20140724PALIMSEST |
Fshati i artistëve
Të gjithë e dimë se artistët e të gjitha kohërave frymëzohen nga natyra. Por jo të gjithë artistët e kanë mundësinë të jenë në kontakt me natyrën sa herë ata dëshirojnë të krijojnë. Kjo duket ideale ! Por nuk është kështu, pasi në Kinë ekziston një fshat ku jetojnë dhe punojnë prej 20 vjetësh artistë.
Në mes të një ferme fshati u ndërtua studio e artistit kinez, Chang Tianhao e cila më pas u zëvendësua nga një muze gjigand arti. Songzhuang është fshati më i madh i artit në mbarë Azinë, shtëpia e mbi 10 mijë artistëve. Aktualisht kjo hapësirë e madhe arti endet mes komercializmit dhe lirisë krijuese, aq të dëshiruar për çdo artist.
Prej disa vitesh artiste kinezë të zhanreve të ndryshme kanë braktisur metropolet, me jetën e tyre të zhurmshme dinamike dhe i janë drejtuar fshatit Songzhuang. Të parët që kryen këtë shpërngulje janë Fang Lijun, Li Xianting dheYue Mingjun. Kjo ndodhi në vitin 1994 kur trioja e artistëve, e ndjekur më pas nga 20 artistë të tjerë u zhvendos nga Yuanming Yuan drejt Songzhuang.
"Pekini është një metropol mjaft i zhurmshëm, thotë Li, i njohur si "babai i artë i artit bashkëkohor kinez", ndërsa flet për fshatin Songzhuang, në china.org.cn.
Pas ardhjes së grupit të parë të artistëve në fshatin Songzhuan, kjo dukuri kulturore u shndërrua në një rrugë të lirisë dhe pavarësisë së artit. Liu Luyun, një artiste e njohur e pikturës në vend, sapo doli në pension u largua nga qyteti për të jetuar në Songzhuang. Prodhimtaria e saj në pikturë gjatë kësaj periudhe ka qenë e lavdërueshme dhe madje këtë vit ajoekspozoi në Songzhuang portretin e këngëtarit të njohur kinez të viteve 80-të, Deng Lijun.
"Këtu piktorët janë fqinjë dhe vizitojnë shpesh studio e njeri-tjetrit, thotë Liu. Shkëmbimet e mendimeve dhe përvojave artistike janë të domosdoshme për artin ndaj e adhuroj këtë mënyrë komunikimi mes artistëve."
Një nga arsyet përse artistë të shumtë kanë zgjedhur për jetën e tyre artistike fshatin Songzhuang janë çmimet e ulta të terreneve.
Profesori universitar Tao Sirui, njëherësh piktor abstraksionist tregon se në vitin 2005 ai ka blerë në këtë vend një terren me çmimin 30 mijë juanë (5 mijë dollarë). Por në ditët tona me këtë çmim nuk blen dot as 1 metër katror të një apartamenti në Unazën e 4-t të Pekinit, që është një zonë periferike e kryeqytetit kinez.Tao tregon se edhe para se të blinte këtë terren ku ndodhet sot studio e tij e pikturës, ai vinte shpesh në fundjavë në këtë fshat për të pikturuar. Natyra e bukur e këtij fshati e bëri të ndërmerrte këtë veprim dhe kështu nisi jeta e tij e re në fshatin Songzhuang.
Si ai edhe shumë artistë të tjerë kanë vendosur të krijojnë në këtë fshat, por edhe të ekspozojnë artin e tyre përmes ekspozimit të veprave. Madje artistë në moshën e pensionit janë vendosur në këtë fshat kaq të veçantë edhe për të jetuar. Atmosfera artistike ndjehet menjëherë sapo sheh portat e shtëpive- atelie të tyre. Ja përshembull porta ku banon dhe krijon Yang nuk ka numër apo zile, por dy kanoçe birre boshe, që shërbejnë si zile në portën e shtëpisë së tij. Yang Yida,merret me artin e kaligrafisë dhe porta e tij është e zbukuruar me kaligrafi.
"Doja të krijoja një hapësirë sa më artistike", thotë Yang për ambjentin që ka krijuar.
Kostoja e jetesës në Songzhuang
Ashtu si dhe piktori Tao, Yang ka preferuar koston e ulët të jetesës në fshatin Songzhuang, kundrejt qendrës së metropolit. Kuratori i artit, njëherësh piktori 40 vjeçar, tashmë prej 12 vjetësh jeton dhe punon këtu, ndaj e quan si shtëpinë e tij fshatin Songzhuang. Ambjenti rural, jo vetëm i krijon kushte për zhvillimin e talentit të tij, por e lejon të punojë fare pranë natyrës, gjë që në qytet është e pamundur.
"Unë mbjell domate, kastraveca, patllëxhane dhe perime të tjera në kopshtin tim dhe kështu mund të gatuaj çdo ditë ushqim të freskët dhe bio", thotë ai.
Me rritjen e numrit të artistëve që banojnë këtu është rritur dhe fama e këtij fshati kinez. Kohët e fundit mjaft turistë por dhe investues kanë nisur të interesohen për të.
"Qiraja për dhomën time të punës në vitin 2009 ishte 20 mijë juanë. Por në 2014 ajo u dyfishua, tregon piktori Liu Luxi.
Artistët nuk janë të vetmit që janë prekur nga komercializmi në Songzhuang. Bujqit që jetojnë këtu kanë nisur të merren me biznese të ndryshme. Liang Guangcai është një fermer që prej 50 vjetësh ka punuar token, por tani ka hequr dorë prej saj. Tashmë pensionist ai shëtit turistët me një triçikël elektrik në mbarë zonën. Madje Liang thotë se për të rritur të ardhurat e tij, një nga dhomat e shtëpisë ja ka dhënë me qira një piktori.
Fluksi i turistëve dhe banorët artistë
Jo të gjithë janë të kënaqur me fluksin e turistëve dhe të ardhurve. Prej 7 vjetësh piktori Tian Huizeng jeton dhe krijon në fshatin Songzhuang.
"Shumë turistë vizitojnë çdo ditë studion time të pikturës. Në fillim ndjehesha i nderuar se më dukej vetja si i famshëm, thotë Tian. Ai shton se me kalimin e kohës ai vërejti se vizitat e turistëve e pengonin në krijimtari.
Ndaj për këtë arsye ai e zhvendosi studjon e pikturës në brendësi të fshatit, në zonën e quajtur Xindian.
Zgjerimi i fshatit të artit Songzhuang ka nxjerrë në pah diferencën sociale mes të pasurve dhe të varfërve. Artistët që kanë ardhur të parët në këtë fshat janë bërë të famshëm në botën artistike të artit bashkëkohor kinez, ndërsa pjesa tjetër përballet me shumë sfida. Në dhjetor të vitit të kaluar piktura "Earth Generate Gold" e Fang Lijun, një nga piktorët e vjetër të fshatit u shit me çmimin 28.75 milion yuan (ose 4.79 milion dollarë ) dhe blerësi ishte një kompani në Pekin. Ndaj ky piktor ka mundësi financiare më të larta se kolegët e tij të rinj dhe ende të paafirmuar.
Por në këtë zonë ka artiste, pjesa më e madhe e të cilëve piktorë, të cilët nuk përballojnë dot qiratë e larta dhe zhvendosen në brendësi tëfshatit. Duke u përballur me krijimtarinë nga njëra anë dhe komercializmin nga ana tjetër, e ardhmja e fshatit të artit vihet në diskutim. Disa artiste janë të mendimit se Songzhuang është një vend për të krijuar, ndërsa të tjerë janë të mendimit se tashmë kjo zone arti është gati për komercializëm. Madje disa nga artistët që të parët e shndërruan fshatin në një zone krijimtarie tani janë të pakënaqur se kishin ardhur këtu për një jetë të qetë, por tregtarët e shitjes dhe dhënies me qira të terreneve kanë filluar të ndryshojnë këtë orientim të tij.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të Forumit të Artit në Songzhuang, Yang Yida, "arti po bëhet gjithnjë e më i pavarur dhe pritet që kjo të bëhet zona e dytë artistike në vend, pas "Zonës 798", e njohur për komunitetin e artistëve si dhe për turistët e shumtë në Pekin. Modeli i Songzhuang pritet të ndikojë në të ardhmen e artit bashkëkohor në Kinë.(Eda Merepeza)