20141105zhangzailiang |
Profesori Zhang Zailiang ka dhënë gjuhën angleze në Universitetin e Tiranës nga viti 1963 deri në vitin 1966 duke ndihmuar në krijimin e Departamentit të gjuhës anglezenë drejtim të metodave të mësimdhënies. Një kinez që jepte gjuhën angleze në Evropë ngjallte interes. Gazetarja e Redaksisë së Gjuhës Shqipe të Radios së Jashtme të Kinës Zhang Zhuo( Besa) bëri një intervistë me profesorin Zhang. Le të njohim ekperiencën e tij të veçantë.
Gazetarja: Si u dërguat në Shqipëri për të dhënë mësimin e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës?
Zhang Zailiang: Jam diplomuar në nivelin pasuniversitar në Fakultetin e Gjuhës Angleze të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit në vitin 1957. Ishim grupi i parë i pasuniversitarëve, pas krijimit të Kinës së re. Më pas nisa punën si pedagog pranë Fakultetit të Gjuhës Angleze të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit,ku jepja mësim për studentët e viteve të para, të dyta dhe të treta. Me një përvojë 5-6 vjeçare krijova eksperiencën e parë në mësimdhënie. Mendoj se këto janë arsyet e dërgimit tim në Shqipëri.
Në atë kohë, kishte shumë studentë që kryenin studimet në ish- Bashkimin Sovjetik dhe ishin të paktë ata që studjuan gjuhën angleze, aq më të paktë ishin pasuniversitarët. Jam i mendimit se dhe kjo ishte një ndër arsyet e dërgimit tim në Shqipëri. Sipas një marrëveshjeje kulturore të nënshkruar nga Kina dhe Shqipëria, specialistët kinezë ftoheshin të ndihmonin mësimdhënien e gjuhës angleze. Kur më njoftuan se do të shkoja në Shqipëri për të dhënë gjuhën angleze u gëzova shumë dhe ishs shumë krenar. U planifikua të niseshim në fillimin e vitit 1963, por sipas propozimit të palës shqiptare, do të ishte më mirë të mbërrinim në fund të vitit 1963. Qëndrimi im në Shqipëri zgjati 3 vjet.
Gazetarja: Si u përgatitët për nisjen në Shqipëri ?
Zhang Zailiang: Së pari njoha situatën në këtë vend dhe për këtë u takova me specialistët shqiptarë që punonin në universitetin tonë. Përgatita një pjesë të librave,pasi dega e gjuhës angleze sapo ishte hapur dhe nuk kishte shumë materiale studimore dhe libra. Në atë kohë, Shqipëria ishte në kushte të ngjashme me ne dhe nuk kishte shumë të ardhura për të shpenzuar për blerje tekstesh në gjuhë të huaj. Sipas kërkesave të mësimdhënies përgatita shumë materiale mësimore dhe i postova në ambasadën e Kinës në Shqipëri.
Kur arrita në Shqipëri shkova në ambasadë ku mora librat të cilat i dërgova në hotelin ku banoja. Kujtoj se kur arrita në Shqipëri do të jepja si leksion të parë romanin "Vanity Fair". Shpenzova një javë duke e përgatitur leksionin për këtë roman, për shkrimtarin, zhvillimet historike etj. U përpoqa shumë për leksionin tim të parë në Shqipëri.
Gazetarja: Çfarë mendonit kur nisët punën në Shqipëri ?
Zhang Zailiang: Problemi kryesor nuk ishte puna. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona në atë periudhë ishin të shkëlqyera. Kujtoj se kur shëtitja në rrugë një grup nxënësish të shoqëruar nga mësuesit e tyre më ndalnin dhe më thërritnin "kinez, kinez" , duke më shprehur miqësinë e tyre. Prekesha shumë nga këto gjëra pasi fëmijët janë të sinqertë dhe ata kështu tregonin miqësinë për ne. Edhe sot më kujtohet ai moment. Arrita në Shqipëri në shtator dhe pas disa ditëve ishte festa kombëtare e Kinës. Shqiptarët e kremtuan këtë festë dhe në Universitetin e Tiranës u organizua një ceremoni ku më ftuan të ulesha në tribunë. Studentët më dhuruan një lule asparagusme rastin e festës. E mbolla lulen dhe kur u largova nga Shqipëria pas 3 vitesh ishte në gjendje të mirë. Meqë kisha shumë bagazhe nuk arrita ta marr me vete në Kinë.
Dega e gjuhës anglezenë Universitetin e Tiranës ishte një degë e re, ndaj kishte mungesa dhe shpjegimi i mësimit nuk ishte në nivel të lartë. Megjithatë ndjeja respektin e kolegëve dhe të studentëve të mi shqiptarë. Në leksionin e parë dekani i fakultetit më takoi me studentët. Ai mbajti një fjalim dhe unë iu drejtova të pranishmëve me fjalët se isha shumë krenar që mund të shtoja një tullë në urën që lidh Evropën me Azinë. Kjo fjali përdoret shpesh sepse të gjithë mendojnë se është vërtet kështu. Në atë atmosferë nëse përballeshim me probleme i zgjidhnim thjesht dhe me mirëkuptim. Përshembull përsa i përket kushteve të shpjegimit të leksioneve, studentët më mirëkuptonin. Miqësia midis dy vendeve hyri në zemrat e të dy popujve . Kjo miqësi shfaqej në jetën e përditëshme dhe e ndjeje gjithmonë dhe kudo. Në fund të vitit akademik, dekani më vlerësoi si profesor të dalluar dhe më dha një çmim. Për marrjen e çmimit që në fakt ishte një fond pyeta në ambasadën tonë dhe më thanë se nuk duhet ta merrja, pasi duhet të ndihmonim shqiptarët. Kështu ishte në atë kohë dhe ne përpiqeshim të kryenim sa më mirë punën tonë.
Gazetarja: Kanë kaluar mbi 50 vjet por ju keni ruajtur suveniret që ju kanë dhuruar ish studentët dhe kolegët shqiptarë. Mund të na flisni për këtë ?
Zhang Zailiang: Periudha 3 vjeçare nga 1963-1966 ishte më e bukura në jetën time. Shkova në Evropë për të dhënë mësim të gjuhës angleze që ruaj kujtime me vlerë. Edhe tani e ndjej aromën e mrekullueshme të mimozave. Prandaj shumë gjëra ruhen si kujtime, pasi unë kalova 3 vite të bukura të jetës sime në moshën 30 vjeçare.
Gazetarja: Kjo ishte mosha e artë. A patën ndikime këti vite në jetën tuaj ?
Zhang Zailiang: Ndikimi më i madh janë idetë e reja. Kur isha në Kinë punoja në Universitet dhe ishte një ambjent i vogël. Kur dola jashtë Kinës si në ish Bashkimi Sovjetik, Hungari dhe pastaj në Shqipëri mësova shumë gjëra të reja. Niveli i jetesës atje ishte më i lartë se në Kinë atë kohë. Mund të analizoja situatat e ndryshme dhe më ndikuan në zhvillimin tim.
Në programin e sotëm ndoqët eksperiencën e profesorit Zhang Zailiang të Institutit të Gjuhës Angleze të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Ai ka dhënë leksione të gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës nga viti 1963 deri në vitin 1966, duke ndihmuar në krijimin e departamentit të gjuhës angleze dhe krijimin e metodave të reja të mësimdhënies në këtë degë.