">Mësuesje e fshatit<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Mësuesje e fshatit
  2014-12-22 16:03:51

Mësuesja më e bukur në rrjetet sociale

29 vjeçarja Ma Jianxia, 29 punon si mësuese në Shkollën fillore të fshatit Dapingzi të Liangshan-it, që i përket prefekturës autonome Yi , të provincës Sichuan. Shkolla ku ajo punon ndodhet në thellësinë e maleve, ku nuk arrin rruga automobilistike dhe duhet të mbërrish me kalë. Ma nisi punën në këtë shkollë fshati kur ishte 18 vjeç dhe kujton se për të arritur në këmbë deri aty ju deshën 4 orë. Një fshatar i zonës e shoqëronte në ngjitjen e monopateve pasi terreni i thyer malor shpesh kishte krijuar dhe aksidente të udhëtarëve me pasojë vdekjen. Një vajzë fare e re që i duhet të përballet me sfida të tilla në ditën e parë të punës, sigurisht që nuk e kishte të lehtë. Edhe Ma në çastin kur mbërriti në oborrin e shkollës dhe u takua me kolegët e ardhshëm shpërtheu në të qara dhe tha se donte të kthehej në shtëpi.

Drejtori i shkollës i propozoi të qëndronte disa ditë dhe të njihej nga afër me shkollën, mësuesit, nxënësit dhe më pas të vendoste nëse do të punonte këtu. Ishin pikërisht këto pak ditë që vendosën të ardhmen e mësueses së re ma. Ajo nisi të miqësohej me nxënësit dhe të vlerësonte vullnetin e tyre për të mësuar, ndonëse në kushte të vështira jetese. Të largohej i dukej sikur do të braktiste këta fëmijë fshati. Ata kishin shumë nevojë për mësues, ndaj Ma vendosi të qëndronte.

Prej shumë vjetësh mësuesja Ma çdo javë dha 25 orë mësimi të gjuhës kineze dhe matematikë. Kishte raste kur ajo ftohej për shkak të motit të ashpër në këtë fshat malor, apo rrëzohej diku, por Ma asnjëherë nuk e braktisi orën e mësimit.

Nismat e mësueses Ma

Kur Ma erdhi në këtë shkollë ajo ishte fillore dhe mësohej deri në klasën e 4-t. Ma ishte mendimit se duhet të shtoheshin klasat edhe për vitet e tjera të arsimimit të nxënësve, ndaj për këtë iu drejtua autoriteteve vendore të arsimit. Falë përpjekjeve dhe këmbënguljes së mësueses së re në shkollën e fshatit u shktuan edhe dy klasa të tjera në vitin 2007 të cilat i përfunduan një vit më pas 17 nxënës.

Një tjetër mungesë në programin mësimor të shkollës së fshatit të thellë malor ishin veprimtaritë jashtëshkollore. Për ta bërë jetën e fëmijëve sa më argëtuese Ma nisi tu mësonte atyre gjimnastikë, në kohën e lire. Ndërsa më vonë u krijua dhe një radio e vogël e shkollës. Në vitin 2004, Ma mësoi se nxënësit e shkollës ku punonte kurrë nuk e kishin festuar 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve ndaj vendosi të organizonte veprimtaritë me rastin e festës.

Pagesa e Ma-së si mësuese fshati nuk është shumë e lartë, pro ajo është e kënaqur se arrin të mbulojë shpenzimet e saj, të ndihmojë ekonomikisht prindërit dhe motrën e vogël, madje edhe të ndihmojë fëmijët e varfër të fshatit.

"Me lekët që kursej arrij të shkolloj 2 ose më shumë fëmijë të varfër të këtij fshati. Mbase do ti kisha shpenzuar këto lekë në kënaqësi të çastit, por duke investuar për shkollimin e këtyre fëmijëve mendoj se kam bërë një vepër më të mire," shprehet mësuesja e re Ma.

Vlerësimi i mësueses

Kur nisi punën në fshatin malor, Ma ishte një vajzë e re dhe ajo u rrit këtu. Prindërit e saj nisën të shqetësoheshin me kalimin e viteve se vajza mund të mbetej pa martuar në atë fshat të humbur. Ma është një vajzë e bukur dhe kishte shumë propozime për martesë por ajo nuk donte të braktiste nxënësit e saj dhe të shpërngulej në qytet.

 

Shumë prej mësuesve që kishin punuar në këtë fshat pas disa vitesh ishin larguar duke mos përballuar dot kushtet e vështira, por Ma bën përjashtim. "Kam vendosur të qëndroj këtu sepse këta fëmijë kanë nevojë për mua, ,"thotë Ma. Përveç dhënies mësim ajo kujdeset për përmirësimin e kushteve të shkollës për të ndihmuar nxënësit e saj jo vetëm të arsimohen por edhe të argëtohen në kohën e lire.

Puna dhe përkushtimi i mësueses Ma është shpërblyer me vlerësim nga ana e shtetit dhe e shoqërisë. Në vitin 2012, ajo u zgjodh delegate e Kongresit të 18-të Kombëtar të PKK-së dhe madje në rrjetet sociale u konsiderua si "mësuesja më e bukur". Si rezultat i punës së mësueses Ma, shkolla dhe vetë fshati malor ka fituar një vëmendje të madhe nga autoritetet vendore dhe më gjerë. (Eda Merepeza)