20150112kinasot |
Qysh nga viti 2008 ka nisur në Kinë një veprimtari kushtuar personave që me sjelljen e tyre bëhen shembull për mbarë shoqërinë. Nisi në Kinë që nga viti 2008 një aktivitet për gjetjen e personave shembullorë me virtyte morale. Me financim nga buxheti i shtetit dhe publicitet të gjerë nga mass media, miliona qytetarë të thjeshtë propozuan kandidatë dhe morën pjesë në votimin në internet. Çdo vit, ata që fitojnë më shumë vota, dekorohen me titullin "Qytetari kinez i vitit".
Ashtu si shqiptarët edhe kinezët i kushtojnë shumë rëndësi familjes. Anëtarët e familjes janë mbështetësit më të fortë në jetën apo punën e një kinezi. Këtë herë, do të njihemi me tre shembuj që opinioni i gjerë publik kinez i zgjodhi sivjet.
Udhëtim turistik me nënën në karrocë
63 vjeçarja Shie Shuhua është mësuese e dalë në pension para tre vjetësh. Për të plotësuar dëshirën e së ëmës 91 vjeçare për të vizituar qendrat më të njohura turistike të Kinës ajo e ka shëtitur me karrocë duke bërë një udhëtim të gjatë prej mbi 10mijë kilometrash.
Kur u pyet nga gazetari se përse nuk e shëtiti nënën me mjete të tjera transporti, por me karrocë, Shie Shuhua u përgjigj se nënën e saj e zë makina dhe nuk duron dot udhëtimet e gjata. " Një ditë, nëna pëshpëriti pa dashje se tërë jetën e kaloi duke bërë punë shtëpiake dhe nuk pati mundësi të vizitonte qytete të tjera të vendit, tregon zonja Shie. E prekur nga fjalët e nënës ajo nisi të mendonte se si të realizonte këtë dëshirë të saj. Në prillin e vitit 2013 kishte njohur rastësisht z. Wang Rui, i cili e kishte shëtitur nënën e tij me karrocë në vitin 2011 duke kryer një turne turistik në mbarë vendin. Ideja e tij e nxiti dhe zonja Shie vendosi të provojë këtë eksperiencë.
Por, z.Wang Rui ishte një mesoburrë dhe e kishte kryer udhëtimin me ndihmën e të vëllait , kurse Shuhua është një grua e vetme mbi të 60-at. Megjithatë, Shie nisi udhëtimin nga Shangai për në Pekin. Vetëm me një atlas, ajo tërhoqi karrocën me nënën, ku kishte vendosur dhe një jorgan, mjete gatimi, vegla riparuese dhe ushqime. Kur mbërritën në pika turistike si Kulla e Perlës Orientale në Shangai, Liqeni Xuanwu në Nankin, Tempull Shaolin në provincën He'nan etj., Shie Shuhua ndaloi karrocën dhe e ndihmoi nënën të zbriste dhe të shijonte këto vende të bukura turistike. Pas një udhëtimi 43 ditësh, që zgjati mbi 3500 kilometra, Shie mbërriti më në fund në Pekin. Kur pa nënën e lumtur teksa sodiste sheshin Tian'anmen, Shuhua qeshi krenare.
Duke folur për momentin më të vështirë gjatë rrugës, Shie Shuhua tha:"Kur ishim shumë afër Pekinit, nëna ime, pasi mësoi se nga ecja e gjatë këmbët e mia ishin bërë me flluska, refuzoi të hante dhe donte të ndërprisnim udhëtimin. Por, unë i thashë se ajo kishte sakrifikuar jetën dhe rininë për rritjen e 5 fëmijëve, ndaj kishte ardhur koha t'i shpërblehej kjo ".
Një familje e veçantë
Han Huilin, është një fshatare 55 vjeçare nga distrikti Xiyang i qytetit Jinzhong të provincës Shanxi të Kinës Veriore. Që nga viti 1975, pas ndarjes nga jeta të dy vëllezërve të saj dhe bashkëshorteve të tyre, ajo morri përsipër përgjegjësinë e rritjes së 5 fëmijëve të tyre jetimë. Tani, tre nga ta janë bërë mësues, njëri do të diplomohet në universitet, kurse më i vogli ndjek vitin e dytë të gjimnazit. Në sytë e tyre, halla Han Huilin është një nënë e vërtetë.
Han Huilini ka lindur në një familje të madhe me 5 vëllezër dhe 1 motër më të madhe. Në të kaluarën, një familje aq e madhe nuk ishte e rrallë, por tani njerëzit shpesh habiten kur shohin se Hani vetë ka edhe 6 fëmijë në shtëpi për të rritur.
Duke folur për këtë familje të veçantë, fqinji Han Sanhuo e vlerësoi atë si të " pabesueshme": "Për të rritur fëmijët jetimë të vëllezërve, ajo u martua shumë vonë dhe refuzoi të lindë fëmijën e dytë".
Një ditë në vitin 1976, kur Han Huilin ishte vetëm 15 vjeçe dhe shkonte në shkollë së bashku me nipin 10 vjeç vuri re se dy mbesat e vogla po i ndiqnin. Han u ndal dhe i pyeti përse i ndiqnin, pasi ata duhet të shkonin në shkollë. Madje e inatosur ajo i urdhëroi të ktheheshin në shtëpi. Mbesa e vogël 2 vjeçare i tha se i kishte marrë shumë malli për nënën e vdekur. Ndaj donin të qëndronin pranë saj se u dukej si nënë. Gruaja e vëllait të madh të Han-it u largua nga jeta duke lërë 3 fëmijë të mitur. Për shkak se vëllai i saj punonte shumë larg, Hani shpesh kujdesej për fëmijët e tij jetimë. Por ajo nuk e kishte menduar kurrë se ata e konsideronin si nënën e tyre të dytë.
Pas asaj dite, Hani pranoi që mbesat ta shoqëronin në shkollë. Kur ajo hynte në klasë, mbesat e vogla e pritnin deri sa mbaronte mësimi dhe ktheheshin së bashku në shtëpi.
Pas përfundimit të gjimnazit, Hani mësoi nga i ati mjekësi tradicionale kineze duke ndihmuar në shpenzimet e familjes. Por, pas tre vjetësh, nëna e saj ndërruoi jetë dhe Hani duhet të merrej me rritjen e 3 fëmijëve.
6 vjet kaluan pa u ndjerë. Vëllai i madh i Hanit u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje,ndërkohë që shkuesit trokisnin në familjen e Hanit për ti propozuar kandidatë për martesë. Mirëpo, kur mësonin se kjo vajzë e re dhe e bukur ngulte këmbë për rritjen e 3 adoleshentëve, ata tërhiqeshin. Në vitin 1985, ajo u njoh me z. Zhao Zhanyuan, një burrë punëtor që e admiroi Hanin për guximin dhe dashurinë për fëmijët. Ata u martuan me urimet e të gjithë fshatit dhe pas katër vjetësh, Hani lindi një vajzë. Por, kur dikush i thoshte të bënte dhe një fëmijë tjetër ajo kundërshtonte e vendosur.
Me kalimin e kohës, fëmijët e vëllait të madh u diplomuan njëri pas tjetrit gjetën punë dhe u martuan. Por, askush nuk mund ta mendonte se vëllai i saj i vogël me të shoqen do të ndërronin jetë brenda 8 vjetësh, dhe dy fëmijët e tyre do të mbeteshin jetimë në vitin 2007. Hani mori nipin dhe mbesën në shtëpi dhe filloi të kujdesej për ta me ndihmën e të shoqit.
Tani, 5 fëmijët jetimë kanë një jetë të re dhe të lumtur. Lidhur me sakrificën e Han Huilin-it, nipi i madh Han Huabin u shpreh i mallëngjyer:"Jam bërë vetë baba dhe tani mund ta kuptoj më mirë sa vështirësi ka kapërcyer halla për të na rritur. Ajo është një grua e përkushtuar dhe një nënë e mrekullueshme ".
Jam sytë e tu
72 vjeçari Zhang Yongwu është një i moshuar si gjithë të tjerët por diçka e dallon prej tyre : ai është kujdesur për 46 vjet rradhazi për vëllanë e verbër ,duke i treguar çdo çast gjithçka shikonte me sytë e tij.
Vëllai i Zhang-ut humbi aftësinë e shikimit në moshën 4 vjeçare. Në vogëli, Zhang Yongwu ndjehej i turpëruar kur fëmijët e tjerë e ngacmonin vëllanë e tij të verbër. Por ndryshimi ndodhi një natë.
I ati i tyre ndërroi jetë kur Zhangu nisi shkollën fillore. Asokohe, gjendja ekonomike e familjes u përkeqësua prandaj kur Zhangu mbaroi shollën fillore, gjyshi i tij e detyroi të linte shkollën dhe të punonte. Kur të tjerët e pranuan në heshtje këtë vendim vetëm vëllai i Zhangut kundërshtoi ashpër: "Yongwu është i zgjuar dhe mëson shumë mirë. Nëse ai nuk vazhdon dot shkollën unë do të jap gjak për të paguar shkollën e tij ". Nga këto fjalë gjyshi i djemve u prek dhe e lejoi Zhangun të vazhdonte shkollën .
Pas diplomimit universitar Zhangu u bë inxhinier i uzinës së naftës. Pasi bleu një apartament Zhangu mori dhe vëllanë të jetonte me të dhe për 46 vjet u kujdes për të me shumë dashuri. Vëllait të verbër të Zhangut i pëlqen shumë peshku. Sa herë në shtëpi gatuhet peshk, Yongwu pastron halat dhe ja bën gati ushqimin të vëllait. Çdo ditë ai i lexon vëllait që nuk shikon gazeta dhe libra. Por edhe vëllai i verbër kur mëson se Yongwu ka dhimbje shpine i bën masazh kur ai kthehet nga puna.
Yongwu u dekorua me titullin "Qytetar i shkëlqyer i vitit", por vëllai i tij u nda nga jeta para ceremonisë së dhënies së çmimeve dhe nuk arriti të përjetonte këtë gëzim. Duke mbajtur në dorë radion e vogël të të vëllait të ndjerë, Zhangu shpesh derdh lot pasi e ndjen shumë mungesën e tij.