20141016Dragoi |
Kina është një vend në ndryshim të vazhdueshëm dhe të shpejtë. Kina e sotme nuk është e njëjta me Kinën e 20, 10 apo 5 viteve më parë. Në materialin e sotëm fokusohemi tek disa prej ndryshimeve të saj në 5 vitet e fundit.
1. Si kanë ndryshuar supermarketet
Sot në supermarketet kineze gjen më shumë produkte të importuara se 5 vite më parë. Me shtimin e numrit të të huajve në metropolet kineze si Pekin apo Shangai, në raftet e supermarketeve gjen gjithnjë e më shumë produkte të importuara. Në vitin 2009 këto zgjedhje ishin të kufizuara. Ata të cilët nuk mund të jetojnë dot pa spaghetti apo pa çokollatat belge, tashmë mund të gjejnë ç'të duan, që nga djathi danez, kremvicet gjermane, çokollatat ruse, caviar-i, lloje të ndryshme djathërash etj. Të gjitha këto gjendet fare kollaj sot në frigoriferin e çdo të huaji në Kinë.
2. Restorante nga e gjithë bota
Vitet e fundit, sidomos në Pekin, janë hapur restorante të mrekullueshme nga kuzhina të ndryshme të botës.
Në Pekin, krahas ushqimeve autentike vendase, gjen pa problem kuzhinën e vendit tënd. Sot Pekini është i mbushur me restorante të huaja ku serviret ushqim fantastik përfshi kuzhinën franceze, gjermane, italiane, japoneze, ruse, aziatike, meksikane etj. Nëse vizitoni sot Kinën dhe nëse nuk jeni një fans i kuzhinës kineze, mos u shqetësoni nga fakti se çfarë do hani. Në Pekin, Shangai, Guangzhou apo dhe në qytetet të tjera të mëdha do kënaqeni me ushqimet ndërkombëtare, madje do të keni mundësi të provoni shije që nuk i kishit provuar më parë. Sot Kina është shndërruar në një parajsë të ushqimeve botërore.
Në ditët e sotme, gjithnjë e më shumë të huaj zgjedhin të jetojnë në Kinë, pasi Kina sot ka epërsi në shumë fusha, kryesisht atë ekonomike. Mirëqënia e banorëve është rritur ndjeshëm, po ashtu dhe kërkesa e tyre është rritur lidhur me mënyrën e të jetuarit, me mirëqënien.
Me gjithë këto ndryshime, Kina nuk është më ai vendi në fund të botës ku duhet të marrësh pirun me vete nëse nuk ha dot me shkopinj.
3. Cilësia e mallrave
Ok, mund të ketë ende produkte që nuk janë origjinale, por cilësia e pjesës më të madhe të tyre ka ndryshuar përtej imagjinatës. Tani, Kina ofron produkte që arrijnë standardin botëror duke nisur që nga makinat e deri tek telefonat celularë. 5 vite më parë telefonat japonezë dhe koreanë ishin më të njohur për shkak të cilësisë së tyre. Por, sot kjo gjë ka ndryshuar. Në ditët e sotme gjithnjë e më shumë njerëz përdorin telefonat e markave Xiaomi ose Nubia. Nubia madje përdoret edhe nga zonja e parë e Kinës, Peng Liyuan, sharmante.
Gjigantë të tjerë kinezë përfshi kompaninë e automjeteve Great Wall si dhe kompaninë e telekomunikacionit Huawei dhe kompaninë e famshme të kompjuterëve Lenovo.
Në fillim të vitit 2012, qeveria braziliane kërkoi oferta në mbarë botën për sistemin e telekomunikacionit për Kampionatin Botëror të Futbollit. Për shkak të potencialit të lartë teknik dhe përvojës së përparuar, Huawei mposhti shumë kundërshtarë dhe fitoi kontratën.
Huawei ndërtoi rrjetin e telekomunikacionit në disa stadiume të Kampionatit Botëror duke dhënë shërbimin 4G në 9 stadiume dhe shërbimin 3G në 12 qytetet organizuese.
Për shoqërinë Huawei, kjo nuk është hera e parë e pjesëmarrjes në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare si Kampionati Botëror i Futbollit, pasi Huawei ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit, në Kampionatin Botëror të Futbollit të Afrikës së Jugut etj. duke dhënë shërbim profesionist telekomunikacioni
4. Trenat me shpejtësi të lartë
Edhe kjo ka ndryshuar me shpejtësi, në fakt me shumë…. shpejtësi. Kina sot ka rrjetin më të madh hekurudhor në botë për trenat e shpejtësisë së lartë.
Ky rrjet pritet të zgjerohet më tej në 3-4 herë gjatë 10-20 viteve të ardhshëm.
Në fund të vitit 2012 u vu në funksionim linja më e gjatë e hekurudhës me shpejtësi të lartë në botë, ajo mes Pekinit dhe Guangzhout. Me këtë linjë, 2298 kilometra të gjatë, udhëtimi nga kryeqyteti Pekin për në Guangzhou të Kinës Jugore është shkurtuar në 8 orë, nga 30 orë që ishte më parë.
Në Kinë linja e parë hekurudhore me shpejtësi të lartë, që filloi të ndërtohej në vitin 1999, ishte nga Qinhuangdao afër Pekinit për në Shenyang të Kinës Verilindore. Deri në fund të vitit 2013, në Kinë janë ndërtuar gjithsej 11 028 km hekurudhë me shpejtësi të lartë, duke zënë 50 % të gjatësisë së përgjithshme të këtyre hekurudhave në shkallë botërore. Përveç kësaj, janë në ndërtim edhe 12 mijë kilometra hekurudha të tilla. Ndërkohë, hekurudha me shpejtësi të lartë e Kinës ofron transport vërtet të shpejtë. Shpejtësia më e madhe në funksionim real është 380 kilometra në orë, ndërsa shpejtësia maksimale në testim mund të arrijë në 486.1 km/orë. Me një zhvillim kaq të shpejtë të hekurudhës me shpejtësi të madhe, sistemi hekurudhor kinez ka tashmë gjatësinë më të madhe, ritmet më të shpejta të ndërtimit dhe shpejtësinë më të lartë në mbarë botën.
Kina ka paraqitur projektin e saj më të ri për t'u lidhur me botën përmes një linje hekurudhore. Parashikohet që në këtë plan, linja mes Pekinit dhe SHBA-së, të bëhet përmes një linje nënujore, me një gjatësi 13,000 km.
The Indipendent, raporton se Akademia e inxhinierisë Kineze ka planifikuar ndërtimin e linjës hekurudhore, duke kaluar përmes Rusisë, Siberisë, nëpër ngushticën e Beringut në Alaska, Kanada dhe në fund drejt SHBA-së.
Ndërkohë, parashikohet të ndërtohen dhe linja të tjera, siç është ajo për në Londër-Paris, Berlin dhe Moskë, duke përshkuar një rrugë të dytë drejt Europës, për të arritur në Gjermani nëpërmjet Iranit dhe Turqisë. Ky do të jetë një projekt ndërkombëtar.
Inxhinierët kanë menduar dhe për një linjë me vendet e tjera Pan- aziatike, ku do të bëhet e mundur lëvizja e shpejtë me Singaporin, Vietnamin, Kamboxhian, Tajlandën dhe Malajzinë, projekt ky në realizim e sipër. Ndërkohë, propozimet për linjat hekurudhore nga Kina në Afrikë janë duke u hartuar.
Sipas inxhinierëve, për të shkuar nga Kina drejt Rusisë do të duhen dy ditë, me një shpejtësi 220mph.