesore të sindromës "Burnout" është ai jashtë vendit të punës, pra në jetën sociale të individit që e përjeton këtë gjendje.

Nëse i referohemi jetës së kinezes Hou Jiajing ajo tregon se sa të vështirë e ka patur përshtatjen me ambjetin e punës në studion filmike, pasi ishte bërë nënë. Ajo flinte pak orë gjatë natës, kishte dhimbje shpatullash dhe ishte mjaft e stresuar kur u kthye në punë pas lejes së lindjes. Një çast tepër i vështirë i 31 vjeçares kineze ishte sëmundja e djalit të saj, të diagnostikuar me një çist në kokë. Ajo tregon se ndërsa i qëndronte pranë të birit në spital, kur kthehej në punë apo shtëpi kishte humbur tërësisht interesimin ndaj gjërave të përditëshme. Hou tregon se ndjehej fizikisht dhe mendërisht e marrë fund, dhe gjatë punës ajo nuk arrinte as të përqëndrohej. Kishte ndërprerë të gjitha kontaktet dhe takimet me miqtë e saj. Një nga prirjet e personave të prekur nga sindroma e "Burnout"-it është izolimi nga jeta shoqërore.


[foto nga  Li Hao/GT]

Ajo kujtonte me mall kohën kur bashkë me të shoqin të paktën një here në javë takoheshin diku me miqtë e tyre të afërt.

Hou ndjehej si një robot gjatë kohës që i biri kurohej në spital, pasi përveç qëndrimit pranë tij, pjesën tjetër të kohës e kalonte duke punuar në zyrë dhe duke kryer detyrimet familjare në shtëpi.

Diagnoza dhe përcaktimi i saj

Një nga vështirësitë e psikologëve sot është mospërcaktimi dhe klasifikimi i kësaj sindrome në diagnostikim. "Burnout" nuk njihet si çrregullin në Manualin Statistikor të diagnostikimit të çrregullimeve mendore (DSM), që është teksti referencial standard për shëndetin mendor të punonjësve në SHBA.

Një studim i kryer nga Renzi Bianchi, Irvin Sam Schonfeld dhe Eric Laurent i botuar në 2014 në "International Journal of Stress Management" tregon se 90% e punonjësve me sindromën "Burnout", janë të diagnostikuar dhe me depreison.

Suleika Jaouad, një kolumniste e "New York Times" që ka dokumentuar betejën e saj me sëmundjen e leucemisë në një seri blogjesh me titull "Jeta e ndërprerë", shkruan se ajo ishte diagnostikuar gabimisht me "burnout syndrome," para se të diagnostikohej saktë me leucemi.

Disa ekspertë janë të mendimit se vështirësia për përcaktimin e kësaj sindrome si një çrregullim psikologjik lidhet me faktin se nuk është thjeshtë një mosfunksionim mendor, por edhe institucional.

Në një artikull me titull "Becoming a Character for Commerce," Sarah J. Tracey, profesore e Universitetit të Arizonës shkruan se: "Të kuptosh sindromën e "burnout"-it nga pikpamja personale dhe private është problematike, pasi kemi të bëjmë me një problem organizativ institucional. Sindroma lidhet ngushtë me çeshtje organizative të profesionit siç janë oraret e zgjatura të punës, koha e pakët e pushimit, zakonet e reja të stilit të jetës etj."

Të luftosh sindromën burnout

Ji Yuan, menaxhues i kohës tregon se një numër në rritje klientësh ankohen për punë të lodhshme dhe "burnout".

Bazuar në përvojën e tij, ai ja atribuon simptomat e kësaj sindrome organizimit të struktures profesionale dhe presionit të jetës moderne te individi. Madje ai i lidh këto simptoma me faktin e thjeshtë se gjithnjë e më pak punonjës mund të pushojnë më shumë se dy ditë pas një pune rraskapitëse.

Ji thotë se gjithnjë e më shumë po vështirësohet gjetja e kohës për punë, kohës për ngrënie dhe kohës për pushim, pasi këto tashmë janë çrregulluar duke përfituar koha për punë më shumë terren në përditshmëri. Këto terma tradicionale të jetës së përditëshme sa vijnë dhe e humbasin kuptimin e tyre, pasi shumë individë konsumojnë ushqime të shpejta, gjatë kohës që punojnë.

Një nga strategjitë për të luftuar rraskapitjen në punë dhe miradministrimin e kohës së punës është bërja e një liste veprimesh të përditëshme. Njerëzit mund të bëjnë një listë ditore prioritetesh, duke llogaritur kohën edhe për pushim, ushqim dhe jetë shoqërore. Madje sipas Jin njerëzit e rrezikuar nga kjo sindromë duhet të mbajnë një ditar të përditshëm për të reflektuar rreth stilit të tyre të jetesës dhe për të mos u bërë viktimë e burnout-it

6 mënyra për të fituar energji në 2015

1. Kontrollo stresin! Edhe nëse do të keni shumë punë çdo ditë është me rëndësi të mendoni dhe të njihni prioritetet e zhvillimit tuaj personal..

2. Vendos një model jetese! Ndaji qëllimet nga punët e vogla që mund ti realizosh ditë pas dite.

3. Vlerëso aftësitë dhe detyrat parësore në punë. Kjo ndihmon në përqëndrimin tuaj dhe realizimin e detyrave që të interesojnë më shumë.

4. Kryej gjatë ditës ushtrime sistematike fizike.

5. Tregohu i vemendshëm ndaj shëndetit ! Shmang duhanpirjen, kufizo alkoolin, konsumo sa më shumë ujë dhe përdor kafeinë sipas kushteve shëndetësore, përdor sa më pak kripë dhe sheqer gjatë ushqimit.

6. Dil sa më shumë me miqtë, pasi kjo ndihmon në përballimin me sukses të ditëve të ngarkuara me punë.

(Eda Merepeza)