">



20140717Mikpritja |
Temën për mikpritjen e nisim me 3 thënie të mëdha nga Ismail Kadare, Konfuci dhe Edit Durham.
"Përpjekja për ta shndërruar në një gjysmëhyjni njeriun më të zakonshëm mjafton që ai të trokiste në shtëpi"--- Ismail Kadare
"Në jetë 3 gjëra të gëzueshme janë dita e martesës, realizimi i karrierës dhe vizita e mikut të mirë që vjen nga larg"-- Konfuci
Edhe Edit Durhem shkruan -"Ligjet e mikpritjes janë më të forta se armët".
Çdo popull ka traditat dhe kulturën e tij.
Vende të ndryshme kanë virtyte dhe vlera të ndryshme, por edhe të ngjashme.
Marrim Shqipërinë- Një nga virtytet më të vyera të shqiptarëve është mikpritja. Miku respektohet, vlerësohet si dhe nderohet ne mënyrë të veçantë. Në të kaluarën, nëse dikush trokiste në derë, qoftë mik apo edhe armik, nëse trokiste në derë kthehej në një njeri të paprekshëm.
Mikpritja është një ideal i dashur e i rëndësishëm i shoqërisë tradicionale shqiptare. Shqiptarët e kanë mikpritjen të shenjtë e të pakufishme.
I zoti i shtëpisë mbante përgjegjësi për sigurimin dhe "nderin" e mikut deri kur ai të dilte jashtë shtëpisë ose tokës së tij. Për këtë arsye, zakon është që i zoti i shtëpisë ta përcjellë mikun, kur ai largohet.
Pasi hyn në një shtëpi, miku gjithmonë qeraset me diçka për të pirë a për të ngrënë, qoftë edhe vetëm simbolikisht, sipas motos shqiptare "bukë e kripë e zemër". Përgjithësisht, sot qerasja bëhet me një gotë raki, me një filxhan kafe ose me pije joalkolike, më e pakta me një gotë ujë. Pijet zakonisht shoqërohen me karamele, me gliko ose me arra.
Po sa e vyer është mikpritja për kinezët? A ka ajo të njëjtat dimensione si në Shqipëri?
Mikpritja në Kinë është shumë e ngjashme me atë në Shqipëri. Kinezët janë popull i dashur dhe shumë mikpritës, e respektojnë mikun, por edhe të huajt në Kinë.
Kina është një vend me kulturë mbi 5-mijë vjeçare dhe me shumë traditë.
Në krahina të ndryshme të Kinës miqtë priten kryesisht me çaj.
Në Pekin i zoti i shtëpisë kur u çon mysafirëve gotën e mbushur me çaj, ata ngrihen menjëherë në këmbë dhe e marrin gotën me të dy duart duke i shprehur "falenderime". Në krahinat e Kinës jugore, kur i zoti i shtëpisë nderon mysafirët me një gotë çaj, ata e falenderojnë atë duke trokitur tavolinën tri herë. Në disa krahina të tjera, në se mysafirët kanë dëshirë të pijnë prapë çaj, duhet të lënë pak çaj në gotë, pasi i zoti i shtëpisë e shikon, ai do ta mbushë gotën përsëri, në se mysafirët nuk kanë dëshirë të pijnë më shumë, duhet ta zbrazin gotën, pasi e shikon këtë gotë të zbrazur, i zoti i shtëpisë nuk do ta mbushë më atë.
Dhuratat për miqtë janë një pjesë e rëndësishme e kulturës kineze. Kur një mik vjen në shtëpi ai asnjëherë nuk do të vijë duarbosh.
Pasi miku vendos të largohet, ashtu si edhe në Shqipëri, ai përcillet nga i zoti i shtëpisë.
Një mikpritje e theksuar që të bie shumë në sy është mikpritja që u ofrojnë kinezët të huajve.
Disa janë të mendimit se kjo mikpritje e tyre varet nga fakti se kinezët duan mësojnë më shumë apo janë kuriozë për kulturën perëndimore. Por disa të tjerë mendojnë se mikpritja e ngrohtë kineze është një virtyt i trashëguar në kulturën dhe shoqërinë e tyre.
Mikpritja është e theksuar jo vetëm në shtëpinë kineze, por edhe në baret dhe restorantet në Kinë.
Miku në Kinë trajtohet me respekt të madh, po ashtu ai është i lirë të veprojë si të dojë. Psh: në Perëndim konsiderohet e papranueshme të tymosësh cigare në shtëpinë e dikujt pa e pyetur më parë, dhe mund të marrësh një përgjigje negative. Por në Kinë, të refuzosh një mik për të tymosur cigare në shtëpinë tuaj konsiderohet si sjellje jo e mirë. Pra, ashtu si edhe në Shqipëri miku është "mbret".
Mikpritja në Kinë ndaj vizitorëve të huaj është shumë interesante. Me të mbërritur në Kinë, vizitorëve u ofrohet për të parë shumë pika turistike, u ofrohen pjata të panumërta të kuzhinës tradicionale kineze dhe shumë pije të ndryshem, përfshi raki kineze, birrë apo dhe çaj.
Është zakon në kulturën dhe traditën kineze që mysafirët të përcillen madje deri në rrugë, ose i zoti i shtëpisë mund ta përcjellë atë deri tek stacioni i autobusit apo edhe të gjejë një taksi për mikun e tij. Kjo mund të duket pak e çuditshme në Perëndim, ku mysafirët përcillen me një "mirupafshim" tek dera.
Pra, Kina është një vend shumë mikpritës, pasi kinezët janë tepër të hapur ndaj të huajve dhe pëlqejnë të komunikojnë me ta. Nëse një i huaj në Kinë ka humbur rrugën apo ka ndonjë shqetësim tjetër, vendasit do të tregohen tepër të gatshëm për të ofruar ndihmë.
Kur vizitoni një familje kineze do të mahniteni nga respekti dhe mikpritja e tyre.
Miku juaj kinez nëse ju fton në shtëpinë e tij do të gatuajë ushqimet më të mira për ju, do t'ju ofrojë shtëpinë e tij në dispozicion. Pasi të keni përfunduar darkën miku juaj kinez do t'ju thotë, "Nuk hëngrët shumë, ju lutem hani përsëri." Pasi ju i keni thënë se jeni ngopur dhe ju kanë pëlqyer shumë ushqimet, ata do t'ju kërkojnë të hani përsëri edhe 2 ose 3 herë të tjera dhe madje do t'ju vendosin më shumë ushqim përpara.
Supa dhe frutat do t'ju ofrohen në fund të drekës apo darkës, për një tretje më të mirë.
Kur jeni në Kinë kini parasysh që kinezët janë mikpritës dhe të dashur, prandaj çdo i huaj që vjen në këtë vend duhet të jetë i hapur ndaj miqësisë së tyre dhe njohjes me kulturën dhe zakonet kineze.