20141211Palimsest2 |
Muzeu Kombëtar i Artit i Kinës
Me një sipërfaqe dy herë më të madhe se Luvri, është muzeu më i madh në botë. Hapësira e tij është strehë e shumë muzeve dhe galerive arti,por vitin e ardshëm pritet të nisë puna për krijimin e Muzeut Kombëtar të Artit të Kinës, bëjnë të ditur zyrtarë të muzeut.
"Nëse krahasojmë Pallatin e Muzeut me Luvrin, Muzeun Kombëtar të Kinës me Muzeun Orsay, mund të themi se muzeu i ri i artit do të jetë i ngjashëm me Qendrën Pompidou të Francës". Këtë e ka deklaruar për median kineze zëvendësdrejtori i muzeut, Xie Xiaofan.
Foto: robertharding / 东方IC
Inicialet e muzeut NAMOC kanë ngjallur mjaft diskutime rreth llojit të muzeut të artit që i nevojitet Kinës, veçanërisht pas lajmit të dhënë në shtator se me projektin e muzeut të ri do të merret arkitekti francez Jean Nouvel në bashkëpunim me Institutin e Arkitekturës dhe Projekteve të Pekinit.
Muzeu i ri do të ketë një sipërfaqe prej 130 mijë metra katrorë, dy herë më të madhe se Luvri dhe do të ndërtohet pranë Stadiumit Olimpik të Pekinit. Ky muze i ri do të shërbejë si qendra e re kulturore e Pekinit, e ngritur në dy komplekse të mëdha, Qendra Kineze e Artit Klasik dhe Qendra e Ekspozitave të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kinës.
Është planifikuar që të ngrihen galeri arti të përherëshme ose të përkohëshme, qendra kërkimore dhe arsimore, hapësira publike si dhe një hapësirë për sektorin e shërbimeve. Muzeu Kombëtar i Kinës (NAMOC) do të strehojë në ambjentet e tij rreth 100 mijë koleksione që i përkasin dinastisë kineze Ming (1368-1644), vepra të piktorëve të lashtë kinezë, të kaligrafisë, folklorit, skulptura dhe video.
Hapësira ekspozuese e muzeut të ri do të jetë prej 500 mijë metra katrorë dhe në të do të paraqiten vepra të artit kinez që nga shekulli i 20-të, por do të ekspozohen dhe vepra të artistëve nga e mbarë bota. Organizatorët thonë se do të ketë në brendësi të Muzeut hapësira për galeri me punime të artistëve kinezë dhe galeri të veçanta për artistët e huaj.
Projekti për muzeun e ri të artit u paraqit në vitin 2012 dhe deri tani janë mbledhur 18 plane projektimi nga arkitektë të famshëm botërorë si Frank Gehry, i cili është arkitekti i Muzeut Guggenheim në Nju Jork.Por projekt ideja e paraqitur nga Nouvel firm Ateliers, e frymëzuar nga hieroglifi kinez "një", ka tërhequr vemendjen e komisionit përzgjedhës të projekteve për muzeun.
Sipas zëvendësdrejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Xie, projekt ideja e Jean Nouvel është e thjeshtë dhe përdor një simbol të Kinës. Menjëherë sapo e sheh këtë projekt ide e ndjen se bëhet fjalë për artin e Kinës.
Ndërsa Stefan Zopp, njëri prej arkitektëve të grupit i ngarkuar me projektin kinez, është shprehur se grupi i arkitektëve është përpjekur shumë për të ndërtuar një projekt të vlefshëm për kulturën kineze.Në shtator arkitekti Nouvel paraqiti skicën e projektit të tij ku fasada si në një filtër natyror përshkohej nga drita dhe ndriçonte një kopësht brenda godinës. Holli veror i muzeut përshkohet nga mjaft simbole të artit kinez që nga shekulli i 15-të , si dhe në projekt parashikohet dhe një terracë në natyrë plot gjelbërim dhe lule e cila do të lidhë çatinë e ndërtesës me qiellin, në një harmoni të lavdërueshme.
Ndërkohë sipas drejtorit të qendrës së kërkimeve të artit dhe arkitekturës pranë Muzeut Kombëtar të Kinës, Tang Keyang, në projekt është menduar posaçërisht për funksionimin e muzeut të ri të artit. Ndërsa drejtori i muzeut shprehet se godina e re e Muzeut do të ketë mjaft hapësira në shërbim të publikut që do ta vizitojë atë.Nisur nga fluksi i vizitorëve të përditshëm në muzetë aktuale të Kinës është menduar që muzeu i ri kombëtar të ketë sa më shumë hapësira për publikun, duke përfshirë dhe shërbimet fast-food, baret dhe restorantet me kuzhinë kineze apo perëndimore. Si në të gjithë muzetë e Kinës ku vizitorët janë vendës por dhe shumë turistë të huaj organizatorët kanë menduar për një shërbim sa më cilësor ndaj tyre.
Muze arkeologjik në Xi'an
Muzeu i parë arkeologjik i Kinës do të ndërtohet në Xi'an, kryeqendra e provincës veriperëndimore Shaanxi.
Foto: cnwest.com
Investimi i përgjithshëm do të jetë 315 million yuan dhe godina e muzeut do të ndërtohet në perëndim të Tempullit Xiangji në distriktin Chang'an, bëjnë të ditur burime nga Instituti provincial arkeologjik në Shaanxi.
Instituti, që ka nisur projektin ka njoftuar se gjatë 50 vjetëve të fundit janë mbledhur mbi 140,000 objekte kulturore që i përkasin periudhave të ndryshme historike të Kinës.
Ndërtimi i muzeut të arkeologisë do të merret me ruajtjen e relikeve kulturore të provincës Shaanxi, si dhe me zhvillimin e industrisë kulturore të saj. Sipas projektit muzeu dote zerë një sipërfaqe prej 170,000 metra katrorë ku do të përfshihen salla ekspozitash për arkeologjinë dhe zbulimet e kryera kohët e fundit. sMuzeu do të jetë i pajisur dhe me një laborator për reliket kulturore si dhe një qendër akademike. Qyteti Xi'an, i njohur për zbulime arkeologjike si ushtria prej terrakote dhe kuajt, ka qenë kryeqytet i 13 dinastive kineze. Provinca zotëron 235 vendndodhje të relikeve kulturore. (Eda Merepeza)