20141110Hotpot2 |
Tatuazhet në ditët tona janë një realitet. I shohim në grup-mosha të ndryshme. Më të vjetrit i kanë kryer me metoda të thjeshta dhe të dhimbshme dhe kryesisht janë meshkuj që bartin ndonjë tatuazh në trup. Kurse të rinjtë sot , djem dhe vajza pa dallim janë të prirur të bëjnë tatuazhe të ndryshme. Disa prej tyre janë tribale, por ka dhe të personalizuara, ku dallohen iniciale emrash të personave të dashur dhe të afërt, apo emra të plotë. Ka raste kur një tatuash paraqitet me portretin e një njeriu të dashur dhe zë një sipërfaqe të konsiderueshme të lëkurës. Disa të tjerë janë simbole të ndryshme, figura epike, kafshë, nota muzikore etj.
Në pjesën e fytyrës jemi mësuar të shohim tatuazhe më së shumti në disa fise afrikane, por dhe te afro-amerikanët. Mjafton të kujtojmë Mike Tyson-in dhe tatuazhet e tij në fytyrë, për të krijuar një ide më të saktë. VIP-at shpesh i pëlqejnë tatuazhet dhe nëse kanë rast edhe i heqin ato.
Tatuazhe tepër të veçanta me karakter tradicional janë praktikuar dhe nga gratë e një minoriteti etnik në Kinë.
Ato janë tepër të veçanta pasi këto gra përgjatë shekujve kanë bërë tatuazhe në pjesën qendrore të fytyrës së tyre. Me dëshirë, për të ruajtur një traditë të lashtë, apo të detyruara nga kushtet e jetës, përgjatë shekujve?
Kjo mbetet ende një hipotezë.
Njëra prej grave të etnisë Derung, ose Dulong, pjesë e Kontesë Autonome Gongshan, të provincës jugperëndimore kineze Yunnan është Jiasong. Ajo e ka bërë këtë tatuazh që në vitin 1966 duke ndjekur një traditë të lashtë të minoritetit të saj. Kjo traditë e dhimbshme është ndaluar që në vitin 1967 në Kinë.
Tradita e bërjes së një tatuazhi në pjesën që rrethon hundën, buzët dhe faqet e femrave të minoritetit Dulong e ka prejardhjen qindra vjet më parë dhe mendohet se ka ekzistuar që në kohën e dinastisë kineze Ming.
Pas krijimit të Kinës së Re kjo traditë nisi të zbehej dhe nuk ndiqej më nga pjestarët e kësaj pakice. Në vitin 2007,numri I grave me tatuazh në fytyrë ishte 130, ndërsa aktualisht ai ka rënë në 26.
"Një ekip mjekësh kontrollon çdo muaj shëndetin e 26 grave me tatuazhe në fytyrë," thotë Zhou Lixin, oficer i policisë së fshatit Dulongjiang në prefekturën Nujiang të Yunnan-it.
Mjekët kontrollojnë rregullisht presionin e gjakut, peshën e këtyre grave me tatuazhe madje u japin atyre dhe mjekime dhe kur është e nevojshme u rekomandojnë dhe vizita në spital. Mjekët e zonës ecin 5-6 orë në këmbë për të kryer kontrollin rutinë te këto banore, që mbajnë tatuazhe në fytyrat e tyre. Këto gra si dhe banorët e tjerë të fshatit dhe mbarë zonës bëjnë një jetë të shëndetëshme duke u marrë me punët në bujqësi por më shumë blegtori, pasi jetojnë në një zonë malore. Ajri i pastër dhe perimet, frutat si dhe mishi i freskët e prodhime të tjera bujqësore e blegtorale ndikojnë pozitivisht në shëndetin e tyre.
Nga këto 26 gra me tatuazh në fytyrë, më e moshuara është 90 vjeç, ndërsa më e reja 26.
Pakica kombëtare Dulong është një nga 56 minoritetet etnike të Kinës dhe ka një popullsi prej afro 7 mijë banorësh që jetojnë në fshatin Dulongjiang në jugperëndim të provincës Yunnan.
Tradita e tatuazhit në fytyrë
Tradita e bërjes së tatuazhit në fytyrat e grave të kësaj kombësie ka nisur rreth 360 vjetë më pare.
Në ato vite ky minoritet sulmohej shpesh nga grupe të tjera etnike dhe femrat merreshin skllave. Për të shmangur përdhunimet, gratë e etnisë Dulong vendosën të shëmtoheshin, duke bërë tatuazhe në pjesën më të madhe të fytyrës së tyre. Me këto shenja në fytyrë ato nuk ishin më tërheqëse dhe besonin se kjo ishte një mënyrë për të shpëtuar nga skllavëria.Këtë hipotezë e mbrojnë disa studime por edhe banorët më të vjetër të kësaj etnie.
Por ka dhe një hipotezë tjetër, krejtësisht kundërshtuese me të parën, sipas së cilës femrat e pakicës kombëtare Dulong i bënin tradicionalisht këto tatuazhe për tu dukur më të bukura. Edhe ky opinion ka mbështetësit dhe kundërshtuesit e tij. Ata që janë pro tij e argumentojnë me faktin se deri para 30 vjetësh kjo traditë ka vazhduar, përderisa më e reja me tatuazh në fytyrë eshtë një 26 vjeçare.
Tatuazhet e tyre janë të thjeshta, por sipas disa studjuesve mund të jenë me karakter tribal, pasi në këto tatuazhe shihen simbole të natyrës, tepër të thjeshta si lule, kafshë apo veçori të kësaj pakice etnike.
Kjo pakicë duket misterioze, pasi ndër shekuj jeton mes malesh, disi e veçuar. Banorët e saj shquhen si shumë punëtorë por dhe mikpritës.
Anëtarët e minoritetit Dulong e quajnë veten dulong,ndërsa të tjerët i quajnë "minoriteti Qu", "minoriteti Luo" apo "minoriteti Quluo". Kjo pakicë kombëtare jeton kryesisht në territorin buzë lumit Dulong, pranë kufirit me Burmën.
Kina ka 56 minoritete kombëtare, ndër të cilat ai Dulong është pjesë e pakicave më të vogla, përsa i përket numrit të banorëve të tij.(Eda Merepeza)