Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij.

Do t’ju sjellim pamjet e nje arkitekture të vecantë që i ka dhënë emrin “Qyteti i një mbi një dritareve”.

Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen, dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Banesat janë shumë të ngjeshura njëra me tjetrën dhe në pjesën dërmuese janë të dimensioneve të vogla.

Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit.