20141218pingpong |
Të dielën u zhvillua në klubin e pingpongut të Shoqatës së Shkollarëve të Kthyer nga Perëndimi (WRSA) në Pekin "Turneu miqësor i pingpongut WRSA-diplomatë me rastin e Vitit të Ri". Në këtë turne të organizuar nga klubi i pingpongut i WRSA-së morën pjesë nëntë ambasadorë në Kinë, duke përfshirë edhe ambasadorin e Shqipërisë Kujtim Xhani. Pjesëmarrës ishin gjithashtu edhe presidentja e klubit të pingpongut të WRSA-së, ish-kampionia e botës Tong Ling, sekretarja e klubit të pingpongut të WRSA-së Li Yongmei, ish-anëtari i ekipit kombëtar të pingpongut të Kinës Shi Lei etj.
Para fillimit të turneut, sekretarja e klubit të pingpongut të WRSA-së Li Yongmei u shpreh:
"Klubi i pingpongut i WRSA-së është themeluar në vitin 2010. Megjithëse me një histori të shkurtër 4-vjeçare, besoj se për çdo anëtar të tij ai ka shërbyer si një platformë e mirë për nxitjen e konkurrimit nëpërmjet forcimit të miqësisë dhe shtimit të njohjes mes vendeve të ndryshme. Kjo është arsyeja pse ne kemi ftuar diplomatët dhe ambasadorët e huaj të marrin pjesë në këtë turne miqësor në WRSA. Shpresoj që ndeshja e sotme do të na sjellë gëzim dhe kënaqësi."
Li Yongmei, Kujtim Xhani, Lin Aidi
Ndërkohë, presidentja e klubit të pingpongut të WRSA-së, ish-kampionia e botës Tong Ling, u shpreh:
"Si presidente e klubit të pingpongut të WRSA-së, marr pjesë në çdo veprimtari që organizon ky klub, duke luajtur në ndeshjen e hapjes dhe duke u takuar me pjesëmarrësit."
Tong Ling
Më pas znj. Tong Ling shprehu urimin: "Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri!"
Veprimtaria filloi me ndeshjen midis presidentes së klubit të pingpongut të WRSA-së Tong Ling dhe ambasadorit shqiptar Kujtim Xhani. Më pas turneu vijoi me ndeshje të kategorive të ndryshme, si individuale, dyshe, dyshe të përziera, me shumë lojtarë etj.
Duke folur për CRI-në përpara ndeshjes, z. Kujtim Xhani u shpreh:
Kujtim Xhani
"Është kënaqësi të luaj me anëtarë të shoqatës WRSA, sepse ata janë ura miqësie ndërmjet Kinës dhe vendeve ku ata kanë studiuar. Ndiej kënaqësi kur ata në këtë kohë, pasi janë kthyer, vazhdojnë të kontribuojnë në marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe vendeve ku ata kanë studiuar."
I pyetur nëse luan shpesh pingpong dhe se kur ka filluar të luajë, ambasadori Xhani tregon: "Me ardhjen në Kinë kam filluar të luaj pingpong. Më pëlqen të luaj, jo të garoj. Pingpong kam luajtur kur kam qenë student, më shumë se 40 vjet më parë. Në Shqipëri nuk kam luajtur më pas, por në periudhën që u ktheva në Kinë fillova të luaj prapë."
Lidhur me përhapjen e pingongut në Shqipëri, ambasadori Xhani thotë: "Në Shqipëri (pingpongu) nuk luhet shumë, por ka filluar të pëlqehet. Pothuajse në çdo lagje të Tiranës gjen vende ku mund të luhet pingpong."
Por a ka besim te fitorja në ndeshje? "Sot kam ardhur për të luajtur, jo për të fituar, për të bërë miqësi të reja, sepse këtu shoqata përfaqësohet nga studentët që kanë studiuar në vende të ndryshme të botës, kështu që të jepet rasti të bësh miqësi edhe me anëtarë të shoqatës edhe jo të vendeve të Europës Qendrore e Lindore," shprehet ambasadori i Shqipërisë në Kinë, z. Kujtim Xhani.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kinë Tahir Elezi luan shumë mirë pingpong. Megjithëse me flokë të bardhë, atij luan në këtë turne me një djalë të ri:
"Më pëlqen pingpongu. Më shumë luaj në ambasadë, por luaj edhe në zonën ku banoj, por jo shpesh atje. Është një lloj stërvitjeje, një lloj ruajtjeje e gjendjes fizike. Njëkohësisht, kur kemi raste të tilla, edhe forcojmë miqësinë," thekson z. Elezi.
Në këtë turne marrin pjesë edhe dy pingpongistë të rinj. Një prej tyre, me emrin Lin Aidi, është anëtari më i vogël i klubit të pingpongut të WRSA-së. Ai na tha:
"Jam 12 vjeç. Mësoj pingpong prej 3 vjetësh nga trajneri profesionist Zhao, por kam luajtur që kur isha 6 vjeç. Më pëlqen të luaj pingpong dhe dëshiroj të bëhem një pingpongist profesionist në të ardhmen."
"Turneu miqësor i pingpongut WRSA-diplomatë me rastin e Vitit të Ri" zgjati dy orë dhe u mbyll me ndeshjen jozyrtare midis ish-anëtarit të skuadrës kombëtare të Kinës Shi Lei dhe ambasadorit të Moldavisë në Kinë Anatol Urecheanu. Edhe z. Urecheanu luan me mjeshtëri pingpong. Për CRI Shqip ai u shpreh:
"Kam filluar të luaj pingpong që kur isha shumë i vogël, por më pas nuk kisha kohë të luaja. Kur erdha në Kinë gjeta shumë shokë për të luajtur së bashku, prandaj tani luaj më shpesh, një herë në javë. Gëzohem shumë kur luaj. Zakonisht luaj në Kompleksin e Diplomatëve, por edhe në ambasadë, bashkë me ambasadorë të tjerë."
Urecheanu dhe Shilei
Në fund të turneut çdo ambasadori iu dhurua një raketë me firmën e presidentes së klubit të pingpongut të WRSA-së Tong Ling. Pjesëmarrësit në këtë veprimtari interesante shprehën dëshirën që të mblidhen edhe herë të tjera, për të forcuar nëpërmjet sportit të pingpongut miqësinë dhe për të shtuar njohjen me njëri-tjetrin.