20140723kozz |
Në Gaza luftohet, në Bregun Perëndimor po gëlon turizmi
Në një kohë që konflikti midis palestinezëve dhe izraelitëve ka arritur në dhunë ekstreme me pasoja për civilët, ky rajon i Lindjes së Mesme po bëhet veçanërisht i njohur për turizmin ushqimor, sidomos në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor.
Projekti "Breaking Bread Journeys" u mundëson vizitorëve të takojnë izraelitët dhe palestinezët duke gatuar dhe të hanë me ta.
Korrespodenti i CRI njofton tani nga qyteti Nablus i Bregut Perëndimor:
Ky është një udhëtim turistik krejt i ndryshëm.
Këtu në qytetin Nablus, turistët janë të zënë duke qëruar rrepa dhe prerë perime të tjera në një kuzhinë që gjendet në qendër të këtij qyteti të Bregut Perëndimor.
Ata ndaluan pranë qendrës së grave Bait al Karama për të gatuar dhe ngrënë ushqim me disa gra palestineze. Turistët ndodhen këtu si pjesë e një turneu tetëditor të quajtur "Authentic Food and Culture tour", pjesë e projektit "Breaking Bread Journeys".
Synimi i këtij projekti është t'i bashkojë turistët me izraelitët dhe palestinezët, jo vetëm nëpërmjet ushqimit por edhe duke vizituar monumentet dhe njerëzit që jetojnë pranë tyre.
Projekti është ngjizur nga Elisa Moed, një grua hebreje nga Izraeli.
"Për të njohur njerëzit duhet të njohësh ushqimin e tyre. Në ishim shumë të vendosur për atë që do të ofronim. Insistuam që turistët të njiheshin me të gjitha çka njerëzit kanë këtu. Të vizitosh këtë rajon është njëlloj si të zhveshësh gjethet e artichoke-s: ti vazhdon të bësh ata deri sa të arrish në zemër të saj."
Pasi përgatisin ushqimin, turistët ulen për ta shijuar atë. Sot ata kanë përgatitur një supë me rrepa dhe një sallatë "fattoush", në shkollën e parë palestineze të gatimit që drejtohet nga gra.
Pas drekës turistët do t'i nënshtrohen një seance me henna, apo dekorimin e duarve të tyre me lule.
E ndërsa ushqimi është kryesori i këtij projekti, në itinerarin e udhëtimit është përshirë një vizitë në malin Gerizim ku vizitorët mund ta shohin qytetin si në pëllëmbë të dorës.
Terri Freeman, një qytetare amerikane që jeton në Izrael së bashku me bashkëshortin e saj, thotë se kjo është hera e parë që viziton veriun e Bregut Perëndimor.
"Kam dashur gjithmonë të udhëtoj në Bregun Perëndimor. Nuk kam dashur të dal vetëm, ndaj çdo fundjavë kam ftuar një grua të më shoqërojë në vende të ndryshme. Ndaj ardhja këtu në Nablus ka qenë diçka e planifikuar prej kohësh. Dhe ky udhëtim bëhet magjeps nëse e shikon nga këndvështrimi i ushqimit, kulturës, njerëzve dhe besimit fetar."
Përmirësimi i sigurisë vitet e fundit i ka kthyer pak nga pak turistët në Nablus.
Partnerja në biznes e Elisa Moed-it, Christina Samara është një e krishterë nga Palestina dhe gjithashtu drejtore menaxhuese e agjencisë. Ajo thotë se "Breaking Bread Journeys" është një projekt që u përgjigjet aspiratave të udhëtarëve.
"Turistët kanë kërkuar të njohin më shumë trashëgiminë palestineze, pasi për një kohë të gjatë ata nuk kanë pasur mundësi, ndaj ne po ua japim këtë mundësi. Të vizitojnë vende të cilat kanë qenë e pamundur të arriheshin më parë. Kështu me projektin tonë 'Breaking Bread Journeys' turistët ndihen më të sigurtë, pasi po i shoqërojnë së bashku në këtë turne palestinezët dhe izraelitët."
Pasi largohen nga qyteti Nablus, grupi i turistëve i "Breaking Bread Journeys" në shtëpinë e Ahuva, një grua herreje ultra-ortodokse që jeton në Jerusalem.
Këtu, 50 kilometra larg nga Nablus, Ahuva u tregon turistëve se si gatuhet challah, një buke tradicionale për hebrenjtë.
Ardhja në shtëpinë e Ahuva-s dhe qëndrimi në kuzhinën e saj, është një rast i rrallë për të parë stilin e jetesës së komunitetit ultra-ortodoks, jeta e të cilit rregullohet rreptësisht nga zakonet fetare.
Është një mundësi e rrallë, thotë edhe Shawna Goodman, një turiste nga Kanadaja.
"Kur dikush të lejon të qëndrosh dhe gatuash në hapësirën vetjake, mendoj se është një respekt i madh, tregon mirësi dhe bujari dhe të lejon t'i njohësh sa më mirë këta njerëz."
Grupi i turistëve vizitoi gjithashtu qytetin e vjetër të Jerusalemit dhe tregun e tij. Këtë herë ciceron i grupit ishte kuzhinieri Odeh Abul Hawa. Ai zakonisht punon në hotelin "Chefs for Peace", një organizatë jofitimprurëse e hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve.
Përtej Jeruzalemit dhe Nablus-it, turneu "Ushqimi dhe Kultura Autentike" udhëtarët vizitojnë Akko-in, Nazaret-in dhe Galile-në, por gjithashtu Hebron-in, në jug të Bregut Perëndimor.
Ja si po konsultohet me publikun bashkia e Pekinit për të ndryshuar çmimin e biletës për shërbimin e metrosë!
Një sondazh për ndryshimin e çmimit të biletës së metrosë së Pekinit u zhvillua së fundi, kryesisht duke përdorur mediet shoqërore si Weibo, Wechat dhe një forum online. Ekspertët thonë se sondazhi është një mundësi e mirë për Bashkinë e Pekinit për t'ju përgjigjur më mirë publikut.
Korrespodenti i CRI, Li Dong, raporton:
Sipas Bashkisë së Pekinit, një sondazh i zhvilluar në mediet shoqërore u dha mundësinë mbi 40 mijë qytetarëve për të shprehur qëndrimet e tyre mbi rritjen e çmimit të biletës së metrosë, nëpërmjet Wechat, Weibo, letrave të hapurave, fax-it dhe telefonit.
Përfundimet e sondazhit tregojnë se shumica e qytetarëve pranojnë rritjen e çmimit të biletës kryesisht duke pasur si bazë largësinë ku shkojnë.
"Mendoj se vendosja e çmimit të bazë të largësisë është një ide e mirë."
"Unë e mbështes rritjen e çmimit, por duhet pasur parasysh që shërbimin të kenë mundësi ta përdorin të gjithë."
Shërbimi i Transportit Publik i Pekinit zbaton një politikë të çmimit të ulët të vendosur që në vitin 2007 për t'i nxitur njerëzit të përdorin mjetet e këtij transporti për të shmangur trafikun e dendur.
Në Pekin çmimi i biletës është i fiksuar në 2 juan, afro 33.5 lekë për një drejtim, pavarësisht largësisë. Këtu përjashtohet vetëm linja airport express. Ky është çmimi më lirë në Kinë për metrotë dhe ndër më të lirët në botë.
Shërbimi i autobusit i qytetit kushton 4 mao, më pak se 1 juan për një drejtim, për mbajtësit e kartave elektronike të transportit. Edhe kjo tarifë është më e ulëta në mbarë vendin.
Profesor Sun Yu Dong i Shkollës së Politikave dhe Administratës Publike pranë Universitetit Renmin, thotë se subvencionimi i madh i transportit publik është që tani një barë e rëndë për Bashkinë e Pekinit.
"Subvencionimi i transportit publik përbën 5 për qind të shpenzimeve financiare të bashkisë. Kjo është shumë e lartë, pasi në raste të ngjashme si në Shangai dhe Guangzhou, subvencionimi i shërbimit të transportit publik përbën 2 për qind. Ky mekanizëm subvencionimi nuk është i qëndrueshëm dhe përbën presion financiar mbi qeverinë vendore."
Profesor Sun Yu Dong thotë se në të kaluarën, sondazhet e ndërmarra nga qeveria përcaktonin disa elemente dhe qytetarët mund të zgjidhnin atë që ofrohej, por këtë herë është menduar ndryshe. Këtë herë vendimi do të merret duke u bazuar mbi një kampion të gjerë dhe të diversifikuar të opinionit publik. Pra vendimi përfundimtar do të jetë një version i bazuar sa më afër opinionit të mbledhur nga qytetarët që ju përgjigjën sondazhit.
"Nuk kemi të bëjmë një me një opinion vetëm sa për të mbledhur mendime. Nëse qeveria vendore kërkon të përmirësojnë punën e saj, ajo mund t'i klasifikojë këto opinione dhe t'i përgjigjet më mirë publikut. Ky lloj bashkëveprimi është më i përshtatshëm. Kështu në fund vendimi që do të merret nga autoritetet, do të pranohet lehtësisht nga shumica e publikut."
Liu Xin, ndihmës dekan i Shkollës së Politikave dhe Administratës Publike pranë Universitetit Renmin, thotë se planifikimi urban dhe shpërndarja e drejtë e burimeve është një çështje më e rëndësishme se sa vetëm rregullimi i çmimit të biletës për shërbimin e metrosë së qytetit.
"Pse qytetit duhet t'i përqendrojë të gjitha burimet së bashku? Kjo mund të sjellë rëndim të trafikut në qendër të qytetit. Administrata duhet të shpërndajë më mirë shërbimet edhe në zonat periferike si dhe t'i zhvendosë disa departamente qeveritare jashtë qendrës. Kështu burimet e punësimit do të shpërndahen në të gjithë qytetin dhe ato nuk do të jenë vetëm në qendër të kryeqytetit. Unë mendoj se kjo është zgjidhja e vetme që mund ta lehtësojë presionin e trafikut nga qendra."
Sipas Bashkisë së Pekinit, propozimi me çmimin e ndryshuar të biletës së metrosë së qytetit, së bashku me mendimin e publikut, departamentit të financave dhe ekspertëve të tjerë do të shqyrtohet në një kohë të përshtatshme.