">Turistë kinezë, klientë tërheqës<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Turistë kinezë, klientë tërheqës
  2014-10-13 17:38:34

Nga 1 deri më 7 tetor ishte pushimi njëjavor me rastin e Ditës Kombëtare të Kinës. Vizitat turistike janë tepër të pëlqyera për kinezët, por vitet e fundit shumë prej tyre zgjedhin destinacione jashtë vendit për të kaluar javën e artë të pushimit.

Më 4 tetor, duke komunikuar me miqtë që ankoheshin në media sociale për fluksin e vizitorëve në pika të njohura turistike në vend, zonjusha Sun po shijonte peizazhin e bukur natyror në ishullin Cheju Do të Koresë së Jugut. "Vitin e kaluar, shkova në periferi të Pekinit, por kudo ishte plot me makina dhe njerëz. Nga mediat mësova se kjo gjendje nuk ishte vetëm në Pekin, por edhe në qytete të tjera të vendit. Sa herë më kujtohej deti pa fund i njerëzve dhe trafiku i rënduar, më humbte dëshira të kaloja pushimin njëjavor në Kinë. Prandaj, këtë herë erdha në Korenë e Jugut", tha znj. Sun.

Fluksi i turistëve gjatë pushimit ka ekzistuar prej kohësh dhe sivjet nuk pati tendencë pakësimi. Siç mësohet, vetëm deri në orën dy pasdite të ditës së parë të pushimit, më 1 tetor, Pallati i Dimrit në Pekin ka pritur mbi 70 mijë vizitorë. Është raportuar gjithashtu se në të gjitha pikat turistike të mbarë vendit, rrugët ishin tepër të ngarkuara dhe turistët duhet të rrinin në rradhë, që nga restorantet e deri tek shërbimet e ndryshme turistike.


Foto: 许丛军 / 东方IC

Nga njëra anë është kapaciteti i kufizuar i pritjes së pikave turistike të vendit, kurse nga ana tjetër janë politikat e favorshme për turizëm jashtë vendit. Deri më 24 qershor, mbi 49 vende e rajone të botës kanë thjeshtuar më tej procedurat e dhënies së vizave për turistët kinezë. Ndërkohë, vlera e monedhës kineze RMB është rritur 30% vitet e fundit, duke nxitur konsumin e vizitorëve kinezë.

Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2013, kinezët blenë 102 miliardë dollarë amerikanë produkte luksoze, gati gjysma e këtij tregu botëror. Ndërsa, dhjetë vendet më të pëlqyera për turistët kinezë janë Zelanda e Re, ShBA-ja, Kanadaja, Australia, Singapori, Italia, Tajlanda, Britania e Madhe, Franca dhe Korea e Jugut.

Lidhur me këtë, z. Dai Bin, drejtor i Akademisë Kineze të Turizmit u shpreh se ai nuk do të habitej nëse sheh një ditë se turistët kinezë janë figura e koopertinës së revistës "TIME" sepse "ata tani janë bërë një ndër temat më të diskutuara në botë".

Në programin e televizionit CNN-s, "On China", temë kryesore është si të plotësohen kërkesat e turistëve kinezë. Ndërsa, në Panairin e 48-të Ndërkombëtar të Berlinit për Turizmin, që u organizua marsin e sivjetshëm, pronarët e hoteleve më të njohura të filialeve botërore morën pjesë për ofrimin e shërbimeve në përputhje me kërkesat e turistëve kinezë.


Foto: 东方IC

Arsyeja e mirëpritjes së turistëve kinezë në botë është shifra gjigante dhe pasioni i tyre për të bërë shopping. Vitin e kaluar, mbi 98 milionë kinezë shpenzuan 128 miliardë dollarë amerikanë. Kurse vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, turistët kinezë kanë shpenzuar mbi 70 miliardë dollarë amerikanë. Pavarësisht në Francë, Kore të Jugut ,Britani apo Singapor, turistët kinezë kontribuojnë më shumë në zhvillimin e turizmit dhe të tregut vendës të shitjes me pakicë.

Kohët e fundit,Organizata Botërore e Turizmit publikoi një raport, ku vihet në dukje se bërja e pazarit është edhe një ndër qëllimet kryesore të turistëve kinezë dhe shitësit me pakicë në botë duhet të bëjnë më shumë për përmirësimin e shërbimeve përkatëse.

Në fakt, reagimi në treg është më i shpejtë. Në një sondazh të zhvilluar vitin e kaluar nga bashkia e Londrës, mbi 30% e restoranteve dhe njësive tregtare kanë punësuar ndihmës , që mund të flasin kinezisht. Një pjesë e tyre kanë bërë edhe fletë-palosje ose menu në gjuhën kineze. Në Selfridges, një ndër mapot më të njohura të Londrës, në pavijonet e çdo produkti luksoz si LV, Burberry etj., ka shitës kinezë.

Jo vetëm në Britani, por edhe në qendrat tregtare japoneze dhe jugkoreane, punonjësit që dinë kinezisht janë të parapëlqyer.

Ndryshimet ndodhin jo vetëm në tregun e shitjes me pakicë, por edhe në hotele, madje edhe në kompanitë ajrore .

Para 10 vjetësh, turistët kinezë mund të habiteshin dhe prekeshin shumë kur dëgjonin "Ni'hao"(përshëndetje në kinezisht) në vende të huaja. Por tani, kuzhina kineze dhe shërbimet në gjuhën amtare nuk janë diçka e re për ta. Në vitin 2011, hoteli "Hilton" ka nisur planin "Ju mirëpret Hiltoni", nëpërmjet të cilit, u ofron klientëve kinezë eksperienca më të këndshme në çdo detaj , sado të vogël shërbimi.

Kurse, kompania e avionit "Emirates Airlines" fitoi shumë udhëtarë kinezë pasi ngriti peshën e kufizimit të bagazheve. Çdo javë ka mbi 35 fluturime që lidhin Dubai-n me Pekinin, Shangain dhe Guangzhou-n. Megjithatë, rezervimi i biletës duhet të bëhet disa javë përpara, sepse për ndryshe, nuk mund të kryhet udhëtimi sipas planit.


Foto: MayoKyo / 东方IC

Ndërkohë që , turistët kinezë po bëhen gjithnjë e më tërheqës në pikat turistike jashtë vendit, "përplasjet kulturore" dhe sjelljet e papërshtatshme të tyre shqetësojnë ofruesit e huaj të shërbimeve.

Znj. Huang Chenwei është guidë e një agjencie turistike në Shangai, që shoqëron grupe turistësh jashtë vendit. Thotë se i vjen turp sa herë sheh sjellje të padenja të bashkëatdhetarëve dhe kur kalon doganën vë re tabela ku shkruhet vetëm në gjuhën kineze për të lajmëruar udhëtarët të rrinë në rradhë, të mos hedhin plehra në tokë etj.

"Nuk dua që vendësit t'i quajnë turistët kinezë 'portofol lëvizës'. Ata duhet të sillen më mirë dhe të mos u krijojnë përshtypje të tjerëve se 'janë veç të pasur me para' ", tha znj. Huang.

Ndërkohë, mosmarrëveshjet kanë të bëjnë edhe me zakonet e ndryshme në Kinë dhe vende të tjera. Për shembull në disa krahina të Kinës, njerëzit janë mësuar të thërrasin kamerierin me zë të lartë dhe nuk japin bakshish. Mirëpo, komunikimi me zë të ulët dhe dhënia e bakshisheve janë të domosdoshme në shumë vende.

Për të eliminuar fenomene të tilla, para nisjes së pushimit njëjavor të kësaj here me rastin e Ditës Kombëtare, në televizionet kineze nisi transmetimi i programeve propaganduese për t'i këshilluar shikuesit të kenë më shumë kujdes me sjelljet e tyre, kur vizitojnë vende të huaja.