">Rrjetet sociale dhe privatësia<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Rrjetet sociale dhe privatësia
  2014-10-13 17:39:57

Mos e bëj shefin mik në rrjetet sociale

"Privatësia juaj mund të dëmtohet nëse e ke mik shefin në rrjetin social WeChat"

Xiao Xin u ankua në rrjetin social tepër popullor në Kinë, Weibo, se kur kishte vendosur disa fotografi të saj gjatë një udhëtimi pune, shefi i kishte dërguar një mesazh ku i shkruante "ke vajtur për punë atje, jo për qejf!"

Xiao Xin hoqi dorë nga postimi i fotove, madje i fshiu ato. Ajo ankohet se ka ndjesinë se gjatë gjithë kohës është survejuar në rrjetin social nga shefi. Madje është penduar shumë që i ka kërkuar miqësi në të.

Kjo nuk është gjë e re për frekuentuesit e rrjeteve sociale, të cilët përveç miqve, familjarëve, kolegëve, apo të njohurve kanë mik dhe shefin. Për këtë dukuri ka opinione të ndryshme dhe siç ndodh shpesh të kundërta.


Foto: Zilla van den Born/REX / 东方IC

Disa janë kundër përfshirjes së punëdhënësit në rrjetet sociale. Të tjerë mendojnë se është diçka e mire të komunikosh me punëdhënësin në rrjetin social. Por në mes të opinioneve pro dhe kundër qëndron privatësia.

Një vëzhgim me të dhëna interesante

Gazeta "Laodong Daily" ka kryer një vëzhgim online ku janë përfshirë rreth 580 ndjekës rrjetesh sociale. Nga këta 60 % janë kundër pranisë së shefit në listen e miqve të rrjeteve sociale, pasi mendojnë se u cënohet privatësia.


Foto: Zilla van den Born/REX / 东方IC

Sipas vëzhgimit të kësaj të përditëshmeje kineze 46 % e të anketuarve thonë se e kanë punëdhënësin mik në WeChat, por 57 % e tyre e kanë bërë këtë të detyruar nga rrethanat.

Kuptohet lehtë se kanë qenë të detyruar të shtojnë shefin në listen e miqve të rrjetit social. Një tjetër aspekt i vëzhgimit online tregon se 36.61 % e të pyeturve, do të dëshironin ta bllokonin shefin, kur publikonte të dhëna personale.


Foto: EDCS / 东方IC

Disa përdorues të rrjeteve sociale janë të shqetësuar se duke e patur shefin mik në to, nuk mund të ankohen për punën, sepse shefi do të krijojë përshtypje të keqe për ta. Disa të tjerë mendojnë se shefi e përdor rrjetin social për ti përgjuar.

"Nuk e kam problem të publikoj gjëra në rrjetin social WeChat gjatë orarit të punës . Por mund të jetë e rrezikshme se shefi mund ta shohë dhe të mendoj se nuk punoj sa duhet. Kam pengesë të publikoj çdo gjë, kur mendoj se mund të ma shohë shefi në rrjet social", shprehet një përdorues i We Chatit.

Ka dhe 42.72 % të përdoruesve të rrjetit social, të pyetur nga organizuesit e vëzhgimit, që thonë se diskutojnë me shefin për punën.

Rrjetet sociale në Kinë

Interneti në Kinë ka një zhvillim marramendës dhe kurrë më pare nuk ka qenë kaq i përhapur. Kompanitë vendëse të internetit tashmë janë pjesë e kompanive lider jashtë vendit, ku përfshihen ato të sektorit të industrisë, të atij hekurudhor të shpejtësisë së lartë etj.

Sipas një studimi të kohëve të fundit të Institutit Global McKinsey, interneti në Kinë pritet të shënojë një rritje nga 0.3- 1 % të prodhimit të brendshëm bruto të Kinës në periudhën 2013- 2025.

Parashikimi avanson me shifrat 7- 22 % për vitin 2025, e barazvlefshme me 4 trilion yuan (ose 650 miliardë dollar).

Ndër rrjetet sociale më të përhapura në Kinë përmendim QQ që është i ngjashëm me shërbimin Messenger të MSN, We Chat i ngjashëm me WhatsApp dhe Weibo që është i ngjashëm me Twitter-in. Ndonëse në fillim prodhimet kineze të internetit konsideroheshin si imitime, tashmë ato kanë shënuar novacione. Po të krahasojmë WeChat-in me WhatsApp, rrjeti kinez ka përparuar shumë krahasuar me atë perëndimor, madje shumë firma perëndimore interneti kanë kërkuar bashkëpunim me tregun kinez, për të përfituar nga përvoja e tij.

Një opinion interesant lidhur me zhvillimin e shërbimeve të internetit në Kinë jep drejtori ekzekutiv i UCWeb, shpërndarësi më i madh në Kinë i shërbimeve të internetit, Yu Yongfu. Ai vëren se shërbimi online i internetit lidhet me mënyrën e jetesës. Nëse në SHBA dhe Europë, thotë Yu njerëzit nxitojnë të ngasin makinën për në vendet e punës, pjesa më e madhe e aziatikëve qarkullojnë me mjetet publike të transportit. Ndaj përdoruesit aziatikë të smartphonëve shpenzojnë së paku 2 orë në ditë në shërbimet online. (Eda Merepeza)