20141218Palimsest2 |
Pas 3 vjet punimesh intensive një muze i ri filmi u prezantua këto ditë për publikun e gjerë në ish studjot filmike Changchun, në vendin ku dikur ndodheshin studiot e filmit Changchun, ku janë realizuar filmat e parë të industrisë kineze të filmit. Tashmë vendin e këtyre studiove e ka zënë një muze i ri për filmin.
Në eksponatet e muzeut paraqiten për publikun një numër i madh dokumentesh që rrëfejnë historinë e kinematografisë kineze.
Historia
Changying është pasardhës i Kompanisë së filmit Manchuria, të themeluar në 1937. Kompania përbëhej nga 6 studio, një dhomë regjistrimi, një dhomë montazhi dhe disa ambjente të tjera për zyra. Pas kapitullimit të Japonisë në vitin 1945 kompania u shpërngul në Hegang të provincës Heilongjiang, për tu kthyer sërish në vitin 1949 në Changchun. Studiot e filmit Changchun u krijuan në vitin 1955 dhe që nga ajo kohë këtu u prodhuan mbi 900 filma. Me kalimin e viteve studio po amortizohej ndaj që nga viti 2002 nisi të funksiononte si objekt turistik. Në vitin 2008 nisi rindërtimi i studiove për të ngritur muzeun e filmit.
Foto: Qiu Zhaomin/ China Daily
Tashmë studiot kanë një pamje krejt të re por edhe shumë funksione si galeria e filmave, galeria për përkthimin e filmave, studiot e artit dhe të kinemasë. Pjesa e vjetër është kthyer në një arkiv për filmat e vjetër. Vizitorët e ndryshëm të këtij muzeu mund të shohin filma të vjetër që tashmë kanë mbetur në kujtesën e tyre. Disa prej vizitorëve janë shprehur se filmat e prodhuar nga studio Changying përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fëmijërisë, rinisë pra të formimit të tyre kulturor.
Muzeu ofron për vizitorët dhe programe interaktive. Në katin e dytë të ndërtesës muzeale ndodhet galeria e filmave ku vizitorët mund të shohin filmat që dëshirojnë, duke përdorur kufjet mjafton të prekin ekranin. Galeria ka një koleksion prej mbi 200 filmash të realizuar në periudhën 1949-2003. Për vizitorët e interesuar ka dhe ambjente ku mund të njihen me procesin e dublimit apo të përkthimit të filmave.
Kina në fokus të kineastëve japonezë
Televizioni japonez NHK ka realizuar një dokumentar prej 30 minutësh kushtuar qytetit historik Datong, të provincës kineze Shanxi, në bashkëpunim me televizionin Beijing. Ky dokumentar u shfaq në premierë në shkurt të vitit 2013 në Japoni dhe pati mjaft sukses. Ideja e autorëve të dokumentarit ishte promovimi i këtij destinacioni të rëndësishëm turistik të Kinës, të shquar për qytetin antik, folklorin, tempullin Hanging, malin Hengshan.
Foto: dtnews.cn
Në dokumentarin e televizionit japonez përshkruhen thesaret e qytetit kinez Datong që ka një histori 1400 vjeçare të budizmit, taoizmit dhe konfucianizmit, 9 dragojtë e trashëguar që nga dinastia Qing, tempulli Huayan me skulpturat e mrekullueshme me ngjyra të dinastisë Liao që sundoi në vitet 907-1125 p.e.s. Pamjet e shpellave Yungang që datojnë që nga koha e dinastisë së Veriut Wei (368-534 p.e.s), projekti i parë i madh i Kinës për këto shpella apo peizazhet e mrekullueshme të formuara nga erozioni në Tulin.
Në 30 minutat e dokumentarit shikuesi u njoh dhe me kuzhinën tradicionale të zonës, që shquhet për gatimin e "baihua shao-mai" një lloj dumpling-u si dhe të Fenglinge, një tjetër gatim karakteristik i zonës, 500 vjeçar.
Një tjetër dokumentar me titull " Bukuria e shpellave të Yungang" i realizuar nga televizioni japonez zgjat 88 minuta dhe paraqet historinë, kulturën dhe artin e kësaj zone. Dokumentari u shfaq në premierë për publikun japonez në dhjetor të vitit të kaluar. Në fokus të tij është bashkëpunimi kulturor kino-japonez, ndikimet kulturore si dhe vlerat historike. Në dokumentar shpellat e Yungang-ut shfaqen në formë dixhitale.
Sukses i "MozArt"në Kinë
Një komedi muzikore e grupit polak "MozArt" ka patur mjaft sukses në shfaqjen e dhënë në Sallën e koncerteve të Qytetit të Ndaluar në Pekin. Ky grup varieteje ka arritur të ketë 10 milion klikime në youtube, ku është hedhur video e koncertit të tyre. Ata janë instrumentistë të shkëlqyer në harqe, si violinë, violë e violonçel, por edhe aktorë komikë e balerinë.
Për këta artistë të varietesë, interpretimi është kthyer në biznes dhe mjaft të suksesshëm.Emrin grupi e ka marrë nga nga kompozitori i famshëm Wolfgang Amadeus Mozart, por muzika e interpretuar në shfaqjet e tyre shoqërohet me situata komike. Ky grup varieteje ka patur mjaft sukses në vende të ndryshme të botës ku ka performuar, gjë që është ndjerë edhe tek publiku kinez gjatë shfaqjes që ata thanë në sallën e koncerteve të Qytetit të Ndaluar.
Të gjithë instrumentistët e grupit "MozArt" janë dipllomuar në Akademinë e Muzikës në Poloni, por krahas interpretimit të pjesëve muzikore të rrymave të ndryshme ata kanë vendosur të krijojnë një variete të vërtetë me humor dhe balet.
Muzika e luajtur prej tyre i sjell të qeshura dhe gëzim spektatorëve. Muzika klasike dhe pjesët më të njohura të saj, herë herë të trishtuara apo melankolike e ndryshojnë këndshëm këtë atmosferë, kur instumentistët krahas lojës me harqe bëjnë dhe gjeste me humor duke shpërthyer të qeshura te publiku në sallë.
Një nga momentet kulmore të artistëve polakë në skenën pekinase të Qytetit të Ndaluar ishte kur njeri nga instrumentistët imitoi Michael Jackson-in, ndërsa artistët e tjerë eksekuzonin me harqe këngën e tij të famshme "Beat it".
Grupi "MozArt" është shpesh i ftuar në spektakle të ndryshme televizive apo shfaqje nëpër botë. Ata janë fitues të disa çmimeve në zhanrin e teatrit të komedisë në Europë. Ata interpretojnë afro të gjitha rrymat muzikore, që nga pjesët klasike, muzikë pop, rock dhe folk. Ky formacion muzikor ka vizituar 3 herë Pekinin , pas të cilit do të japin shfaqje në qytete të ndryshme të Kanadasë dhe SHBA-së. (Eda Merepeza)