">Xijiang Miao-bukuria e rrallë e një fshati<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Xijiang Miao-bukuria e rrallë e një fshati
  2014-11-24 17:08:25

Pas një boom-i turistik në fshatin e banuar nga minoriteti më i madh etnik në Kinë, Miao, tashmë autoritetet vendore dhe banorët po përpiqen të ruajnë përmes restaurimit banesat e tij. Në fund të tetorit të këtij viti banorët e fshatit Xijiang Miao, i fshehur mes maleve të provincës jugperëndimore Guizhou krijuan një komitet për mbrojtjen e trashëgimisë së zonës së tyre.

"Duhet të ndalojmë sa më parë vrullin e ndërtimeve që po kryhen në këtë zonë. Në të kundërt do të kemi shumë dëmtime të trashëgimisë kulturore.", shprehet Hou Tianxiang, njëri prej 17 anëtarëve të komitetit, të ngritur nga autoritetet vendore të zonës.

Fshati i banuar nga pakica kombëtare Miao ka një histori 2 mijë vjeçare. Agjencia prestigjioze e turizmit botëror Lonely Planet e ka cilësuar këtë zonë si "porta hyrëse" e muzeut të popullsisë Miao. Ky fshat është vizituar nga mijëra turistë nga e gjithë bota,pasi është i veçantë përsa i përket kasolleve prej druri të ndërtuara 1300 vjet më parë, festave të ndryshme si dhe stolive prej argjendi të mbajtura nga gratë e fshatit.


Foto: 彭彪 / 东方IC

Qysh nga viti 2008 ky fshat ka njohur një fluks të madh turistësh nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë mbetur të mahnitur nga bukuria e zonës, së banuar nga mbi 1 mijë familje. Nuk duhen harruar as turistët vendës, nga qytete apo rajone të tjera të Kinës,që vizitojnë fshatin e rrallë. Sipas statistikave të turizmit, ndërsa në vitin 2008 numri i vizitorëve në fshat ishte 100 mijë, në vitin 2013 ai arriti në 3.8 milion.

Duke parë zhvillimin e vrullshëm të fshatit shumë biznese kanë lulëzuar këtu, përfshirë, hotelet moderne, restorantet apo baret.

Tashmë shumë prej turistëve që arrinin në këtë fshat të Kinës për të gjetur qetësinë e kohëve të dikurshme, peizazhin unik dhe kasollet mijëvjeçare, kanë mbetur të zhgënjyer.

Li Qiang është një turist që ka ardhur në këtë fshat nga provinca Shandong dhe ka udhëtuar rreth 2 mijë km për të vizituar këtë vend të rrallë për nga trashëgimia.

"Arkitektura e fshatit është mjaft e veçantë por kjo zonë është bërë shumë komerciale.", shprehet Li për mediat kineze.

Ndërsa një turist kanadez me emrin Jean Pierre D. Shkruan në website-n "China Highlights " Disa prej ndërtesave të reja bllokonin komplet pamjen e banesave karakteristike, në rrëzë të malit, duke i lënë turistëve vetëm një platformë të ngushtë për të shijuar."


Foto: 彭彪 / 东方IC

Ata që e vizitojnë shpesh këtë zonë thonë se si pasojë e shpërthimit të ndërtimeve moderne në fshat, tashmë është ulur numri i turistëve të huaj, krahasuar me pak vite më parë. Edhe vetë banorët e fshatit tregojnë se para 10 vitesh turistët e huaj mrekulloheshin nga fshati ynë dhe kultura e tij. Madje disa prej tyre qëndronin këtu për një periudhë disa mujore."

Komiteti i sapokrijuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore ka hartuar një rregullore me masa që synojnë të barazpeshojnë zhvillimin me ruajtjen e trashëgimisë së zonës.

Sipas rregullores të publikuar më 18 tetor, ndërtesat e reja që do të ngrihen në këtë zonë duhet të miratohen nga komiteti, të ruajnë karakteristikat e ndërtimit të banesave sipas traditave të pakicës Miao .

Tashmë kjo rregullore është publikuar edhe në zonat fqinje me fshatin. Komiteti dhe banorët janë të mendimit se trashëgimia e fshatit duhet ruajtur, pavarësisht zhvillimit të tij infrastrukturor. (Eda Merepeza)