">Nxitet arsimi profesional në Kinë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Nxitet arsimi profesional në Kinë
  2014-07-21 17:25:23

7.27 milionë, kjo është shifra e të diplomuarve të sivjetshëm nga shkollat e larta të Kinës. Me 280 mijë të rinj më shumë në krahasim me vitin e kaluar, sezoni i diplomimit i vitit 2014 "fitoi" titullin "koha më e vështirë për të gjetur punë".

Por, sipas uebsiti më të madh kinez për publikimin e informacioneve të shërbimeve, www.ganji.com, raporti midis numrit të vendeve të punës dhe atij të punëkërkuesve, të sapodiplomuar është 107:100. Me një fjalë, kërkesa e tregut e tejkalon furnizimin me forcë pune. Megjithatë, gjetja e një pune prapë duket shumë e vështirë për të rinjtë.

Në bazë të analizave mbi kërkesat e 5.5 milionë punëkërkuesve të diplomuar, aplikues për punë nëpërmjet www.ganji.com, sekretar, asistent i menaxherit, llogaritar dhe punonjës zyre, etj janë profesionet më të preferuara. Ndërsa, ndërmarrjet kanë nevojë për teknikë, shitës, punonjës të shërbimeve ndaj klientëve dhe punë të tjera të thjeshta.

Por, në kohën më të vështirë për të gjetur punë, kur dhjetë studentë konkurrojnë për një vend pune si sekretar, çdo i diplomuar i Shkollës Profesionale të Qytetit të Hangzhou-t, ka oferta për 8 vende pune.

Këtë verë, 2744 studentë diplomohen nga kjo shkollë. Por që nga tetori i vitit të kaluar, ndërmarrjet e shumta kanë ofruar 23 mijë vende pune, 8 herë sa shifra e përgjithshme e të diplomuarve.

Në gjashtë vitet e kaluar, përqindja e punësimit e Shkollës Profesionale të Qytetit të Hangzhou-t ishte mbi 97%. Sipas sondazheve, të diplomuarit gëzojnë edhe nivel më të lartë rroge apo sigurimesh shoqërore. Shumë ndërmarrje po përpiqen të tërheqin më shumë të diplomuarit e kësaj shkolle për tu punësuar në to.

Sekreti i suksesit të shkollës është mënyrë e saj unike e përgatitjes së studentëve "në përputhje me kërkesat e ndërmarrjeve" ose "shkollë e ndërmarrje si një trup i vetëm".

Sipas z. Ye Jianming, drejtor i shkollës, vështirësia e punësimit është një fenomen që shfaqet, si rezultat i përgatitjes të papërshtatshme të talenteve. Në një tjetër kuptim, studentët janë përgatitur për zanate për të cilat nuk ka kërkesë në treg.

"Profesionet që duhet të pranojmë më shumë studentë, nuk përcaktohen nga pedagogët, as përgjegjësit e degëve tona, por nga ndërmarrjet punëdhënëse. Fundi i fundit, ato i dinë më mirë ndryshimet që ndodhin në fushën teknike, mekanike, të materialeve etj., sigurisht edhe çfarë punëtorësh nevojiten", tha z. Ye.

Prandaj, para 6 vjetësh, Shkolla Profesionale e Qytetit të Hangzhou-t nisi metodën e re të përcaktimit të lëndëve profesionale që ofron. Ndër 8 kolegjet e saj, 7 janë krijuar me bashkëpunimin e ndërmarrjeve të fuqishme. Përgjegjësi i mësimdhënies i shkollës z. Chen Jiaming tha se në fillim shumë firma nuk treguan interes për bashkëpunimin me shkollën e tij. "Por, me të dëgjuar se do të përgatisnim së bashku talentet që kërkohen më shumë nga tregu, ato ndryshuan qëndrim", tha z. Chen.

Në vitin 2008, shkolla shndërroi godinën e mëparshme mbi 20 mijë metra katrore në dhjetëra punishte dhe mini-fabrika kualifikuese. Për shkak se ndërmarrjet financuese kanë të drejtë të zgjedhin të diplomuarit më të mirë, ato nuk kursejnë investimet qoftë nga ana ekonomike, apo gjetjen e mjeshtrave të mësimdhënies. Ndërsa, studentët që kanë kryer studimet, kanë përvetësuar të gjitha aftësitë e duhura për t'u punësuar në ndërmarrje të tilla. Prandaj, pasi diplomohen, eksperiencat mund t'i favorizojnë shumë kur konkurrojnë në tregun e punës.

Vitet e fundit, Shkolla Profesionale e Hangzhou-t ka hequr 10 profesione, që nuk përshtaten me tregun. Tani, ndër 500 anëtarë të stafit pedagogjik të shkollës, gati 50% vijnë nga ndërmarrjet financuese. Për t'i nxitur pedagogët që dinë më mirë teorinë, ta kombinojnë atë me praktikën, secili nga ata duhet të kenë përvojë pune në ndërmarrje prodhuese, për më shumë se 6 muaj në çdo 3 vjet.

Mënyra e veçantë e mësimdhënies dhe përqindja e lartë e punësimit e shkollave profesionale si ajo e Hangzhou-së tërhoqën vëmendjen e opinionit publik dhe të qeverisë. Ditët e fundit, qeveria kineze shpalli masat për të nxitur zhvillimin e arsimit profesional.

Për shumë të rinj kinezë, punëtorët teknikë nuk janë zgjedhje e parapëlqyer. Një universitet është më tërheqës. Mirëpo, tregu aktual i punës ka ndryshuar.

Lidhur me këtë, z. Zhuang Congsheng, nënkryetar i Federatës Industrialo-Tregtare të Kinës tha:

"Tani, me 3000 juanë(afro 490 $) rrogë mujore mund të gjenden shumë aplikues të sapodiplomuar nga dega e Teknologjisë së Informacionit(IT). Por, me 5000 juanë(mbi 800$) në muaj, mezi gjendet një punëtor i thjeshtë për saldim apo ndërtim. Pak ditë më parë, bisedova me një pronar të firmës së ndërtimit. Ai u ankua për mungesën e punëtorëve të kualifikuar, madje me një pagesë prej 500 juanë(mbi 80$) në ditë".

Për të zgjidhur këtë problem, qeveria kineze po mbështet arsimin profesional. Në një dokument të publikuar në fund të qershorit nga Këshilli i Shtetit merret vendimi që para vitit 2020 të krijohet sistemi i arsimit profesional modern në mbarë vendin. Sipas planifikimit, një sërë shkollash të larta do të shndërrohen në shkolla profesionale.

Përveç këtyre, qeveria do të lidhë edhe shkolla të mesme profesionale me universitetet e vendit, duke u ofruar gjimnazistëve me diplomë profesionale, mundësi të fitojnë kredite për shkollat e larta.