">Martesat ndërkufitare<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Martesat ndërkufitare
  2014-11-18 09:57:00

Martesat me ndërmjetësim praktikohen në mbarë botën por me emërtesa të ndryshme. Në vendet perëndimore termi më i përhapur për njohjet mes çiftit është "dating", në shqip, për lidhjet martesore të ndërmjetësuara themi "shkuesi". Edhe në Kinë kryhen martesa të tilla, madje ka rrjete sociale për ndërmjetësime njohjeje mes çifteve, apo mënyra të tjera që ndihmojnë beqarët, për të gjetur shokun e jetës.

Një tjetër dukuri e 20 viteve të fundit janë martesat ndërkufitare, pra kur çifti martesor përbëhet nga dy individë të vendeve që i ndan një kufi shtetëror. Shpesh kemi dëgjuar martesa të tilla dhe të shqiptarëve me fqinjët. Në Kinë martesa ndërkufitare janë regjistruar vitet e fundit mes djemve kinezë dhe vajzave vietnameze, kryesisht banorë të fshatrave pranë kufirit mes dy vendeve. Kjo dukuri shoqërore e viteve të fundit e cila për shumë prej vajzave vietnameze ka qenë e mbarë.

"Ekonomikisht jeta në Kinë është më e mirë se në vendin tim,"shprehet Nguyen thi Hang një nga dhjetra vietnamezet e martuara në Linqi të Kinës. Ky fshat ndodhet mes malesh ku tek-tuk sheh fusha të mbjella me misër dhe i përket provincës kineze Henan. Fshati ndodhet 1700 km larg kufirit me Vietnamin, por kohët e fundit është kthyer në një qendër të martesave ndërkufitare me vajza nga Azia Juglindore.

Kjo dukuri nisi të shfaqej me rritjen e kërkesave të djemve kinezë për bashkëshorte. 30 vjeçarja vietnameze Hang ka ardhur në Linqi nëntorin e kaluar dhe tani mund ta takosh në një dyqan të vogël ku shet artikuj të përzier ushqimorë. Ajo jeton në një banesë të vogël dhe të thjeshtë, por është e kënaqur pasi këtu jeta e saj është më e mirë se në vendlindje. Ajo tregon se jetonte në kushte shumë të vështira në fshatin e saj në Vietnam, ku të gjithë bashkëfshatarët punonin në orizore. Hang thotë se është martuar me kinezin 22 vjeçar nga fshati Linqi me pëlqimin e familjes së saj dhe madje ka bërë edhe dasëm.

E pyetur nga media kineze, nusja vietnameze tregon se prindërit e saj janë paguar nga familja e dhëndërrit për këtë martesë, por ajo nuk është interesuar për këtë gjë. Kur e pyesin se si mësoi kjo vajzë për martesat me ndërmjetësi me kinezët, Hang tregon se disa të afërm i kishin thënë se bashkëshortët kinezë kujdesen shumë për gratë e tyre, për fëmijët dhe familjen. Kjo e kishte nxitur Hangun të kërkonte një bashkëshort kinez me ndërmjetësim.

Bashkëshorti i Hangut punon në një firmë ndërtimi larg nga fshati, por nusja jeton me prindërit e tij, të cilët e duan atë. Vjehrri i saj Liu Shuanggen thotë se vietnamezet janë gra shumë punëtore, që nuk i tremben as punëve të rënda. Madje ai shton se në zonën e tyre për djemtë është e vështirë të gjejnë nuse, pasi vajzat janë të pakta. Për këtë arsye disa prej djemve të fshatit janë martuar me vajza vietnameze.

Mbizotërimi i meshkujve në Kinë ndodh dhe për faktin se shumica e familjeve preferojnë djemtë, ndaj sipas statistikave zyrtare diferenca mes dy sekseseve është 118 djem dhe 100 vajza.

Një nga banorët e zonës, Wang Yangfang ndërsa flet për mediat lidhur me këto martesa me ndërmjetësi shpjegon se familja e një vajze kineze për ta martuar atë kërkon që dhëndrri të ketë shtëpi dhe makinë. Kurse vajzat vietnameze janë më të varfra dhe nuk kanë kërkesa të tilla.

Martesat e djemve kinezë me vajzat vietnameze në shumicën e rasteve ndërmjetësohen dhe me pagesë. Kostoja që familja e djalit kinez i paguan familjes së vajzës vietnameze për martesë është 20 mijë yuan ose 3.200 dollarë amerikanë. Sipas tyre në Linqi këto vitet e fundit janë kryer mbi 20 martesa me nuse vietnameze.

Kjo dukuri e re e martesave ndërkufitare ka shënuar dhe shkelje të ligjit në disa raste, pasi është bërë shkas për trafikimin e femrave. Të mashtruara nga bashkëfshatarë, apo të njohur të cilët u kanë premtuar martesë me djemtë kinezë, këto vajza janë përë pre e trafikantëve.

Sipas të dhënave të publikuara nga policia kineze 1281 femra të huaja nga Azia Juglindore janë riatdhesuar në vitin 2012, pasi me premtimin e rremë për martesë në Kinë, janë detyruar të ushtrojnë prostitucion.

Një tjetër dukuri shoqëruese e martesave ndërkufitare është ajo që quhet nga media "arratisja e nuseve të huaja". Media kineze ka raportuar raste të "arratisjes së nuseve të huaja" pas martesës. Disa prej tyre ndërrojnë mendje, ose të tjera nuk kanë qenë dakord për lidhje martese.

Përveç këtyre rasteve nuk mungojnë martesat e realizuara me dëshirën e çiftit. 21 vjeçarja vietnameze Vu Hong Thuy tregon se e ka njohur në vendin e saj të shoqin kinez, kur ai punonte atje. Edhe agjencitë martesore në të dy vendet ndikojnë në shtimin e martesave mes kinezëve dhe vietnamezeve. Një website i quajtur "Vietnam dating" realizon takime të çifteve në qytetin Ho Chi Minh kundrejt një pagese prej 3 mijë yuan (afërsisht 500 dollarë). Por drejtuesit e këtij website thone se tarifa për realizim martese mes një kinezi dhe një vietnamezeje arrin deri në 36 mijë yuan (rreth 6 mijë dollarë). (Eda Merepeza)