">Martesat e përziera në Kinë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Martesat e përziera në Kinë
  2014-08-04 18:02:53

Martesat e përziera në Kinë

3.5 milionë çifte u divorcuan në Kinë në vitin 2013, një rritje prej 12.8 % në krahasim me vitin paraardhës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve Civile të Kinës.

Sipas statistikave të Ministrisë, shkalla e divorcit është afërsisht 0.26%, një rritje 0.03% nga viti në vit.


 Foto nga CFP

Ndërkohë, vitin e kaluar u regjistruan për martesë 13.47 milionë çifte, një rritje prej 1.8% në krahasim me vitin 2012. Ndër këto divorce ka edhe familje të ndërtuara nga martesat e përziera, kur njëri nga bashkëshortët është i huaj.

Pavarësisht rritjes së numrit të martesave të përziera vitet e fundit në Kinë, sipas CRI-së ai nuk është kaq i madh, pasi në vitin 2010 në vend u nga 8 milion martesa të regjistruara në mbarë vendin vetëm 1% ishin të përziera.

Mungesa e komunikimit në çift

Në epokën e globalizmit edhe në Kinë si në mbarë botën është rritur numri i martesave të përziera, të realizuara nga një shtetas kinez dhe një i huaj. Tashmë pas hapjes së Kinës, shumë të rinj dhe të reja kanë studjuar jashtë vendit, apo janë punësuar atje, ku edhe kanë gjetur shokun apo shoqen e jetës, që në këto raste është i huaj.

Por nga ana tjetër, në Kinë vit pas viti është shtuar numri i të huajve që punojnë dhe jetojnë këtu. Pikërisht jeta e re në Kinë për të huaj krijon dhe mundësinë e njohjeve me vendësit, lindjen e simpatisë, dashurisë dhe pse jo martesës. Ka martesa që shkojnë mbarë, por ka edhe çifte që ndonëse me fëmijë fillojnë të dallojnë diferencat e mentaliteteve, kulturave dhe kjo krijon keqkuptime mes tyre. Disa arrijnë deri në divorc, për shkak të mospërputhjes së karakterit.

Mendimi i specialistit

Sipas terapistit kinez të martesave, Rik Ruiter, njëherësh anëtar i Shoqatës amerikane të terapisë së martesave dhe familjes, çiftet nën 35 vjeç janë mendjehapur dhe të ekspozuar ndaj botës. Sapo hasin në mosmarrëveshjet e para martesore, ata u drejtohen terapistëve për të gjetur zgjidhje.

Ruiter thotë se komunikimi mes çifteve, që i përkasin vendeve dhe kulturave të ndryshme është baza e mbarëvajtjes së një lidhjeje martesore. Ai merr si shembull një çift të ri, prindër të një fëmije 4 vjeçar, ku gruaja është kineze, kurse i shoqi gjerman, i punësuar në Kinë.

Bashkëshortja kineze i tregon terapistit se ajo e dashuron të shoqin, por mosnjohja e gjuhës gjermane dhe komunikimi i tyre në gjuhën kineze, ndonëse i shoqi nuk e zotëron mirë, i pengon ata në komunikim.

Komunikimi mes çiftit është një themel i lidhjes së tyre por edhe i vetë familjes. Nëse bashkëshortët nuk arrijnë të kuptojnë mirë njeri-tjetrin për shkak të mosnjohjes së gjuhëve përkatëse, kjo pengesë sjell të tjera keqkuptime në jetën e çiftit.

Në jetën e çiftit lindin probleme edhe lidhur me edukimin e fëmijës. Çdo verë bashkëshorti gjerman bashkë me djalin vizitojnë familjen e tij në Drezden, por vjehrra e tij kineze dëshiron që vetëm ajo të edukojë nipin. Terapisti martesor i këshilloi çiftit që për të shpëtuar lidhjen e tyre duhet të përmirësonin patjetër komunikimin.

Por sipas tij një problem tjetër mes lidhjes së një martese të përzier është prania e prindërve të bashkëshortes kineze në jetën e çiftit.

"Kjo dukuri është shumë e veçantë në Kinë. Nëna e vajzës apo e djalit kinez, pjesë e një çifti ka një autoritet shpesh të padiskutueshëm në familjen e re", thotë terapisti Ruiter. Sipas tij mes vjehrrës kineze dhe nuses së huaj nuk ka gjithmonë mirëkuptim.

Gjatë eksperiencës së tij 30 vjeçare në terapinë martesore dhe familjare, Ruiter tregon raste kur bashkëshortja japoneze dhe i shoqi kinez janë divorcuar, gruaja nuk dëshironte të kthehej në vendlindje me statusin e të divorcuarës, pasi atje paragjykohet. Sipas terapistit të njohur të martesave, nëse në Amerikën e Veriut krijimi i jetës në çift presupozon largimin e të rinjve të sapomartuar nga vatra prindërore e familjes, në konceptin aziatik është krejt e kundërta, pasi krijimi i çiftit të ri nënkupton bashkimin e familjeve.

Këshilla e terapistit


Foto nga CFP

Martesat e përziera, kur bashkëshortët nuk i përkasin të njejtit vend, të njejtës kulturë kanë ekzistuar dhe në erën e globalizmit po shtohen. Por nëse çiftet që lidhin këto martesa duan të jetojnë të lumtur dhe të krijojnë një familje të shëndoshë, duhet të njihen për një periudhë më të gjatë. Kjo do të ndihmojë në komunikimin më konkret të bashkëshortëve, të preferencave, botëkuptimeve të tyre.

Periudha paramartesore është tepër e rëndësishme që çifti të njohë partnerin apo partneren me të cilën është dashuruar dhe dëshiron të ndërtojë një familje. Nëse kjo periudhë është tepër e shkurtër dhe çfiti lidh menjëherë martesë, ndoshta sjell në jetë dhe fëmijë, sigurisht që periudha e njohjes do të ndodhë, por e vonuar. Në këto raste çiftet shohin diferencat mes tyre, nuk i pranojnë ato dhe rruga e vetme mbetet divorci.

Sipas terapistëve të martesave të përziera, çiftet e dashuruar duhet të zgjasin periudhën e njohjes paramartesore, për të njohur sa më mirë njeri-tjetrin dhe për të kuptuar, nëse janë të gatshëm për bashkëjetesë. (Eda Merepeza)