20141030Palimsest1 |
Librat janë udhëheqësi më i mirë në jetë. Këtë e ka thënë holandezi Wilt Idema, që prej 50 vjetësh studjon gjuhën dhe letërsinë klasike kineze, duke u shquar si sinolog. Që në fëmijëri Wilt kujton përshtypjen e madhe që i pati bërë përshkrimi i Kinës nga Nobelisti dhe njëherësh fitues i çmimit prestigjioz Pulitzer, Pearl S.Buck. Më vonë ai nisi të lexonte libra të letërsisë klasike kineze dhe të harxhonte ditë të tëra Bibliotekën Kombëtare të Kinës.
Tashmë një 70 vjeçar, sinologu holandez tregon për romancën e tij gati 50 vjeçare me Kinën dhe kulturën e saj të jashtëzakonshme dhe unike. Gjatë një vizite kohët e fundit në Pekin Wilt ishte i vetmi perëndimor i ftuar për të marrë pjesë në Programin Kërkimor të kulturës orientale, një projekt vjetor i Shoqatës Ndërkombëtare Kulturore të Kinës.
Sinologu Idema ka punuar si drejtor i Departamentit të Gjuhës dhe Kulturës kineze pranë Universitetit të Leidenit në Hollandë, si dhe drejtor i Qendrës së Harvardit për Kërkime të Azisë Lindore.
Hollandezi Idema ka studjuar literaturën e lashtë kineze dhe ka përkthyer një sërë veprash të saj në anglisht dhe në gjuhë të tjera.
Ai e nisi studimin e gjuhës kineze që në shkollë të mesme, pasi dëshira e tij asokohe ishte " të mësonte një gjuhë të lashtë, që eshte është aktive".
"Atëkohë dija pak për Kinën , por u ndikova shumë nga sinologu i njohur hollandez Robert van Gulik." Më pas ai studjoi në Universitetin e Leidenit, kulturën kineze dhe ishte një sfidë e madhe për të gjetja e mundësive të praktikimit të gjuhës. Ai kujton se mësuesit e tij nuk flisnin kinezisht dhe për të në atë kohë ishte e pamundur të studjonte në Kinë. Wilt tregon se pas përfundimit të kolegjit ai nuk ishte një gjendje as të shqiptonte një frazë të vetme në kinezisht, pavarësisht se lexonte dhe shkruante rrjedhshëm në këtë gjuhë. Më pas ai ndoqi studimet akademike në Japoni, ku ai u familjariza me ngjashmërinë mes dy gjuhëve. Ai zbuloi pasionin për gjuhën kineze , kur një profesor japonez e njohu me disa vepra që i përkisnin periudhës së dinastisë kineze Yuan(1271-1368). Wilt nisi ti përkthente këto vepra në gjuhët perëndimore. Ai adhuron lirikën poetike dhe vlerat artistike që bartin këto vepra të letërsisë klasike kineze.
Vizita e parë në Kinë
Sinologu i njohur holandez Wilt vizitoi për herë të parë Kinën në vitin 1978. Si një perëndimor që njihte gjuhën dhe kulturën kineze ai ishte ftuar të punonte si guidë dhe përkthyes për një grup turistik. Kur kujton vizitën e tij të parë, Wild thekson se ndryshimet që nga ajo kohë në Kinë janë të jashtëzakonshme. Pas këtij takimi të parë me Kinën sinologu holandez është rikthyer shumë herë për të studjuar por dhe për të dhënë leksione . Ai tregon se pas hapjes së Kinës në vitet 8-të në vendet perëndimore nisi "Kino-mania", pasi kureshtia për të njohur këtë vend të madh ishte e pakufi jo vetëm në rradhët e studjuesve, por dhe të qytetarëve të thjeshtë. Në një kohë kur pjesa më e madhe e perëndimorëve interesohej për ekonominë kineze dhe modernizimin e saj holandezi Idema vazhdonte të eksploronte kulturën, letërsinë tradicionale.
Ai ka kryer shumë studime për Kinën ndër vite dhe duke e vizituar atë shpesh si dhe falë kontakteve me studjues kinezë,Wilt arriti të mblidhte gjithnjë e më shumë materiale dokumentare autentike. Ai kujton se vitet e para të vizitave të tij në Kinë bagazhi i tij ngarkohej me libra në gjuhën kineze që i shërbenin si pika referimi për studimet e tij kushtuar këtij vendi, por tashmë interneti e ka lehtësuar mjaft punën e studjuesit holandez.
Në intervistën për median kineze sinologu holandez thotë se vitet e fundit studimet e tij janë fokusuar tek folklori dhe shoqëria kineze.
"Kultura tradicionale kineze është një pasion i madh. Kam 50 vjet që e studjoj dhe do të vazhdoj punën time në këtë fushë," thotë profesori, tashmë në pension, por i lidhur pazgjidhshmërisht me Kinën.(Eda Merepeza)