Liqeni i Komanit është një rezervuar në lumin Drin në Shqipërinë e veriut. Ai është i rrethuar nga kodra të pyllëzuara, shpate të thepisura dhe gryka të thella që krijojnë peisazhe mbresëlënëse përgjatë luginës së ngushtë.
Liqeni ushqehet nga lumenjtë Drini , Shala e Valbona dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 34 km2 .
Liqeni i Komanit është kthyer në një destinacion turistik për vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj.
Përveç funksionit kryesor,furnizimit me ujë të hidrocentralit të Komanit, liqeni që nga viti 2000 përdoret edhe për udhëtime ujore për tu lidhur me qytetin e Bajram Currit apo Valbonën në zemër të alpeve.
Udhëtimet në liqenin e Komanit janë atraksion turistik pothuajse gjatë gjithë vitit, por periudha e verës është një tundim i vërtetë për adhuruesit e natyrës për tu relaksuar e freskuar mes ujit, gjelbërimit e kontrasteve të thella të relievit.







