">Premtimi është premtim<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Premtimi është premtim
  2015-01-05 11:21:50

Nisi në Kinë që nga viti 2008 një aktivitet për gjetjen e personave shembullorë me virtyte morale. Me financim nga buxheti i shtetit dhe publicitet të gjerë nga mass media, miliona qytetarë të thjeshtë propozuan kandidatë dhe morën pjesë në votimin në internet. Çdo vit, ata që fitojnë më shumë vota, dekorohen me titullin "Qytetari kinez i vitit". Le të njohim së bashku dy prej tyre, që kanë treguar me vepra se kanë mbajtur premtimet e bëra.

Një fshatare 62 vjeçare që shleu borxhet e bashkëshortit të ndjerë


Jiang Enlan

Në vitin 2004, 57 vjeçari Zhang Gaoping, ndërroi jetë nga një sëmundje, duke lënë një borxh të pashlyer prej 1.15 milionë juanësh (185 mijë $) , si pasojë e falimentimit të fabrikës, që kishte në pronësi. Në vitet e mëvonshme, gruaja e tij, Jiang En'lan, nuk u ndal asnjë çast së punuari për të shlyer borxhin. Pas një kursimi deri në qindarkën e fundit për një periudhë 10 vjeçare ajo arriti tu kthente huadhënësve gati 900 mijë juanë(145 mijë $).

Në tetorin e sivjetshëm, kur gazetarët takuan 62 vjeçaren Jiang Enlan në shtëpinë e saj, ajo sapo ishte kthyer nga tregu,ku kishte mbledhur perime dhe zarzavate të hedhura nga shitësit. Për të kursyer sa më shumë, ajo e ka ulur në minimum koston e jetesës.

Në vitin 1976, Jiang-u u martua me Zhang Gaoping-un në fshatin Zhang'jia'tun të qytetit Zhucheng të provincës Shandong të Kinës Lindore. Duke nisur nga shitja me pakicë në rrugë, ata hapën një restorant të vogël. Në fillim të viteve 80' të shekullit të kaluar, fabrikat ishin në shtim e sipër pavarësisht investimeve private apo publike.

Por, në të njëjtën kohë, restoranti ishte shumë rrallë në fshat. Ai që u hap nga çifti Zhang pati një sukses të jashtëzakonshëm nëpërmjet ofrimit të shërbimit për punëtorët e fabrikave.

Me punën e tyre ata krijuan një fond fillestar dhe në vitin 1998 ndërtuan një fabrikë për prodhimin e elementeve kimike. Por, askush nuk parashikoi se kjo familje do të përfshihej nga kriza.

Jiang Enlan ishte analfabete kurse i shoqi një fshatar i thjeshtë. Ata mund të fitonin nga restoranti, por nuk ishin në gjendje të menaxhonin një fabrikë.

"Morëm hua nga të njohurit dhe banka për blerjen e lëndëve të para. Por ua dhamë shitësve me formë pagese pas shitjes së mallit. Kështu që, xhiro-ja shpesh nuk mjaftonte për të shlyer borxhet në kohë, gjë që na detyroi të merrnim edhe më shumë hua", i tha Jiang-u gazetarit. Nga stresi i madh bashkëshorti i zonjës u sëmur rëndë dhe pas tre vjetësh ndërroi jetë, duke lënë pas borxhe të shumta.

"Huanë që kemi marrë, pavarësisht se burri im vdiq, e kemi borxh të familjes", tha Jiangu. Për të shlyer borxhet, ajo bëri çmos të kursente, duke ngrënë ushqimin e mbetur nga klientët, mblodhi dru në pyll për tu ngrohur dhe punoi si kuzhiniere dhe kameriere në të njëjtën kohë.

Sa herë që fitonte para ajo i ruante për shlyerjen e borxhit. Një vit, pasi i ktheu huadhënësve 200 juanë(32$) që kishte në dorë, ajo e kaloi vitin e ri vetëm me pesë byrekë të vegjël. Gjatë 10 vjetëve të fundit ajo nuk ka blerë asnjë veshje të re, por është veshur me ato që i kanë dhënë të tjerët.

Në shtëpinë e Jiang-ut, ka vetëm disa karrige dhe një tryezë të vjetër. Gjëja që çmon më shumë është një tufë dëftesash që huadhënësit kanë nënshkruar për borxhet e shlyera. Ajo nuk di të shkruajë, por ka metoda të posaçme për mbajtur mend shifrat. "Për shembull, kur dua të mbaj shënim se i kam kthyer familjes Wang 200 juanë, vizatoj 2 rrathë mbi faqen e kësaj familjeje në fletoren time. Ua kthej paratë në radhë të parë të moshuarve, pastaj të rinjve", thotë Jiangu krenare.

Në fund të çdo viti, kur Jiang Enlan pastron varrin e burrit, ajo gjithmonë u vë flakën letrave të huadhënësve për vërtetimin e mbarimit të shlyrjes së borxheve. "Dua që ai, në botën tjetër, të lehtësohet pasi të shohë këto letra", tha 62 vjeçarja.

Babai premtimmbajtës


Wang Yueshen

Më 21 maj të vitit 2014, banorët e lagjes Daozhan të qytezës së Zhuge të provinces Hë'nan të Kinës Qendrore u habitën kur panë dhjetëra njoftime të ngjitura në muret e godinave. Mbi to, shkruhej: "Para 20 vjetësh, për shkak të falimentimit të fabrikës së tim biri ju kemi borxh për drithërat që na dërguat për bluarje. Drithërat janë korrje që fitohen me djersë dhe shumë punë. Si babai i tij, më vjen shumë turp. Tani, kam grumbulluar mjaft para për ti shlyer. Ju lutem të vini në shtëpinë time për ti marrë. ---- Wang Yueshen".

Në vitin 1993, Wang Huiwu, biri i Wang Yueshen-it ndërtoi një fabrikë të prodhimit të miellit në qytezën Zhuge. Shumë fshatarë dërguan grurë dhe morën miell ose para nga shitja e grurit të bluar. Mirëpo, fabrika falimentoi pas funksionimit njëvjeçar dhe u kishte borxh të pashlyer më shumë se 150 fshatarëve. Ndërkohë, Wang Huiwu, i prekur nga stresi ra në depresion dhe humbi aftësinë e punës.

Pas kësaj, babai i tij Wang Yueshen mori vendim të shlyejë borxhet në vend të të birit. Kjo është e lehtë për tu thënë, por e vështirë për tu bërë. Për të kursyer, babai kryente disa punë në të njejtën kohë dhe kursente shumë për ushqimin. Gjatë ditës Wang Yuesheni punonte në kantier kurse natën punonte si roje në fabrikën e gëlqeres. Kudo ku kishte punë ai nxitonte. Por, ai kishte dhe mjaft shpenzime të tjera si për prindërit e tij të sëmurë, të shoqen dhe dy mbesat e vogla për të rritur...

20 vjet kaluan pa u ndjerë, dhe Wang Yuesheni u bë 72 vjeç, por jetonte me premtimin e shlyrjes së borxheve të të birit. Deri në tetorin e sivjetshëm, ai mblodhi më në fund fond të mjaftueshëm për shlyerjen e borcheve ndaj ngjiti njoftime në muret e lagjes së tij.

Fqinjët u prekën shumë kur mësuan për sakrificën e z. Wang.

Wang Baoseni, që kishte rezervuar 100 kilogramë grurë në fabrikën e të birit të Wang Yueshen-it refuzoi të marrë paratë. Edhe shumë të tjerë vepruan kështu por Wangu nguli këmbë që tu kthente lekët.

"Gjatë rrugës drejt shtëpisë, me paratë e kthyera në duar, më vjen të qaj", tha znj. Ma Lingxin e mallëngjyer.

"Ai është një burrë i mirë,ndaj pas falimentimit të fabrikës së të birit, nuk mund ta qortojmë. Por u befasuam që pas 20 vjetësh, ai e mbajti premtimin", tha z. Zhang Lipeng, njëri nga huadhënësit e z. Wang.

Eksperienca jetësore e z. Wang, pas njoftimit mediatik, tërhoqi vëmendje të madhe të opinionit publik. Qeverisja lokale e nderoi atë me titullin "Banor i shkëlqyer". Një spital vendor bëri një kontroll falas të shëndetit për çiftin e moshuar. Shumë spektatorë televizivë i morën në telefon mediat për ta kontaktuar. Disa shprehën dëshirën ti financojnë, disa duan ta punësojnë me rrogë të mirë dhe disa dëshirojnë të njihen personalisht me të.

Por, për veprimtarinë e vet, Wang Yuesheni tha: "Pas shlyrjes së të gjitha borxheve, edhe pse kam vetëm 200 juanë xhep, që nga sot, mund të fle gjumë i qetë".