20141006kinasotjingji |
Sigurisht që secili prej nesh e di ku shkoi rroga e muajit, madje dhe e vitit, por a e dini për çfarë shpenzojnë më shumë kinezët? Një raport statistikor së fundit zbuloi përgjigjet e këtyre sekreteve për kinezët.
Më 24 shtator, me bashkëpunim me Drejtorinë Kombëtare të Statistikave, China Post, kanali i dytë ekonomik i Televizionit Qendror të Kinës CCTV 2 publikoi raportin "Sondazh për Jetën Ekonomike të Popullit Kinez 2013-2014", ku nëpërmjet informacioneve të pasura shifrore shpjegon në çfarë fushash shpenzojnë më shumë kinezët dhe çfarë mendimi kanë ata për jetën e tyre ekonomike.
Foto: 吕建设 / 东方IC
Në raport përfshihen sondazhe për 13 aspekte të jetës së popullit kinez, si konsumi, investimet, planifikimi financiar, besimi tek të ardhurat, koncepti për lumturinë etj. Siç mësohet, konkluzionet përfaqësojnë edhe pritshmërinë më të lartë të qytetarëve të thjeshtë kinezë për politikat e qeverisë.
Si sondazhi më i madh i zhvilluar nga mediat kineze, sondazhi do të vazhdojë për 10 vjet rradhazi, duke mbuluar gjithë procesin e planifikimit të 11-të 5-vjeçar dhe atij të 12-të. Nëpërmjet grumbullimit të informacioneve dhe mendimeve të 100 mijë familjeve të zgjedhura, rastësisht, studiuesit mund të ndjekin opinionet publike për fushat që kanë të bëjnë ngushtësisht me jetën e përditshme, duke shërbyer edhe si pasqyrë e komenteve publike për politikat qeveritare. Që nga viti 2006, sondazhi ka mbledhur informacionet bazë të gati 800 mijë familjeve kineze, duke formuar edhe databazën më të madhe në këtë drejtim.
Në raportin e publikuar në fund të shtatorit, kanë dalë edhe një sërë rezultatesh interesante.
Së pari, ku vajtën rrogat e kinezëve?
Sipas të dhënave statistikore të publikuara këtë herë, shumica e të intervistuarve pohojnë se ushqimi dhe mallrat e përditshme zënë pjesën kryesore të konsumit. Ndërkohë, familjet kineze kanë shumë dëshirë të shpenzojnë për turizëm. Udhëtimet turistike zenë vendin e dytë në listën e konsumit të familjeve. Sidomos të moshuarit mbi 60 vjeç, në mbi 30% të rasteve kanë shfaqur interes të madh për turizëm.
Foto: A.Modigliani / 东方IC
Ndërkohë, pasioni për makinat duket i madh për konsumatorët kinezë. Gati 60% e pjesëmarrësve të sondazhit planifikojnë të blejnë makinë brenda një viti, në veçanti ata nga pjesa lindore e vendit edhe pse rrugët janë të mbingarkuara nga makinat, por trafiku i rënduar nuk e prish dëshirën e tyre për të pasur një makinë më të mirë.
Por, konsumi nuk është i vetmi qëllim i jetës, po të marrin parasysh menaxhimin e pasurive. Mbi 70% e të intervistuarve kinezë kanë plan të investojnë. Ndër të gjitha alternativat, ari është më i parapëlqyeri. Kurse banorët në qendër të Kinës preferojnë të blejnë siguracione tregtare.
Së dyti, ku dëshirojnë të banojnë kinezët?
Në sondazhin e zhvilluar para 4 vjetësh, gati 1/3 e të intervistuarve zgjodhën qytetet e varura direkt nga qeverisja qendrore si Pekini, Shangai etj., si vendi ideal për të banuar. Ndërkohë, banorët në qytetet e sipërpërmendura ndihen edhe më të lumtur.
Kurse pas katër vjetësh, më shumë njerëz votojnë për qytete të mesme madje dhe ato të vogla, si vende më të përshtatshme për të banuar. Këtë herë, vetëm afro 10%, më pak të intervistuar zgjedhin metropolet për të banuar. Megjithatë, ata që janë me nivel më të lartë arsimor dhe të ardhura tregojnë më shumë interes për qytetet e mëdha. Gati 40% e të intervistuarve që kanë kryer studime universitare dhe pasuniversitare e konsiderojnë Pekinin, Shangain, Guangzhou-n si destinacione me përparësi për tu punësuar dhe për të jetuar.
Së treti, ku vajti koha?
Vitet e fundit, kinezët njihen edhe në botë si njerëz që nuk pushojnë. Në një sondazh të zhvilluar tre dita para fillimit të pushimit njëjavor në kuadrin e Ditës Kombëtare(1 tetor), ndër 3000 pjesëmarrës, vetëm 17.5% e të pyeturve u shprehën se do të bëjnë vizita turistike. Në kontrast, mbi 22% duan vetëm pushim në shtëpi dhe 15% thanë se do të përdorin pushimin për të marrë pjesë në kurse të ndryshme profesionale, për të përballuar punën pas pushimit. Njëkohësisht, mbi 1/3 e të intervistuarve pohuan se po punojnë nën stres, mbi 30% e të cilëve përbëjnë edhe grupin më të madh që zgjodhën "pushimin në shtëpi" si mënyra më e mirë për t'u çlodhur.
Por, përveç punës, ku vajti koha e kinezëve?
Në vitin 2011, më shumë se gjysma e të pyeturve zgjodhën internetin si mënyra kryesore e harxhimit të kohës së lirë. Pas saj, një mënyrë e preferuar është ndjekja e televizorit dhe leximi i librave. Me rritjen e moshës, është shtuar edhe koha e lirë.
Vërejtjet edhe një pyetje e posaçme në sondazhin e kryer në gjysmën e parë të vitit 2014, që është "Çfarë dëshirove më shumë të bëje vitin e kaluar, por nuk e realizove dot?" Mbi 51% e njerëzve u penduan për mos kryerjen e vizitës turistike. Ndërsa gati 32% u vjen shumë keq për mungesën e kohës për të vizituar prindërit.
Foto: 樊甲山 / 东方IC
Përveç këtyre, sondazhi ka prekur edhe disa tema që lidhen ngushtë me jetën e familjeve kineze. Siç mësohet, mgjithëse vjet qeveria nxorri politikën e re, duke lejuar çiftin që një fëmijë të vetëm të lindin dy fëmijë, gati 53% e familjeve kineze të intervistuara ngulin këmbë në një fëmijë. Sipas rezultateve, në përgjithësi, ato që janë me nivel më të lartë arsimor dhe kushte më të mira ekonomike e duan më shumë fëmijin e dytë. Mirëpo familjet në Pekin, Shangai dhe Tianjin, tre provinca të Kinës Verilindore kanë prirjen më të ulët për më shumë fëmijë.
Në vitin 2013, të ardhurat radhiten ndër faktorët që ndikojnë në lumturi. Por në fillim të këtij viti, shëndeti u bë më i rëndësishëm për jetën e qytetarëve kinezë. Ndërkohë, në sondazhin e kaluar, kinezët që ndiheshin më të lumtur ishin ata që kanë kryerë studime universitare, të martuar, me të ardhura familjare mbi 100 mijë juanë(mbi 16 mijë $) dhe kanë apartament dhe makinë të vetën. Kurse në sondazhin e vitit të kaluar, ata që kanë kryer studime pasuniversitare, beqar por me të dashurur, me një rrogë mbi 200 mijë juanë në vit(mbi 32 mijë$) shprehen më të kënaqur për jetën aktuale.