20140828Palimsest2 |
Panairi ndërkombëtar i librit në Pekin
Edicioni i 21-të i Panairit Ndërkombëtar të Librit nis sot në Qendrën e re të ekspozitave Ndërkombëtare në Distriktin Shunyi të Pekinit dhe do të qëndrojë i hapur deri më 31 gusht. 2.162 botues nga 78 vende dhe rajone të botës do të paraqesin botimet e tyre përgjatë 5 ditëve të panairit ndërkombëtar, ndër të cilat dhe botime të shtëpive botuese vendëse, botime nga jashtë, botime dixhitale si dhe pavionë të tjerë tematikë.
Foto nga 中国出版网
Ceremonia e ndarjes së çmimeve të panairit si dhe forume dhe simpoziume do të organizohen gjatë ditëve të panairit për të promovuar bashkëpunimin mes shtëpive botuese kineze dhe ndërkombëtare, pjesmarrëse në panair.
Në forumet e organizuara me këtë rast botues të huaj dhe kinezë do të diskutojnë rreth trendit të ri të botimeve si dhe përhapjes së botimeve kineze në botë, në focus të të cilave do të jetë dhe dixhitalizimi dhe e drejta e autorit.
Çdo mbrëmje të panairit do të jetë i ftuar një shkrimtar i cili do të promovojë veprat e tij por dhe do të diskutojë me të pranishmit për çeshtje të librit si dhe do të komunikojë me vizitorët. Në edicionin e sivjetëm do të marrin pjesë shkrimtarë nga province Hebei dhe Makao të cilët do të paraqesin disa veprimtari letrare. Në grupin e autorëve nga Hebei bëjnë pjesë Tie Ning, Wang Meng dhe Li Jingze.
Foto nga 中国出版网
I ftuar nderi në panairin e sivjetëm ndërkombëtar të Pekinit do të jetë Turqia. 20 botues turq do të paraqesin 8 mijë tituj librash për pjesmarrësit në panair, në përpjekje për të shtuar shkëmbimet dypalëshe mes dy vendeve, të lidhura mijëra vjet më pare, që në kohën e Rrugës së Mëndafshit.
Panairi ndërkombëtar i librit i Pekinit ka nisur që në vitin 1986 dhe është i treti në botë për nga madhësia, pas atij të Frankfurtit dhe Londrës.Në çdo edicion të tij ka patur një pjesmarrje të lavdërueshme të botuesve por dhe autorëve nga vende të ndryshme të botës. Forumet, tryezat e rrumbullakëta dhe simpoziumet e organizuara në kuadër të Panairit, por dhe promovimet e botimeve kanë ndikuar vit pas viti në forcimin e shkëmbimeve në fushën e letrave dhe të botimeve mes Kinës dhe botës.
Udhëtim kulturor në kryeqytetin e porcelanit
Diplomatë të huaj nga 19 vende të botës të akredituar në Kinë, ndër të cilët përfaqësues të Luksemburgut, Rusisë, Hungarisë morën pjesë në fillim të verës në një udhëtim kulturor në qytetin Jingdezhen, të provincës Jiangxi. Udhëtimi kulturor u realizua në kujdesin e Ministrisë së Kulturës së Kinës me synim rritjen e bashkëpunimit kulturor me vende të ndryshme të botës. Diplomatët e huaj vizituan këtë qendër të pasur të kulturës së porcelanit, si dhe provuan eksperiencën e prodhimit të tij.
Zëvendësdrejtori i Zyrës së Marrëdhënieve kulturore pranë Ministrisë së Kulturës, Xie Jinying duke folur për china.org.cn tha se ky udhëtim kulturor pati një domethënie të madhe me nisjen e tij nga Jingdezhen. Kina dhe kultura e saj e porcelanit, kanë të njejtin emër. Kina u njoh nga bota nga porcelani i saj, theksoi zyrtari kinez.
Ambasadori i Luksemburgut në Kinë, zoti Paul Steinmetz tregoi se gjithmonë ka patur mjaft interes për artin e qeramikës kineze dhe të mësojë sa më shumë rreth prodhimit të saj. Por ajo që i bën më shumë përshtypje ambasadorit është transmetimi i kësaj tradite të lashtë tek brezi i ri, në Kinë.
Ky udhëtim kulturor shërben që diplomatët e huaj, përfaqësues të 19 vendeve të botës të njohin nga afër përvojën e kulturës kineze si dhe të ndikojnë në forcimin e shkëmbimeve kulturore mes vendeve të tyre dhe Kinës.
Qyteti Jingdezhen në provincën Jiangxi njihet në Kinës si qyteti i qeramikës. iAi njihet si njeri nga 4 qytetet e famshme të dinastive Ming dhe Qing, krahas qytetit Foshan (në provincën Guangdong), Hankou (në provincën Hubei), dhe Zhuxianzhen (në provincën Henan).
Fushata me emrin "Udhëtim kulturor në Kinë " startoi në Jingdezhen. Diplomatët e huaj përveç vizitave në punishte të prodhimit të porcelanit, në studiot artistike të qytetit, provuan dhe vetë të krijonin objekte prej porcelain. Ata vlerësuan kulturën e lashtë të porcelanit në Kinë por dhe zhvillimin e saj përgjatë gjithë historisë.Kjo njohje nga afër e përvojës së porcelanit në Kinë ndikon në përcjelljen e saj edhe në vende të tjera të botës, përfaqësues të të cilave janë këta diplomatë.
Zëvendësguvernatori i provincës Jiangxi ,Zhu Hong, tha se për një periudhë njëmijë vjeçare prodhimet prej qeramike kanë zënë një vëllim të madh në tregtinë e jashtme të Kinës. Jingdezheni njihet si "Kryeqyteti mijëvjeçar i porcelanit" .
Ndalesa e pare e diplomatëve pjesmarrës në veprimtarinë "Udhëtim kulturor në Kinë", ishte Parku kulturor dhe kreativ Jianguo në Jingdezhen. Mjeshtra të porcelanit në këtë zone u shpjeguan mysafirëve të huaj si të punonin qeramikën, si ta ngjyrosnin atë dhe diplomatët kaluan çaste vërtet emocionuese, duke punuar qeramikën kineze. Ata dizenjuan vetë disa pjata, të cilat i ngyrosën sipas motiveve kombëtare të vendeve nga vinin. Ata shprehën në këtë mënyrë ndjenjën e miqësisë për Kinën, por dhe emocionet për atdheun, familjen dhe miqtë e tyre.
Në "zonën e punimit artizanal" të Parkut Kreativ diplomatët vizituan mjaft objekte interesante të shoqëruar nga artistët, që punojnë porcelanin.
Por kjo veprimtari u shoqërua dhe me muzikën kineze dhe të huaj të interpretuar nga muzikantë kinezë me instrumente tradicionale të realizuara në porcelain si fyell, erhu, daulle. Kjo ishte një orkestër e vogës simfonike kineze.
Diplomatët e huaj gjatë këtij turi kulturor vizituan dhe fabrikat në Jingdezhen Zhushan, muzetë Minyaopor dhe objekte të tjera arti të qytetit. Ata mësuan mjaft të reja nga historia e lashtë e porcelanit kinez, por dhe zhvillimi i tij në ditët tona.
Madje ambasadori i Luksemburgut në Kinë, zoti Paul Steinmetz shprehu mendimin për të krijuar në të ardhmen e afërt mundësi që artistë nga vendi i tij të vizitojnë qytetin Jingdezhen, por dhe artistë kinezë të njohin traditën artistike të Luksemburgut, nëpërmjet projekteve dypalëshe.
Atasheu kulturor i Ambasadës së Iranit në Kinë, zoti Hossein Jalilvand theksoi se qeveria kineze është e përkushtuar në ndërtimin e "Rrugës ekonomike të Mëndafshit" , që është me interes të veçantë për Iranin. Udhëtimi kulturor në kryeqytetin e porcelanit nuk është i pari që promovon kulturën e lashtë kineze në sytë e diplomatëve të huaj, pasi kjo është një traditë e bukur në shkëmbimet e Kinës me botën. (Eda Merepeza)