Fundviti sjell dhurata për fëmijët, por këtë vit disa prej tyre iu gëzuan një këndi lojrash në kryeqytet, të financuar nga Ambasada e Kinës në Shqipëri. Në Sheshin “Sandër Prosi” në Tiranë fëmijë të shoqëruar nga prindërit u bënë pjesmarrës të përurimit të këndit të lojrave, të financuar nga Ambasada e Kinës në Tiranë. Mes entuziazmit të fëmijëve kryeqytetas, ambasadori i i Kinës në Tiranë Zhou Ding i quajti ata e ardhmja e vendit dhe shpresa e kombit. Ai tha se “Ndonëse ky kënd është i vogël, ai është pasqyrim i miqësisë midis Kinës dhe Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve, pas tërmetit të fortë dhe pandemisë, Kina gjithmonë ka ofruar ndihmën e saj dhe ka qëndruar krah për krah me Shqipërinë për të mposhtur sfidat.” Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani tha se parku i financuar nga Ambasada e Kinës është parku i 79-të në kryeqytet. “Ne jemi të lidhur me Bashkinë e Pekinit, jo vetëm nëpërmjet lidhjeve historike, por edhe projekteve konkrete. Është shumë kënaqësi që kemi të pranishëm ambasadorin, është kënaqësi që fëmijëve ua sollëm festat më shpejt dhe do të kenë mundësi të luajnë dhe të kujtohen që ashtu si ata lidhin miqësitë e tyre brenda lagjes, edhe ne lidhim miqësitë tona shtet pas shteti dhe qytet pas qyteti”, u shpreh ajo.

Fëmijëve të pranishëm iu shpërndanë dhe dhurata nga Kina me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.