20140801sportet |
Në Kinë thuhet se stërvitja e shëndetshme mund të kryhet në fazën "San Fu" të verës dhe në fazën "San Jiu" të dimrit. Faza "San Fu" është periudha më e nxehtë e verës dhe faza "San Jiu" është periudhë më e ftohtë e dimrit. Këtë vit periudha "San Fu" nisi më 18 korrik dhe do të përfundojë më 16 gusht. Mjekësia Tradicionale Kineze sugjeron që t'u kushtojmë vëmendje aktiviteteve të përshtatshme gjatë kësaj periudhe më të nxehtë të verës.
Sipas studimeve të mjekësisë moderne, nën kushtet e temperaturave të larta, trupi ynë do të nisë të vetmbrohet nga dëmet që sjell vapa. Ushtrimet fizike në fazën më të nxehtë dhe më të ftohtë mund të forcojnë aftësinë e trupit për përshtatje në mjedise të ndryshme. Në librat e lashta kineze mbi shëndetësinë shënohet se personat që vazhdojnë dhe nuk ndërpresin aktivitete të tyre në verë ose në dimër kanë aftësi më të larta për të mos u ndikuar nga faktorët e mjedisit, pasi imuniteti i tyre është më i fortë.
Megjithatë, duhet të kini parasysh se stërvitjet në fazën "San Fu" nuk duhet të zhvillohen në orët më të nxehta të ditës për të shmangur goditjet nga dielli. Sidomos të moshuarit, të dobëtit dhe fëmijët nuk duhet të qëndrojnë në diellin kur është piku i vapës.
Nga ana tjetër, qëndrimi në shtëpi me ajër të kondicionuar nuk është një përzgjedhje e mirë, pasi bie imuniteti i trupit. Prandaj, duhet të dalim jashtë shtëpisë për disa aktivitete të përshtatshme. Për shembull, noti, Taiji, Yoga ose turizmi në vendet e tjera janë disa nga aktivitetet që këshillohen gjatë stinës së verës jo vetëm për të kaluar kohën apo argëtim, por edhe për forcimin e imunitetit.
Ja çfarë sportesh mund të zhvilloni në verë
1. Badminton: Stërvitjet e shpeshta me anë të badminton-it mund të forcojnë funksionet e zemrës dhe sistemin e frymëmarrjes. Po ashtu ky sport rrit dhe aftësinë e sistemit nervor duke e forcuar atë.
2. Ecja e shpejtë: Ky sport ka një ritëm mes vrapimit dhe shëtitjes. Ajo është e përshtatshme për të moshuarit dhe persona në moshë mesatare. Kjo stërvitje nuk kërkon shumë punë dhe as pajisje. Me anë të ecjes së shpejtë forcohen muskujt e këmbëve dhe rritet funksioni i zemrës dhe mushkërive.
3. Noti: Noti është një nga sportet më të mira që vë në punë pothuajse të gjithë muskujt. Me anë të notit mund të rrëzojmë më shpejt kilogramët e tepërt. Ky sport është i mirë edhe për uljen e kolesterolit dhe forcon funksionin e zemrës. Vera është stina e notit. Në mot të nxehtë është e përshtatshme që të bëjmë not në ambjentin e jashtëm, ku mund të thithim ajër natyral dhe jo nga kondicionieri. Në të njëjtën kohë, ndriçimi i diellit në ambientin e jashtëm mund të nxitë përthithjen e vitaminës D nga lëkura jonë duke marrë nevojën ditore për vitaminë D e cila është tejet e rëndësishme për të gjithë shëndetin.
Por, specialistët e mjekësisë kineze paralajmërojnë se noti shkakton harxhimin e madh të energjisë së trupit. Të moshuarit dhe personat në moshën mesatare që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, diabeti, sëmundja e mushkërisë etj., duhet të konsultohen me mjekun para se të nisin notin.
4. Yoga: Yoga është një stërvitje që ndërthur aktivitetin fizike me atë psikologjik dhe është e përshtatshme për të gjitha moshat. Në stinën e nxehtë të verës mund të kemi shpesh lodhje dhe do të ndihemi të rraskapitur. Pozicionet e Yogës mund të ofrojnë "masazhimin" e organeve të brendshme, duke ruajtur ekuilibrin e energjive mes organeve.
Specialistët e mjekësisë kineze janë të mendimit se Yoga është një stërvitje shumë e përshtatshme në verë, meqenëse lakueshmëria e trupit është shumë e mirë në fazën e nxehtë. Prandaj, nëse bëjmë Yoga në verë mundësia për t'u lënduar nga tendosja apo ndrydhja është tepër e ulët. Disa qëndrime të Yoga-s janë shumë të thjeshta dhe mund të zhvillohen në shtëpi ose në ambjentin e jashtëm, në një park apo në rërën buzë detit. Gjatë stërvitjes, duhet të mbani një qëndrim optimist dhe pozitiv, mund të fokusoheni tek një objekt apo mund të dëgjoni muzikën tuaj të preferuar për t'u shplodhur. Çdo lëvizje e Yoga-s duhet të zhvillohet në përputhje me ritmin e frymëmarrjes dhe me vëmendjen e përqendruar. Në verë temperamenti është më i nxehtë dhe me anën e Yoga-s mund të lehtësojmë luhatjet e humorit apo dhe stresin.
Përveç kësaj, shtriqja e shpeshtë është një metodë shumë efektive për mbrojtjen e sistemin kardiovaskular dhe cerebrovaskular. Në Kinë thuhet se "shtriqja e shpeshtë përputhet me parimet e lashta shëndetësore të mjekësisë kineze, ajo mund të asgjësojë lehtësisht lodhjen, të favorizojë qarkullimin e gjakut dhe shëndetin e zemrës."
Në fakt me anë të shtriqjes mund të nxitim frymëmarrjen e thellë dhe qarkullimin e gjakut, por edhe të rregullojnë ekuilibrin mes "Yin"-it dhe "Yang"-ut brenda organeve. Gjatë shtriqjes trupi ynë gëzon një ndjenjë relaksi. Në të njëjtën kohë përmirësohen funksionet e organeve të rëndësishme si zemër, mushkëri etj. Si rezultat, do të shpejtohet lëvizja e gjakut dhe metabolizmi.
Përveç kësaj, gjatë shtriqjes, do të thithim më shumë oksigjen.
Prandaj, sugjerojmë që të bëni shtriqje të shpeshta për ata që qëndrojnë për një kohë të gjatë para kompjuterit dhe televizorit. Të moshuarit dhe personat e prekur nga sëmundjet kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare duhet të bëjnë shtriqje të ngadalë dhe të lehtë dhe me frymëmarrje të thellë. (Xu Guang)