20140828Palimsest1 |
Ruajtja e gjuhës amtare nga emigrantët kinezë
Kinezët kanë emigruar ndër vite dhe kanë një histori të gjatë emigrimi. Komunitetet e kinezëve jashtë vendit shquhen për ruajtjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor, brez pas brezi. Edhe brezi i ri i emigrantëve përpiqet që veçanërisht fëmijët e familjeve emigrante dhe të rinjtë të mos humbin gjuhën amtare, për shkak të integrimit në vendin ku jetojnë.
Një vëzhgim i kryer kohët e fundit nga Fairfax Media tregon se numri i folësve të dialektit kinez mandarin në Melburn të Australisë nga viti 2001 që ishte 60 mijë ka arritur aktualisht në 100 mijë. Kështu dialekti mandarin bëhet gjuha e dytë më e folur ndër gjuhët huaja në Melburn.
Sipas statistikave të Departamentit të Arsimit në Australi, dialekti kinez mandari është i katërti në gjuhët e folura në mbarë Australinë. Rreth 80% e nxënësve të shkollave fillore në shtetin australian të Viktorias kanë zgjedhur të mësojnë gjuhën kineze në dy vitet e fundit. Kur dikush i sapoardhur në këtë qytet kërkon libra të mirë kinezë, në librari gjenden shumë prej tyre.
Por si është arritur kjo?
Fëmijët nismëtarë të ruajtjes së gjuhës amtare
Në Melburn një grup fëmijësh që i përkasin 4 familjeve kineze të emigrantëve, të ardhur këtu kohët e fundit nga Pekini, kanë krijuar një komunitet jofitimprurës për shpërndarjen e librave në gjuhën kineze.
Ky komunitet njihet me emrin "The Little Kangaroo Charity" dhe ka nisur zyrtarisht veprimtarinë e tij në maj të këtij viti, për të ofruar libra të ndryshëm në gjuhën kineze për të interesuarit.
Wang Yuyao, një vajzë 15 vjeçare, që studjon në klasën e 9-të është kryetare e këshillit të komunitetit, ku anëtarë janë 5 fëmijë të moshes 6-15 vjeçare. Wang jeton me familjen e saj në Melburn prej më se një viti, por ajo nuk ka patur vështësirësi të njohë diversitetin kulturor të këtij qyteti të madh australian. "Krahas përmirësimit të gjuhës angleze, dua të përmirësor dhe kinezishten time. Unë jam një mi librash që kur isha ende fëmijë", thotë adoleshetja kineze. Ideja e saj për krijimin e një librarie me libra në gjuhën kineze, për fëmijë të grup-moshave të ndryshme por edhe të rinj e të rritur ka gjetur së pari mbështetjen e prindërve të saj, por edhe të mbarë komunitetit të emigrantëve kinezë në Melburn.
Wang Huang është vëllai 7 vjeçar i Yuyao dhe bën pjesë në komunitet. Ai thotë se detyra që kryen është rregjistrimi në kompjuter i librave që dhurohen në komunitet.
Fillimisht ideja e krijimit të një librarie lindi rastësisht, ndërsa prindërit e këtyre fëmijëve diskutonin se si të ruante brezi i ri dhe kryesisht fëmijët e emigrantëve kinezë në Australi, gjuhën amtare, kulturën dhe traditat.
Libraria u krijua nga Yuyao dhe fëmijët e tjerë me ndihmën e prindërve dhe miqve të tyre. Nëna e Yuyaos thotë se fëmijët kanë ide mjaft interesante për librarinë.
Libraria dhe promovimi i saj mediatik
Deri tani libraria numëron rreth 500 tituj librash, ku përfshihen libra me figura për fëmijët, libra edukativë,por edhe libra të tjerë për të rinj dhe fëmijë, të dhuruar nga populli kinez.
Për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua, Yuyao thotë se tashmë janë në pritje të 200 kg me libra të cilët me anije po transportohen nga Shangai dhe Pekini drejt Melburnit.
Krahas promovimit të platformave kineze të teknologjisë së avancuar, ku përfshihen rrjetet sociale Sina Blog, twitteri kinez Weibo, si dhe shërbimi i telefonisë së lëvizshme kineze Wechat, kjo librari ka hapur dhe faqen e saj në Facebook.
Sipas Yuyao, përveç funksionimit normal të librarisë, "Little Kangaroo Charity" organizon dhe veprimtari si lexime librash për fëmijë të grup-moshave të ndryshme, pjesë teatrale për fëmijë, me synim nxitjen e dashurisë për leximin në gjuhën amtare të fëmijëve të emigrantëve kinezë në Australi.
Në pamje të parë kjo nismë duket si e vogël dhe pa shumë ndikim, por me teknologjinë e avancuar dhe komunikimin online anëtarët e kësaj shoqate mundësojnë shkëmbimet kulturore me atdheun e tyre Kinën. Ata janë vazhdimisht në kontakt me të rejat në fushën e botimeve letrare, duke u përpjekur ti përhapin ato në komunitetin e emigrantëve të Australisë. E gjithë kjo përpjekje ndikon në ruajtjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor të emigrantëve kinezë, por kryesisht të brezit të ri të tyre. (Eda Merepeza)