20141013Hotpot1 |
"Motivi i punës sime të përditëshme është që pacientët e prekur nga virusi HIV të trajtohen në mënyrë të barabartë në strukturat shëndetësore, të jetojnë normalisht dhe pa u diskriminuar."
Këtë e thotë zonja Wang Kerong, infermiere e angazhuar në luftën kundër SIDA-s në Kinë dhe kryetare e organizatës "Shtëpia e fjongos së kuqe", që ndihmon të prekurit nga virusi HIV në ambjentet e Spitalit Ditan në Pekin.Tashmë 51 vjeçare zonja Wang ka një karrierë të gjatë në sektorin e luftës kundër sëmundjeve infektive dhe parandalimin e tyre që nga viti 1984. Në 1997 ajo u specializua për trajtimin e të sëmurëve të prekur nga SIDA në Kinë.
Ajo punon me përkushtim të dalluar jo vetëm gjatë orarit të punës por kurrë nuk e fik celularin e saj, për të pritur nëse ndonjë pacient ka nevojë për të. Falë punës së saj dhe organizatës që drejton numri vjetor i viktimave të SIDA-s në provincën Henan është ulur nga 100 në më pak se 10 vetë. Ajo ka zhvilluar një punë mjaft të madhe dhe cilësore për kualifikimin e ekipit mjekësor në parandalimin dhe trajtimin e të sëmurëve me virusin vdekjeprurës, duke udhëtuar anembanë Kinës. Organizata e drejtuar prej saj ka trajnuar që nga viti 2001, mbi 10 mijë infermierë në mbarë vendin,të specializuar për pacientët e prekur nga virusi HIV. Pas një specializimi në Britaninë e Madhe në vitin 2002, infermierja Wang nisi të praktikonte dhe në spitalin ku punon metodat e reja të trajtimit të personave të prekur nga SIDA, përfshirë edhe menaxhimin, edukimin, konsultimin, ndihmën psikologjike, përdorimin e medikamenteve, kujdesin familjar ndaj tyre, por dhe pranimin shoqëror.
Numri i punonjësve vullnetarë në organizatën "Shtëpia e Fjongos së Kuqe" të drejtuar nga infermierja Wang ka tejkaluar shifrën 1 mijë. Ajo është nderuar me shumë çmime për kontributin e dhënë në luftën kundër SIDA-s, brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilët dhe Çmimi Barry& Martin, i dhënë në 2005.
Pavarësisht strukturave spitalore në vend të cilat merren gjerësisht me parandalimin, trajtimin dhe ndërgjegjësimin lidhur me këtë sëmundje vdekjeprurëse, individë si kjo infermiere kineze janë gjithmonë shembuj nxitës për veprimtarinë shoqërore dhe humane.
Trajtimi i virusit HIV- një çeshtje globale
Më 28 shtator autoritetet kineze të shëndetësisë i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë masa më efektive në zhvillimin e mbarë botës. Ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi në fjalën e mbajtur gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, të zhvilluar në fund të shtatorit në selinë e OKB-së në Nju Jork, vuri në dukje se viti i ardhshëm shënon afatin e fundit të nismës së Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Ndër të tjera ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar përballet me sfida si ulja e varfërisë, eliminimi i urisë, sigurimi i shëndetit të popullsisë dhe kujdesi shëndetësor ndaj gruas dhe fëmijës, arsimimi, por edhe sfida të reja si ndryshimet e klimës, sigurimi i burimeve të energjisë etj.
Kryediplomati kinez Wang e cilësoi axhendën e pas Zhvillimit të Mijëvjeçarit si një mision historik për vendet e botës.Ndër të tjera ai nënvizoi se Nisma e Zhvillimit të Mijëvjeçarit përbëhet nga 8 synime të rëndësishme, ndër të cilët dhe ulja e numrit të të prekurve me virusin HIV/AIDS. Ai kërkoi bashkëpunim në nivel ndërkombëtar për realizimin e axhendës së OKB-së, që pason Nismën e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Sipas statistikave zyrtare deri në vitin 2012 në Kinë numëroheshin 434 mijë të prekur me HIV/AIDS.
(Eda Merepeza)