">Historia jonë Kristaq Teneqexhi<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Historia jonë Kristaq Teneqexhi
  2014-08-20 11:31:03

Sivjet është 45 vjetori i fillimit të emisioneve të Radios së Jashtme të Kinës në gjuhën shqipe. Në një cikël emisionesh do të njiheni me historitë e punonjësve të radios sonë. I ftuari i sotëm është ish-punonjësi Kristaq Teneqexhi. Ai ishte specialisti i parë i redaksisë së gjuhës shqipe të radios sonë. Kristaqi ka punuar dy herë në radio si specialist, fillimisht nga viti 1969 deri në vitin 1976 dhe më pas në vitet 1992 -2000. Një pjesë e rëndësishme e jetës së tij kaloi në Kinë dhe ndërtoi një miqësi të thellë me kinezët.

Të gjithë kolegët që kanë punuar me Kristaqin e vlerësojnë shumë atë. Ai punonte me shumë përkushtim, duke dhënë një ndihmesë të madhe në emisionin e gjuhës shqipe të RJK-së.

Në vitin 1969, Kristaqi i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza e tyre disa muajshe mbërritën në Pekin. Kurse pas tre viteve të qëndrimit të tyre në Kinë lindi djali. Familja e Kristaqit ishin miq të mirë të kolegëve të redaksisë.

Me rastin e 45-vjetorin të fillimit të transmetimit të emisioneve në gjuhën shqipe nga Radioja e Jashtme e Kinës, kemi marrë urime të shumta nga dëgjuesit nga vende e rajone të ndryshme, por edhe prej zotit Kristaq Teneqexhiu, që ishte specialisti i parë i gjuhës shqipe, pranë Radios së Jashtme të Kinës.

(1)

Përshëndetje të gjithëve dhe urime të përzemërta për 45-vjetorin e fillimit të transmetimeve të emisioneve në gjuhën shqipe nga Radioja e Jashtme e Kinës.

Kristaq Tenexhiu dhe familja arritën në Pekin në maj të vitit 1969,ndërsa puna për fillimin e emisionit në gjuhën shqipe nisi më 6 qershor. Kristaqi e kujton mjaft mirë kohën e përgatitjes së emisionit.

Emisioni i parë shënon hedhjen e themeleve për ndërtimin e urës së madhe e të zgjerimit të informacionit për të gjithë dëgjuesit shqiptarë brenda kufijve të Shqipërisë, por dhe në Kosovë e në të gjitha vendet e rajonet e botës.

Hedhja e themeleve të forta ishte domosdoshmëri për të ndërtuar më tej një ndërtesë të qëndrueshme, por ishte edhe një punë e madhe. Transmetimi cilësor i emisioneve në gjuhën shqipe erdhi në sajë të punës dhe angazhimit maksimal të shqipfolësve kinezë dhe me mbështetjen profesionale gjuhësore të specialistëve shqiptarë.

Zhvillimi i marrëdhënieve midis Kinës e Shqipërisë nuk ka qenë i lehtë,pasi është përballur me pengesa, por emisioni i gjuhës shqipe në Radion tonë nuk u ndërpre dhe luan një rol të rëndësishëm si urë miqësore midis dy popujve dhe vendeve. Kristaqi ka punuar në dy periudha në radio, duke kaluar edhe kohën e ftohtë të marrëdhënieve, por edhe atë pozitive. Ai kujton:

(2)

Në rast se gjatë 45 vjetëve kontaktet njerëzore midis dy popujve tanë kanë njohur edhe lëkundje në periudha të ndryshme, emisionet në gjuhën shqipe kanë vazhduar pa asnjë ndërprerje dhe kanë njohur vetëm rritje të mëtejshme cilësore, duke mbajtur gjithmonë parasysh synimin kryesor: rritjen e shkallës së njohjes midis dy popujve.

Emisionet në gjuhën shqipe, ashtu si emisionet në gjuhë të tjera të huaja, kanë transmetuar për dëgjuesit shqiptarë materiale për ngjarjet e ditës, por me tepër kanë transmetuar informacione për jetën e popullit kinez, për civilizimin e lashtë, historinë, arkeologjinë, shkencën, kulturën, arsimin, artin, mjekësinë, bujqësinë; për punën dhe sakrificat e popullit kinez.

Në këto emisione janë përfshirë edhe përpjekjet për transformimin e ambientit dhe për punën e madhe për shmangien e fatkeqësive të natyrës ose për eliminimin e pasojave të tyre.

Cilësia e lartë e emisionit kërkon nivel të lartë të njohje së gjuhës shqipe. Kur filloi emisioni i gjuhës shqipe, pjesa dërrmuese e anëtarëve kinezë të redaksisë ishin diplomuar në gjuhën shqipe, pranë degës së gjuhës shqipe në Universitet. Ata vazhduan përpjekjet për ngritjen e nivelit cilësor të gjuhës. Kristaqi si specialist i redaksisë redaktonte artikujt e përkthyer nga kolegët kinezë, duke kontribuar në cilësinë e emisionit. Ai vlerëson lart kolegët kinezë, sidomos shefin e parë të saj, zotin Cai Zumiao. Ja çfarë kujton Kristaqi :

(3)

Transmetimi për dëgjuesit i temave shoqërore, së bashku me tema të tjera, ka kërkuar aftësi profesionale gjuhësore në rritje të vazhdueshme, edhe për faktin e ndryshimit të madh midis dy gjuhëve. Në këtë jubile nuk mund të lë pa përmendur drejtuesin e redaksisë, të ndjerin Cao Zumiao, një përkthyes me përvojë të gjatë dhe me autoritet të madh, një punëtor i heshtur e i palodhur, që ia dedikoi gjithë jetën gjuhës shqipe. Ai ka mbetur dhe do të mbetet një shembull për brezin e vet dhe brezat e ardhshëm.

Natyrisht, trimi i mirë me shokë shumë, sepse përpjekje dhe sakrifica gjatë gjithë jetës kanë bërë të gjithë anëtarët themelues të redaksisë, të cilët, edhe pse janë në moshë të thyer, kujdesen dhe ndihmojnë edhe sot, për punën e redaksisë, dhe si rezultat, ka ardhur edhe ngritja brez pas brezi e cilësisë gjuhësore të emisioneve, gjë që jep garanci se, nën shembullin e tyre, edhe brezat e ardhshëm do ta ngrenë nivelin e emisioneve në gjuhën shqipe.

Në përfundim të intervistës, Kristaq Teneqexhi shpreh përsëri urimet e tij për 45 vjetorin e fillimit të emisionit të gjuhës shqipe të Radios së Jashtme të Kinës.

Në mbyllje, edhe një herë, ju uroj në këtë vij jubilar që të keni shëndet të mirë ju të gjithë dhe familjet tuaja! Ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj!