20141009Palimsest1 |
Mariah Carey në Kinë
Ylli i muzikës pop Mariah Carey nis më 10 tetor një tur koncertesh nga Pekini për të vizituar edhe 4 qytete të tjera të Kinës, kanë theksuar organizatorët për mediet vendëse.
Carey, do të këndojë këngët e saj më të njohura por edhe këngë të reja dhe është një nga yjet më të të njohur ndërkombëtare që do të performojë në "Stadiumin e punëtorëve" në Pekin. Koncerti i fundit i saj në Kinë u zhvillua në Shangai në nëntor të vitit 2003. Albumi i ri i këngëtares "Me. I Am Mariah... The Elusive Chanteuse," i publikuar në maj të këtij viti, është pritur mire nga publiku dhe kritika muzikore.
Vetë këngëtarja njoftoi në gusht se me "The Elusive Chanteuse Show" për të publikuar albumin e ri të saj do të qëndronte për 12 ditë në kontinentin aziatik. Në website-n e saj zyrtar Carey ka shkruar: "Dua të provoj spontanitetin dhe emocionet e albumit tim të ri, duke e prezantuar tek fansat e mi dhe duke e ndarë këtë eksperiencë me ta. Nuk do të ndalem së krijuari këngë, ndaj mos u befasoni nëse në concert do të interpretoj një këngë të kompozuar një natë më pare në qytetin tuaj !". Me sa duket tepër suprprizuese do të jetë këngëtarja e madhe për fansat e saj të shumtë në Kinë. Ata janë të moshave të ndryshme dhe madje edhe të rinjtë e parapëlqejnë këtë yll të muzikës botërore. Këngët e saj janë tepër të përhapura në mbarë Kinën dhe më së shumti ato dëgjohen nëpër baret e ndryshme si dhe këndohen live nga këngëtarët kinezë.
Kalendari i koncerteve në Kinë
"The Elusive Chanteuse Show" është titulluar tuneu aziatik i Mariah Carey e cila në 4 dhe 6 tetor ka performuar në Tokjo dhe Yokohama, ku gëzon një popullaritet të madh, pas shitjes së albumeve të saj.
Përsa i përket koncerteve në Kinë, Carey më 10 tetor performon në "Stadiumin e punëtorëve" në Pekin, më 12 tetor në "Qendrën e sporteve" në Chengdu, për të vijuar me 15 tetor me koncertin në Qendrën Olimpike të Sporteve në Chongqing dhe më 17 tetor në "Stadiumin e Lojrave Olimpike në Tianjin dhe për të përfunduar turneun në Kinë me koncertin më 19 tetor në Stadiumin e Lojrave Olimpike të Shangait.
Foto: INB / 东方IC
Sipas organizatorëve diva e muzikës pop Carey ka realizuar tashmë promocione për secilin qytet të Kinës ku do të performojë, përmes të cilëve ka përshëndetur fansat e saj të shumtë kinezë. Ashtu si dhe këngëtarë të tjerë me famë botërore dhe Carey e vlerëson shumë tregun aziatik të muzikës, ku ajo ka fansa të shumtë. Por Kina sigurisht që është një nga vendet e mëdha ku kjo këngëtare gëzon popullaritet. Ajo kthehet me turne pas 11 vitesh kur edhe numri i albumeve muzikorë të saj është shtuar, duke shtuar në të njejtën kohë famën dhe fitimet e këngëtares. Mariah Carey është këngëtarja që ka realizuar më shumë shitje në të gjitha kohërat, me një record prej 220 milion kopje albumesh muzikore, ndër të cilët "Fantasy," "Always Be My Baby," "Hero," "One Sweet Day" dhe"We Belong Together".
Ajo është një artiste shumëplanëshe me një vokal të spikatur, kantautore e vlerësuar dhe me artin e saj në muzikën pop ka kontribuar thellësisht. Mariah Carey shquhet si këngëtare, kantautore dhe producente dhe për këtë është nderuar me disa Çmime Grammy, 21çmime nga " American Music", çmime si "Artiste e 10 vjeçarit", "Artistja me më shumë albume të shitura e mijëvjeçarit", Çmimi i Ikonës, për ecurinë e saj të shkëlqyer në fushën e muzikës. Për turneun në Kinë të këngëtares së njohur Mariah Carey me siguri do të flasim dhe në rubrikën e ardhëshme me informacione kulturore dhe artistike nga Kina. (Eda Merepeza)