20141015SHQI |
Në Ambasadën e Shqipërisë në Pekin u zhvillua më 14 tetor simpoziumi me temë "Takimi i ish studentëve kinezë në Shqipëri 50-60 vjet më parë", zhvilluar në kuadër të veprimtarive me rastin e 65 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Kinë-Shqipëri. Të pranishëm ishin anëtarë të Shoqatës së shkollarëve kinezë të kthyer nga Perëndimi, ish specialistë kinezë të fushave të ndryshme që kanë kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë, gazetarë kinezë dhe shqiptarë të CRI shqip dhe Radio Ejani 106 FM, studentë shqiptarë në Kinë dhe të ftuar të tjerë.
Simpoziumin e hapi ambasadori i Shqipërisë në Pekin, zoti Kujtim Xhani, i cili ndër të tjera vlerësoi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe kontributin e çmuar të specialistëve kinezë në zhvillimin e Shqipërisë në vitet 60-70-të të shekullit të kaluar. Nënkryetarja e Degës së Evropës Qendrore dhe Lindore e Shoqatës së Shkollarëve Kinezë të kthyer nga Perëndimit, zonja Hë Daming(Drita) njëherësh drejtuese veterane e seksionit të shqipes në Radion e Jashtme të Kinës (CRI) solli kujtime emocionuese nga jeta studentore dhe bashkëpunimi mbi 4 dekada me Shqipërinë. Miqësia tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë ndër vite, kontributi i specialistëve kinezë në Shqipëri dhe mbresat e ish studentëve kinezë ishin në fokus të kumtesave të ish ambasadorit të Kinës në Shqipëri, Fan Chengzuo, ish drejtores së Zyrës së Pritjes së delegacioneve të huaja pranë Bashkisë së Shangait, zonja Hua Daming si dhe disa prej të ftuarve. Gazetarja Çang Çuo foli rreth filmit dokumentar "Kujtojmë për të mos harruar" realizuar nga CRI shqip dhe Radio Ejani në bashkëpunim me Televizionin Shqiptar, i cili pritet të shfaqet së shpejti në Shqipëri dhe të konkurojë ne festivale ndërkombëtare filmi. Takimi u mbyll me këngë e valle shqiptare të të pranishmëve si dhe një koktejl për të ftuarit nga Ambasada e Shqipërisë në Kinë.