">Intelektualja 103 vjeçare<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Intelektualja 103 vjeçare
  2014-10-07 11:52:40

Ajo ka mbushur 103 vjeç, por vazhdon të shkruajë, të përkthejë dhe të çudisë këdo që mendon se të moshuarit qëndrojnë në trotuarin e shoqërisë, duke soditur. Kjo zonjë quhet Yang Jiang, dhe ndonëse njëshekullore vazhdon të surprizojë lexuesit e saj. Tashmë ajo sapo ka përfunduar një pjesë të re të romanit të saj me titull "Pagëzimi", të botuar në 1988. Veprën e re e ka titulluar "Pas Pagëzimit" .

Në veprën e re hasim të njejtat personazhe, por shkrimtarja Yang shpjegon për median vendëse se dëshiron ti japë një finale tjetër veprës së saj, përpara se të mbyllë sytë. Paksa e trishtueshme çfarë zonja Yang ka shkruar në parathënien e librit të saj të ri .

 


Foto nga 张赫 / 东方IC

"Dëshiroj të shkruaj vetë finalen e librit tani që jam ende gjallë".

I botuar nga Shtëpia botuese e Letërsisë Popullore, libri "Pagëzimi" trajton reformën ideologjike të shekullit të kaluar në Kinë dhe jetën e intelektualëve të kohës. Ajo përshkruan natyrën njerëzore deri në skutat më të errta të saj, nëpërmjet personazheve të romanit, që janë snobë, egoist , disa arrogantë, apo mendjembyllur. Por romani i Yang nuk ka personazhe të cilët të ndjekin një linjë të vetën deri në finale e tij, siç ndodh rëndom në romane. Megjithatë në mesin e personazheve të romanit, që shpesh luftojnë njeri-tjetrin për përfitime meskine, dy personazhe, Xu Yancheng dhe Yao Mi, spikatin për fisnikërinë, thjeshtësinë dhe dashamirësinë e tyre. Shumë nga lexuesit e "Pagëzimit" i kanë konsideruar këto dy personazhe si heroi dhe heroina pozitive , pasi ata dallojnë nga të tjerët. Në roman Xu dhe Yao dashurohen por nuk mund të jetojnë bashkë pasi Xu është i martuar. Marrëdhënia e të dashuruarve dhe trekëndëshi i personazheve ku përfshihet dhe gruaja e Xu-së shihen nga lexuesi si një nga pjesët më intriguese të romanit.

Autorja Yang vendosi në botimin e pare të librit fatin e çiftit të dashuruar. Ata nuk mund të jetojnë bashkë, por do të mbeten miq dhe kjo u ka pëlqyer lexuesve. Por pas afro 50 vjetësh Yang i rikthehet librit të saj dhe vendos të ndryshojë në një fund të lumtur lidhjen mes Xu-së dhe Yao Meit.

Shkrimtarja tashmë 103 vjeçare e përfundon me këtë fragment romanin e saj

"Xu Yancheng dhe Yao Mi u martuan. Kështu mbaron kjo histori. Këtu nuk ka më vend për të shkruar ndryshe këtë histori."

Suksesi i librit

"Pagëzimi" i shkrimtares kineze Yang është pëlqyer nga lexuesit për trajtimin e karaktereve intelektuale, botës së tyre shpirtërore. Shkrimtari dhe kritiku letrar Shi Zhecun, e vlerëson romanin "Pagëzimi" pasi sipas tij pasqyron me vërtetësi jetën e rretheve intelektuale në shekullin e kaluar. Madje disa kritikë e vlerësojnë romanin "Pagëzimi" si më të arrirë se romani "Kalaja e rrethuar" i shkruar nga bashkëshorti i shkrimtares, po aq i njohur në Kinë , Qian Zhongshu.

Sipas përfaqësuesit të Shtëpisë Botuese të Letërsisë Popullore, Liu Xin, autorja Yang ka nisur të shkruajë pjesën e fundit të romanit që në vitin 2009, kur ajo ishte 98 vjeç, për ta përfunduar në prill të këtij viti, kur ajo e dërgoi për botim.

Kjo shkrimtare e njohur kineze ka një kolanë librash të përmbledhur në 9 vëllime, të cilave u shtohet dhe libri i ri i saj "Pas Pagëzimit".

Shkrimtarja Yang nuk ka reshtur së krijuari, madje në dhjetëvjeçarët e fundit ajo ka botuar disa tregime dhe esse.

Zëvendësdrejtori i shtëpisë botuese të Letërsisë Popullore, Zhou Xuanlong shkruan për autoren "Yang nuk ka harruar asnjëherë misionin e saj intelektual. Ajo vazhdon të shkruajë dhe përkthejë dhe nuk ndalon kurrë së menduari".

Biografi e intelektuales kineze Yang Jiang

Në vitin 1935 Yang kreu studimet në Britaninë e Madhe dhe Francë. Pas kthimit në atdhe në 1938 ajo nisi punën si profesoreshë në Universitetin prestigjioz të Pekinit, Tsinghua. Në vitin 1953 Yang nisi punën si studjuese e letërsisë pranë Akademisë së Shkencave Sociale të Kinës . Në vitin 1956 botohet përkthimi I saj nga Alain Rene Lesage " The Adventures of Gil Blas of Santillane". Zonja Yang është përkthyese e "Don Kishotit" të Servantesit në gjuhën kineze në vitin 1978.Më tej vijuan në vitet 80-90-të të shekullit të kaluar botime të esseve të saj, por dhe romanet "Recalling my Father", "Recalling my Aunt". Në vitin 1992 botohet në Paris në frëngjisht romani "Pagëzimi" Pavarësisht moshës së shkuar zonja Yang në 2003 boton "We Three".Viti 2004 shënon botimin e 8 vëllimeve të veprave të saj. Ndërsa në vitin 2007 Yang boton romanin "Të arrish në prag të Jetës", që pasohet në 2011 nga ."Të ulesh në prag të Jetës".

Zonja Yang është një artiste shumëdimensionale, një shembull i intelektuales së mirëfilltë, një shembull i gjallë kulture, që meriton admirim të veçantë. (Eda Merepeza)