Në Kelmënd, por veçanërisht në Qafën e Predelecit dhe Lëpushë, në këtë fillim të muajit prill gërshetohen dy stinë: dimri që vazhdon të ruajë pushtetin e tijë me petkun e bardhë të dëborës, dhe pranvera që troket më vonë në alpe.

Peisazhet e larmishme malore janë mbresëlënëse që në kontaktin e parë dhe vizitorët nxitojnë për të fiksuar një kujtim në këtë perlë të natyrës shqiptare.

Lëpusha, në lartëinë 1200 metër mbi nivelin e detit e vështruar nga lartësitë e kodrave përballë ngjan si një pikturë gjigande me shtëpitë karakteristike me çati alpine.

Turistët e aventurës braktisin me nxitim automjetet për të “pushtuar” lartësitë e apleve ku dëbora nuk shkrin as në stinën e verës.

Ky destinacion është mjaft i lakmueshëm në çdo stinë të vitit por këto ditë është zgjedhja e duhur për ata që duan ti largohen jetës së përditshme të qytetit për të kaluar disa ditë të paharrueshme në gjirin e natyrës së virgjër malore.