">Evoluimi i rregullave të tavolinës në Kinë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Evoluimi i rregullave të tavolinës në Kinë
  2014-08-04 18:02:53

Ndryshimi i rregullave të ngrënies në Kinë


Foto nga 高东风 / 东方IC

Çdo vend ka traditat dhe kulturën e vet të ngrënies, të shoqëruar me etikën. Në çdo shoqëri ka familje tradicionale që i ruajnë me këmbëngulje këto rregulla, por ka edhe të tjera që nuk e përdorin ato. Në kohët e sotme, etika e ngrënies ka pësuar transformime të mëdha, pothuajse në të gjitha shoqëritë. Për shkak të globalizmit, individët tregohen mendjehapur dhe pranojnë eksperienca të reja edhe në sjelljen në tryezë. Brezi i ri, falë moshës dhe dëshirës për të provuar rijësi, tregohet indiferent, madje edhe shkelës i këtyre rregullave. Janë pikërisht të rinjtë që më shumë frekuentojnë baret, fast foodet dhe restorantet se sa tryezën familjare.

Si kanë evoluar në Kinë rregullat e ngrënies?

Nocioni "rregulla" është kuptimplotë në identitetin kinez, pasi ka një histori mijëravjeçare. Tradicionalisht të gjithë anëtarët e familjes i binden rregullave familjare. Por për shumicën e shoqërisë kineze rregullat sikur janë zbehur tashmë. Në provimin e pranimit në kolegjet kombëtare të Kinës një nga temat ishin dhe "rregullat e vjetra të sjelljes" dhe kjo ngjalli një vëmendje të madhe të opinionit publik.

"Mendoj se rregullat e vjetra të sjelljes vlejnë për të edukuar fëmijët si të sillen në shoqëri", thotë Liu Jin një 29 vjeçare e rritur në një familje tradicionale pekinase.


Foto nga  东方IC

Liu kujton se kur ishte fëmijë ajo ndëshkohej nga gjyshi nëse nuk i mbante mirë shkopinjtë "chopstick" gjatë ngrënies së ushqimit. Ai ishte mjaft strikt dhe e godiste 3 herë vajzën për këtë gabim. Ajo, tashmë e rritur nuk e gjykon gjyshin, pasi mendon se fëmijët duhet të sillen mirë në tavolinë, të shprehin edukatën e marrë në familje. Një nga këto mënyra sjelljeje, sipas saj është dhe përdorimi i serviseve të ngrënies.

Tryeza e shtruar në familjet tradicionale kineze është tepër e veçantë. Ushqimi serviret me pjata dhe pjatanca të madhësive të ndryshme, përdoren shkopinjtë apo lugë të vogla të ndryshme nga ato perëndimore, por nuk mungojnë tasat e madhësive të ndryshme. Çdo servis ka domethënien dhe sigurisht funksionin e tij. Kjo është kultura e veçantë e Kinës.

Ndër rregullat e tjera të tavolinës kineze të ngrënies është mënyra si përdoren shkopinjtë, por dhe pirja e supës nga tasat e vegjël, e cila duhet bërë pa zhurmë, apo të ngrënit që duhet bërë me gojë të mbyllur.

Zakonisht kur të gjithë anëtarët e familjes drekojnë apo darkojnë bashkë fëmijët nuk mund të hanë para prindërve apo gjyshërve. Në krye të tavolinës duhet të ulet kryefamiljari, apo personi më I moshuar I familjes dhe më pas të tjerët sipas statusit familjar që gëzojnë.

Etika e ngrënies në ditët tona

Në ditët tona etiketa apo sjellja e mirë mund të ruhet në gjirin e familjes, ndërkohë që ndryshon në ambjentet publike. Sjelljet në restorante apo bare e kanë humbur krejtësisht etikën e dikurshme tradicionale. Përdorimi i celularit shpesh prish çdo bashkëbisedim në një tavolinë miqsh apo familjarësh. Në një restorant me emrin Weidao Gongfang në Guangzhou, të provincës Guangdong ftohen klientët të mos përdorin celularët gjatë qëndrimit në të dhe si shpërblim u jepet falas një ëmbëlsirë. Kjo është një mënyrë e gjetur nga menaxheri i restorantit për tu ofruar klientëve një darkë apo drekë sa më të këndshme.


Foto nga 东方IC

Debati për sjelljet moderne është bërë tashmë një nga më të zjarrtët në rrjetin social Sina Weibo. Madje kohët e fundit është bërë një sondazh, ku janë pyetur pjesmarrësit se sa here e shohin celularin gjatë qëndrimit në ambjente shoqërore.

Mirësjellja apo e njohur si etika në shoqërinë kineze tashmë ka ndryshuar shumë. Nga këndvështrimi tradicional, të shërbeje ushqim për të tjerët ishte një shenjë respekti. Kjo shprehej me anë të të shërbyerit të ushqimit në tavolinë nga disa prej njerëzve që ua ofrojnë me chopsticks të tjerëve. Por në ditët tona, me shqetësimet që kanë njerëzit për higjienën dhe kushtet sanitare, nuk përdoret shpesh kjo traditë. Kjo nuk tregon aspak injorim të traditës, por kohët kanë ndryshuar dhe bashkë me to sjelljet e individit.

Sjellja e individëve të kohëve tona varion nga ambjenti ku ai ushqehet, pasi për shkak të orareve të zgjatura të punës dhe jetës dinamike, shumica e njerëzve hanë jashtë ambjenteve familjare. Madje ata mund të mblidhen bashkë me familjarët rreth tryezës vetëm në fundjavë. Në pjesën më të madhe të kohës qytetarët në Kinë,ashtu si dhe në vende të tjera të zhvilluara hanë në mencat e institucioneve ku punojnë, në fast foodet pranë qendrave të punës, apo me ushqime të porositura online. Pra bëhet fjalë për ushqime të shpejta, me të cilat nuk ne si të përdorësh serviset e tryezave shtëpiake.

Ndër rijësitë e tavolinave të shtruara tashmë janë të qëndruarit e djemve dhe vajzave bashkë dhe kjo kryhet në tavolinat familjare por edhe shoqërore. Kjo konsiderohet si një etikë e re e tryezës së ngrënies, e cila të ofron shoqëri të këndëshme. Por një pjesë e etikës së ngrënies është dhe ngritja e dollive, apo pirja me fund e pijeve alkoolike, që është traditë edhe në Kinë. Përsa i përket rregullave të mirësjelljes, nuk është etike të inkurajosh pjestarët e tavolinës, apo të ftuarit të pijnë me fund, apo të ngrenë sa më shumë dolli. Edhe rregullat e reja të etikës së konsumimit të ushqimit janë të pashkruara, pasi ato fitohen gjatë jetës, përditshmërisë. (Eda Merepeza)