20150112Hotpot2 |
Një moderatore në karrike me rrota
Liang Yi u lind në qytetin Loudi të provincës kineze Hunan. Pas përfundimit të studimeve për Shkenca Komunimimi pranë Universitetit të Kinës në 2001 Liang u bë e njohur si moderatore në kanalin televiziv të Hunanit. Në shtator të të njejtit vit ndërsa po vishej për të nisur punën në studion televizive Liang ndjeu një dhimbje të forte në shpinë dhe ra në tokë pa ndjenja. Mjekët e diagnostikuan me një sëmundje të enëve të gjakut, si pasojë e së cilës moderatorja e re u paralizua nga qafa e poshtë. 22 vjeçare në atë kohë mësoi lajmin e hidhur se gjithë jetën e saj do ta kalonte si një paraplegjike.
Foto: cswb.changsha.cn
Nisi për Liang një periudhë e errët dhe konfuze për të ardhmen. Ajo shihte se si moshatarët e saj çdo ditë ndërtonin karrierën në fusha të ndryshme të jetës. Ishte shumë e vështirë për këtë vajzë të re me një karrierë televizive të saponisur të mendonte të vazhdonte profesionin dhe tërë jetën në kushtet e reja, pas sëmundjes. Ndonëse në karrike me rrota ajo vendosi të mos dorëzohej.
Liang e përballon me shumë vështirësi jetën e përditëshme, pasi ajo ka nevojë për ndihmë kur vishet, kur ha, ku bën banjë. Pas 8 vjet trajtimi mjekësor në Pekin nga 2004 deri në 2012, gjendja e Liang Yi u përmirësua ndjeshëm, ndonëse në kushtet e një paraplegjikeje. Ajo u rikthye në studio si drejtuese e programit televiziv "Më ndihmoni!"që nisi të transmetohej nga Televizioni Hunan në vitin 2012. Në të njejtën kohë Liang mori diplomën master për arte pranë Universitetit të Kinës në 2011.
Në një intervistë për median vendëse Liang thotë se ka marrë shume letra dhe mesazhe nga njerëz që u kanë ndodhur fatkeqësi në jetë, në marrëdhëniet e punës, në shkollë, apo me shëndetin. Liang u këshillon atyre të ndjekin ëndrrën, pavarësisht pengesave që u dalin në rrugën e jetës.
Të shpëtosh jetë
Han Bing, punon si taksist në Pekin. Ai ka një grup të rrallë gjaku i njohur si rezus negativ dhe si dhurues gjaku i ka shpëtuar 9 herë jetën një vajze të vogël.
I lindur në 1977, Han Bing ka atë grup gjaku që në Kinë njihet si "grup gjaku panda", meqë është i rrallë ashtu si arinjtë panda. Han e zbuloi se gjaku i tij kishte rezus negativ kur kryente shërbimin ushtarak. Si njeri me grup të rrallë gjaku ai u bë një dhurues dhe gjatë 4 viteve të ushtrisë dhuroi 6 herë gjak. Ai është anëtar i Qendrës së vullnetarëve të dhurimit të gjakut në Pekin, pjesë e Kryqit të Kuq që nga viti 2001 dhe ka dhuruar rreth 5,000 ml gjak.
Foto: beijing.china.org.cn
Në 2013, Han dhuroi gjak për një vogëlushe me emrin Xue Lian nga provinca lindore Jiangsu e Kinës. Xue, gjithashtu ka grup gjaku rezus negativ ose siç njihet në Kinë, "grup gjaku panda" dhe vuan nga leuçemia. Pas seancave të kemioterapisë në nëntor të vitit të kaluar, jeta e vogëlushes së sëmurë u rrezikua shumë. Familjarët e Xue u shqetësuan pasi në spital u thanë se nuk kishin rezerva të grupit të saj të rrallë të gjakut. Me ndihmën e organizatave humanitare, familja e vogëlushes kontaktoi me dhuruesin Han. Sapo mësoi lajmin për gjendjen e rënduar shëndetësore të vajzës së vogël taksisti Han menjëherë ofroi ndihmën e tij.
Pas dhurimit të gjakut të nevojshëm për kurimin e vajzës nga Han, ai shpëtoi jetën e saj. Madje Han ka premtuar se do të vazhdojë të dhurojë gjak për vajzën e vogël për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Në dhjetor të vitit të kaluar Xue pati nevojë për transfuzion gjaku dhe menjëherë dhuruesi Han u paraqit në qendrën e dhurimit të gjakut. Një natë, ndërsa punonte në turnin e tretë me taksi në Pekin i jati i vogëlushes Xue i telefonoi Hanit duke i kërkuar ndihmë për gjak, pasi e bija ishte sërish në rrezik.
Han ndërpreu punën dhe u nis me shpejtësi në qendrën e dhurimit të gjakut, duke i dhënë vogëlushes së sëmurë një mundësi tjetër për të jetuar. Janarin e kaluar Han mësoi se familja e vogëlushes Xue do të festonte Vitin e Ri kinez në kryeqytet, ndaj me këtë rast i ftoi që së bashku me të dhe të birin të vizitonin Panairin e Pekinit. Han kujton se djali i tij i vogël duke pare se vajza e vogël ishte shumë e lidhur me të atin u bë disi xheloz.
Xue Lian ka kryer një transplant të palcës së kurrizit. Mjekët presin përmirësimin e shëndetit të saj dhe ajo nuk do të ketë më nevojë për transfuzion gjaku, pra as për dhurimin e gjakut nga Hani. Por ai ka mbetur mik me vogëlushen Xue dhe familjen e saj. (Eda Merepeza)